Kryefjala e seancës plenare e kësaj të enjteje ishte Vaksinimi duke bërë mazhoranca dhe opozita të bashkohen duke miratuar unanimisht aktin normativ për blerjen e 500 mijë doza Pfizer.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu i ka bërë një thirrje nga foltorja e Kuvendit opozitës, që të bëhet pjesë e përpjekjeve për të nxitur qytetarët të vaksinohen, duke mbrojtur kështu shëndetin e tyre.
“Në luftën për jetën, avantazhi i vetëm që kemi sot është vaksina. Në luftën për jetën, çdo vaksinë e shtuar sot, frenon përhapjen e infeksionit dhe rrezikimin e jetës së dhjetëra njerëzve nesër. Flasim për shëndetin publik, dhe mjafton kjo për t’i dhënë kësaj kauze një dimension që shkon përtej përfitimeve të vogla që sjell retorika e mbushur me akuza pa pikë baze. Nuk do të ishte turp, as lëshim, as humbje, as dorëzim, as tërheqje, sikur çdonjëri prej 140 deputetëve në sallë, të shfrytëzonte të paktën një herë të vetme, hapësirën në media, në rrjetet e veta sociale, për t’u bërë një thirrje të sinqertë qytetarëve: vaksinohuni”, bëri thirrje Manastirliu.
Me 126 vota pro, pa asnjë kundër, së bashku me dakordësinë e opozitës është kaluar akti normativ për marrëveshjen e furnizimit me vaksina antikovid me kompaninë “Pfizer”.
Kuvendi miratoi me 126 vota pro dhe asnjë kundër, Aktin Normativ nr. 29, datë 13.9.2021 “Për miratimin e tekstit të disa ndryshimeve në marrëveshjen për prodhimin dhe furnizimin nga dhe ndërmjet PFIZER EXPORT B.V. dhe ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, ministrit të shtetit për Rindërtimin dhe Institutit të Shëndetit Publik, miratuar me aktin normativ nr. 3 datë 18.1.2021”.
Miratimi i këtij Akti Normativ i hap rrugë ardhjes brenda vitit të 500,760 doza vaksine, falë marrëveshjes së nënshkruar me kompaninë “Pfizer”