Editorial
Shqipëria prej disa vitesh është kthyer në një fushëbeteje ku përplasen opozitë-qeveri për vende si Irani, Kina, Afganistani dhe tashmë edhe për Bjellorusinë.
Në emër të aleancës dhe partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria shqiptare e majtë dhe e djathtë kanë pranuar ndër vite sazilantë politike, qofshin këta dhe të dënuar në burgjet më të rrezikshme si ajo e Guantanamos
E megjithatë, ndryshe nga Shqipëria, vende të tjera me fuqi ekonomike dhe sigurie shumë here më të madhe kanë refuzuar të pranojnë në vendet të tyre muxhahedinët, ujgurët apo në rastin më të fundit afganët, duke evituar kështu edhe një përplasje të drejtpërdrejtë me qeveritë e këtyre vendeve nga ku vijnë refugjatet, Afganistani (tashmë nën drejtimin e talibanëve), Irani dhe Kina.
Qeveria shqiptare herë-herë është vetëofruar për të pritur refugjatët, si në rastin e Afganëve, bashkëpuntorëve të ngushtë të qeverisë amerikane, ku Kryeministri Rama do deklaronte ndër mediat ndërkombëtare se Shqipëria mund të priste 4000 mijë afgane. Madje vetë Rama u bë promotori për të ndihmuar afganët, duke kritikuar qeveri të mëdha deri edhe Aleancën e Atlantikut të Veriut, NATO.
Ndonëse nuk duhet refuzuar ai që shtrin dorën për ndihmë, por kjo duhet në propocion me kapacitetin që ka shteti, që neser të mos kthehet në një vend të pasigurt për vetë popullin shqiptarë.
Viti 2006-2010
Ujgurët dhe Tre të dënuar të Burgut të Guantanamos
Shqipëria e filloi këtë bashkëpunim me SHBA-të në vitin 2006-të kur, SHBA-ja ndërmori nisma për të transferuar pesë ujgurët e liruar, por asnjë prej shteteve perëndimore nuk i pranuan në Europë dhe i vetmi vend ishte Shqipëria. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi në atë kohë se Tirana zyrtare kishte pranuar të strehonte në Qendrën e Refugjatëve në Babrru pesë ujgurë. Ndërsa marrëveshja u zgjerua më pas, ku numri total shkoi diku 100 në total. Por, Pekini kundërshtoi dhe dënoi Shqipërinë për këtë pranim, duke ngrirë marrëdhëniet diplomatike gjatë gjithë vitit 2006.
Në vitin 2010, Shqipëria strehon edhe tre të dënuar të Burgut të Guantanamos. Në zbatim të paktit që Tirana zyrtare lidhi me Uashingtonin, kësaj radhe vijnë në qendrat e azilimit edhe një shtetas me kombësi egjiptiane, një tunizian dhe një tjetër nga Libia.
Presidenti amerikan, Barak Obama, premtoi mbylljen e Burgut të Guantanamos sapo erdhi në krye të Shtëpisë së Bardhë. Shqipëria ishte ndër të parat vende që pranoi menjëherë kërkesën e SHBA-ve në janar të vitit 2009 për transferimin e të burgosurve nga Guantanamo.
Ministria e Punëve të Brendshme konfirmoi se nga qendra e paraburgimit në Guantanamo u transferuan në Shqipëri tre shtetasit e huaj; Saleh Bin Hadi Asasi, me kombësi tuniziane, Sharif Fati Ali al Mishad, me kombësi egjiptiane dhe Abdul Rauf Omar Mohammad Abu Al Qusin, me kombësi libiane.
Ministria e Brendshme bënte të ditur se këto transferime u bënë në bazë të marrëveshjes individuale midis qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë shqiptare.
“Dy qeveritë koordinuan midis tyre mbi modalitetet e transferimit dhe angazhohen të vazhdojnë konsultimet në lidhje me trajtimin e këtyre personave”, – thuhej në deklaratën për shtyp nga Ministria e Brendshme. Ky transferim vjen pas angazhimit që ka shprehur qeveria shqiptare për të mbështetur iniciativën e administratës së presidentit Obama asokohe për mbylljen e qendrës së Guantanamos dhe transferimin e të paraburgosurve në vende mike dhe të sigurta.
Viti 2013
Muxhahedinët
Pas ujgurëve, dhe të dënuarve nga Guantanamo, Shqipëria tregoi sërish gatishmeri ndaj aleatit strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në fund të mandatit të dytë si Kryeministër, Sali Berisha firmosi një marrëveshje të negociuar me Sekretaren e Jashtme të SHBA-së në vitin 2013, Hillari Klinton, që nga Iraku të mbërrinin në Tiranë 270 muxhahedinë. Këta të fundit morën të gjithë dokumentacionin e nevojshëm dhe u trajtuan me statusin e azilantit politik. Ky hap i qeverisë Berisha u vazhdua edhe nga Kryeministri që e pasoi, Edi Rama. Ai ra dakord me autoritetet amerikane që në Shqipëri të strehoheshin një numër rreth 3 mijë muxhahedinësh iranianë. Me ardhjen e këtij kontingjenti të dytë të opozitës iraniane, u ngrit edhe kampi “Ashraf” në zonën e Manzës në periferi të Tiranës. Kryeministri Rama, këtë hap të tij e konsideroi si një vendim humanitar dhe jo politik.
Pas këtij vendimi të Ramës, pati një sërë reagimesh në nivelet më të larta të qeverisë amerikane, deri edhe te Presidenti, që shprehu falënderimet për këtë akt të ndërmarrë nga qeveria shqiptare. Edhe pse nuk ka të dhëna të sakta zyrtare, numri i muxhahedinëve që strehohen në kampin e Manzës shkon rreth 3500. Kampi është i organizuar mbi modelin e një qyteze të vogël ku ofrohen të gjitha shërbimet brenda.
Viti 2021
Afganet
Pas vendimit për tërheqjen e trupave nga Afganistani, ku talibanet morën në duar menjëherë vendin. Filloi evaukimi i mijërave bashkëpuntorëve të SHBA-së në Kabul. Në këto kushte Shqipëria tha se mund të presë disa qindra afganë në Shqipëri, derisa SHBA-ja të verifikojë dokumentet e tyre për t’i pritur në Shtetet e Bashkuara.
“Shqipëria do të presë 4 mijë shtetas afganë, deklaroi kryeministri Rama gjatë një interviste në CNN. “2000 që janë listuar dhe 2000 të tjerë që ne po punojmë për t’i pritur, do jenë rreth 4000 mijë”, tha Rama.
Tashmë në vend janë disa qindra afganë të strehuar në Durrës dhe Shëngjin, në pritje që të marrin vizë për në SHBA apo në vende të tjera të Europës. Ndonëse nuk dihet se sa do zgjasë kjo procedure. Megjithatë ekziston dhe mundësia që këta refugjatë të jetojnë përgjithmonë në Shqipëri.
Bjellorusët
Bjellorusia prej 2020 është në një krizë të thellë politike, ku u përfshi nga protestat e mëdha të organizuar nga opozita bjelloruse, e cila akuzonte Presidentin Lukashenko se kishte vjedhur votat. Njerëzit protestuan nga 9 gushti i vitit të kaluar në mënyrë të rregullt kundër rezultatit zyrtar të zgjedhjeve presidenciale, që nxorrën fitues Aleksander Lukashenkon. BE është e mendimit, se shumica e votuesve ia kishin dhënë votën një kandidateje tjetër: Svetlana Tichanovskajas, një aktiviste dhe politikane bjelloruse.
Pikërisht kryetarja në arrati e opozitës Bjelloruse Sviatlana Tsikhanouskaya vizitoi Tiranën të mërkurën, me ftesë të Kryeministrit Edi Rama.
Në një postim para vizitës, Tsikhanouskaya, theksoi se me kryeministrin Rama do të diskutojë për rolin e Shqipërisë në OSBE, sa i përket krizës në Bjellorusi.
“Jam e lumtur të njoftoj vizitën time në Shqipëri më 29 shtator, me ftesë të kryeministrit Edi Rama. Unë do të diskutoj angazhimin e Shqipërisë në OSBE në lidhje me krizën e Bjellorusisë dhe anëtarësimin e ardhshëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, tha ajo në një postim në Twitter.
Ndërsa gjatë një interviste për mediat shqiptare, Tsikhanouskaya ka treguar se në takimin me Ramën, ka kërkuar strehimin e bjellorusëve në Shqipëri, duke shtuar se vendi ynë mundd të bëjë shumë për Bjellorusinë.
“Ndonjëherë vendet e vogla, vendimet e tyre janë më të rëndësishme se atyre të mëdha. Sepse çdo vend ka zë të fuqishëm, veçanërisht nëse ai vend merr pjesë në organizata ndërkombëtare. Shqipëria mund të bëjë shumë kundrejt Bjellorusisë, kryeisht për programet e rehabilitimit të burgosurve politikë dhe familjeve të tyre. Të burgosurit tanë kanë vuajtur shumë dhe kanë nevojë për rehabilitim dhe Shqipëria mund t’i presë në të ardhmen”, tha Tsikhanouskaya.
“Ne folëm për këto programe rehabilitimi dhe evente kulturore në Shqipëri si përshëmbull ekspozita nga Bjellorusia dhe shumë të tjera. Vetëm ëpr të promovuar idenë e luftës kundër diktaturave dhe për demokraci në botë”, shtoi liderja e opozitës bjelloruse.
Sikundër përmendem më sipër Shqipëria ka ofruar azil politik për opozitën iraniane, ujgurët nga Kina, afganët dhe tashmë duket se do të mirëpresë edhe opozitën bjelloruse.
Duket se në emër të “beses” dhe “aleatit stategjik”, Shqipëria i ka hapur portat ndaj çdo vendi që përfshihet nga kriza politike.
Praktikisht po kthehet në një kamp të madh refugjatesh, duke rrezikuar jo vetëm tensionim të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe vendeve nga ku vijnë këta refugjatë apo azilantë politike, por duke rrezikuar deri në asimilim të popullsisë shqiptare.