Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi garantoi sot se AMA do të vijojë monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit dhe forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për mbrojtjen e fëmijëve.
Në Konferencën Ndërkombëtare me temë “Mbrojtja e fëmijëve në mediat audiovizive”, të zhvilluar në Tiranë nga Autoriteti i Mediave Audiovizive, marrin pjesë Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Teresa Ribeiro, ekspertë nga Britania e Madhe, Belgjika, Gjermania si dhe profesorë e ekspertë të fushës nga vendi dhe rajoni. Kjo konferencë, e cila është e ndarë në tre panele, do të shërbejë si një vlerë e shtuar dhe një moment i mirë reflektimi për të gjithë aktorët e përfshirë, mediet, shoqërinë dhe komunitetin, mbi rolin e tyre në edukimin e të miturve.
Në fjalën e saj në konferencë, Krasniqi theksoi se “kontributi për mbrojtjen e fëmijëve është kontributi më thelbësor që mund të jepet për një shoqëri dhe të ardhmen e saj”.
“Të gjithë jemi të vetëdijshëm se ndikimi i mediave audiovizive tek fëmijët mund të çojë në sjellje agresive, mund të trembë fëmijët, mund të ofrojë heronj të dhunshëm për të imituar dhe mbi të gjitha shpesh krijon bindjen se tregon se dhuna është normë shoqërore. Në një kohë kur zhvillimi teknologjik po na përball me sfida shumëdimensionale, detyra e medias është mbi të gjitha mbrojtja e interesave më të larta shoqërore përmes edukimit dhe mbrojtjes së fëmijëve”, nënvizoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s u shpreh se “veprimtaria e Autoritetit të Mediave Audiovizive bazohet në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar. Ligji parashikon parimet themelore që përbëjnë bazën e zhvillimit të veprimtarisë audiovizive. Por në mënyrë më eksplicite, është Kodi i Transmetimit, si akt nënligjor i rëndësishëm që përmban dhe përcakton parimet, rregullat, kërkesat dhe praktikat e transmetimeve audiovizive në Republikën e Shqipërisë”.
Krasniqi vuri në dukje se Kodi i Transmetimit ka për qëllim të sigurojë pavarësinë dhe paanësinë e veprimtarisë së OSHMA-ve, duke synuar që ato të bëhen gjithnjë e më të ndërgjegjshme për rolin dhe përgjegjësinë e tyre.
Kryetarja e AMA-s, Krasniqi bëri të ditur se në bazë të strategjisë së AMA-s për vitin 2021-2023 do të rishikohet Kodi i Transmetimit.
“Rishikimi do kryhet nga AMA në konsultim të gjerë me të gjithë aktorët relevantë në këtë fushë. Unë edhe dje shfrytëzova mundësinë nga Konferenca e OSBE dhe po e përsëris edhe sot apelin për sa më shumë kontribut dhe gjithëpërfshirje në rishikimin e këtij Kodi, pasi besoj se shumësia e ideve bën një Kod që i shërben dhe prek e mbulon shumë komponentë të kohës që jetojmë. Pranë AMA-s, prej muajit prill 2016, funksionon Këshilli i Ankesave.
Që nga nisja e punës e deri më sot Këshilli i Ankesave ka shqyrtuar mbi 570 të tilla.
178 prej të cilave kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave të fëmijëve”, – nënvizoi Krasniqi.
Më tej Krasniqi tha se një pjesë e konsiderueshme e ankesave kanë si objekt të miturit, megjithatë në raport me vitet 2016-2017 kur kjo shifër ishte rreth 40 %, konstatohet një përmirësim i dukshëm në raportimet audiovizive, për dhe rreth fëmijëve.
“Bazuar në ndryshimet ligjore të vitit 2018, në ligjin nr. 9518, “Për mbrojtjen e fëmijëve nga përdorimi i alkoolit”, si dhe në rekomandimet e përvitshme të Kuvendit të Shqipërisë, AMA ka në fokus edhe monitorimin e reklamave për pijet energjike dhe pijet e gazuara, me sheqer të shtuar. Janë realizuar shqyrtime të këtyre transmetimeve ku janë identifikuar tekste, apo pamje të papërshtatshme, si dhe gjeste jo etike. U janë tërhequr vëmendje OSHMA-ve. Ka pasur reflektim të tyre duke ndjekur porositë e AMA-s, që disa videoklipe problematike të transmetohen pas orës 23:00, në orare kur mendohet se fëmijët nuk janë para ekranit”, – shtoi Krasniqi.
Kryetarja e AMA-s, Krasniqi u shpreh se AMA ka shqyrtuar formatet e programeve argëtuese për fëmijët, në formën e spektakleve artistike apo quize-ve.
“Fokusi ka qenë tek trajtimi në to i fëmijëve si të rritur, duke përfshirë dhe fjalor e gjeste jo për moshën e tyre. Transmetimet e drejtpërdrejta të akteve të rënda: vrasje, plagosje, apo vepra të tjera dhune, afera seksuale ku janë protagonistë të miturit, zbulimi i identiteteve janë disa nga problemet që kemi hasur. Problem më i madh vjen nga transmetimi live nga televizionet informative, që shpesh në nxitim për lajmin e parë, në raportim nuk marrin parasysh efektet që kanë skenat e dëmshme dhe të rënda, orari që ato transmetohen, apo dhe duke dhënë detaje që ngjallin panik tek shikuesit, sidomos tek fëmijët. Kur këto ngjarje pasqyrohen në edicionet informative, redaksitë janë më të kujdesshme”, – tha Krasniqi.
Krasniqi garantoi se Autoriteti i Mediave Audiovizive do të vijojë me përkushtim, monitorimin e rregullt dhe të rreptë për zbatimin e dispozitave që rrjedhin nga Kodi i Transmetimit; forcimin e penaliteteve për OSHMA-të që shkelin dispozitat e këtij kodi për fëmijët; bashkëpunimin intensiv me institucionet vendase, shoqatat, mediet në mënyrë që fëmijëve t’u ofrohen programe cilësore dhe edukative./Ata