Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç vendosi kurorë lulesh në ndërtesën e qeverisë në përkujtim të datës kur 30 vjet më parë avionët e atëhershëm të Armatës Popullore të Jugosllavisë sulmuan selinë e qeverisë kroate.
I shoqëruar nga disa ministra dhe zyrtarë, Plenkoviç vendosi kurorë para pllakës përkujtimore në vendin e quajtur “Banski Dvori”, ku ndodhet selia e Qeverisë së Republikës së Kroacisë, me rastin e shënimit të 30-vjetorit të bombardimit të selisë së qeverisë.
Pas vendosjes së kurorës, Plenkoviç vuri në dukje se sulmi në “Banski Dvori” ndodhi “në kulmin e sulmeve të agresionit serbomadh millosheviçian mbi Kroacinë”.
“Ato ishin momente fatale për lirinë e Kroacisë, për gjithçka që kemi sot dhe pas saj, pra natën nga 7 në 8, Parlamenti Kroat solli vendimin përfundimtar për pavarësinë e Republikës së Kroacisë. Ne kujtojmë atë moment me krenari të madhe dhe me një mesazh të rëndësishëm për të informuar brezat e rinj për ngjarjet kryesore kur lindi Kroacia bashkëkohore dhe moderne”, tha Plenkoviç.
Rreth orës 15:00 të 7 tetorit të vitit 1991, në kohën e goditjes me raketa të selisë së qeverisë, në ndërtesë ndodhej presidenti kroat Franjo Tugjman, kryetari i Presidencës së Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, Stipe Mesiç dhe kryeministri jugosllav Ante Markoviç si dhe të tjerë.
Gjatë goditjes me raketa në të cilën u hodhën gjashtë raketa një person humbi jetën ndërsa disa persona u plagosën.