Të pabindurit nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim pritet që të hënën të marrin mandatin e deputetit.
Të premten 4 kandidatë nga lista e LSI dorëzuan formularin e vetëdeklarimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të nisur edhe procedurat për marrjen e mandatit. Këto 4 deputetë të rinj do t’i bashkohen 2 deputetëve Muslim Murrizi i PD dhe Lefter Koka i LSI që nuk pranuan të dorëzojnë mandatin.
Në Qarkun e Tiranës, Floida Kërpaçi do të zëvendësohet nga kandidati i listës së LSI Ylli Shehu. Mandati i Endrit Braimllarit do ti kalojë Edmond Rrushit, i cili ndodhet i dhjeti në radhë në listën e LSI. Por numri i deputetëve që vjen nga kjo parti në Qarkun e Tiranës pritet të rritet, pasi edhe Ralf Gjoni nuk e ka mohuar marrjen e mandatit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do ti japë Aurora Mares mandatin e lënë nga Përparim Spahiu në Qarkun e Dibrës.
Ndërsa në Elbasan mandatin e LSI të Edmond Haxhinastos do ta marrë kandidati që vjen pas tij Enver Roshi.
Nuk janë vetëm kandidatët e LSI që kanë dalë kundër vullnetit të partisë së tyre pasi edhe Zana Prela, Ligoraq Karamelo dhe Lefter Maliqi nga PD nuk kanë firmosur dorëheqjen nga mandatit. Partitë e vogla jo parlamentare po përfitojnë nga mungesa e opozitës për të krijuar opozitën e re.
Pas partisë së Gjelbër pritet të regjistrohen për zgjedhjet vendore të 30 qershorit edhe Partia Aleanca Demokristiane e Shqipërisë si dhe Partia Kristian Demokrate.