Klodian Kurushi, nga Gjykata e Lartë, Ridvan Hado, nga Gjykatat e Apeleve dhe Irena Plaku, nga Gjykatat e Rretheve Gjyqësore janë tre anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë Gjyqësor të zgjedhur gjatë Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve e cila zhvilloi punimet sot në Tiranë.
Zëvendëskryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili në fjalën e tij u ndal në mënyrë të veçantë tek modeli i gjyqtarit që kupton rëndësinë e funksionit dhe që i shërben arritjes së objektivit për një gjyqësor të pavarur, të paanshëm, efektiv dhe llogaridhënës. Ndër të tjera, Sadushi, theksoi se pavarësia e Këshillit të Lartë Gjyqësor, do të varet nga ata kandidatët që zgjedh Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve, përderisa shumica e Këshillit rezulton të jetë shprehje e vullnetit të trupës gjyqësore.
Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve u përshëndet edhe nga Naureda Llagami, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Ajo e cilësoi prezencën e saj në këtë takim në funksion të nxitjes së trupës gjyqësore për të reflektuar mbi shqetësimet e përbashkëta, arritjet, por mbi të gjitha mbi aspiratat për të ardhmen.
Gjatë fjalës së saj, Kryetarja e KLGJ-së evidentoi rëndësinë e institucionit të votës duke nënvizuar se ato gjyqtarë që do të votohen sot, do të jenë vullneti, fytyra dhe zëri i gjithë komunitetit të gjyqtarëve për vitet e ardhshme. Ata do të jenë pjesë e vendimmarrjes së Këshillit drejt konsolidimit të mëtejshëm të standardeve të drejtësisë së re.
“Demokracia nuk është sport për spektatorë, por për aktorë, të cilët përpiqen aktivisht si për ndryshimin e vizionit që ne kemi për veten por që dhe të tjerët kanë për ne”, tha Llagami.
Anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, u zgjodh Genti Dokollari.