Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut janë zgjedhur krerët e komunave në 32 komuna, ndërsa në 42 komuna do të ketë raund të dytë më 31 tetor. Deri më tani, VMRO-DPMNE-ja, partia opozitare maqedonase, ka fituar 19 mandate për kryetar komunash, LSDM, partia maqedonase në pushtet rezulton me nëntë kryetarë komunash, BDI tre ndërsa Partia Demokratike Turke një.
Mickovski: Edhe në raundin e dytë do t’i mposhtim partitë në pushtet
Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski dekalroi, se partia e tij në raundin e dytë kryeson në mbi 20 komuna. “Në më shumë se 20 komuna në raundin e dytë do të jemi në epërsi, ndërsa në komunat e tjera në garë hyjmë si të dytët, por me gjasa reale për ta përmbysur rezultatin. Në epërsi jemi edhe në Shkup, ku kandidatja e pavarur Danella Arsosvaka që ka mbështetjen e VMRO-së, është para kandidatit të partive në pushtet, Petre Shilegov”, ka deklaruar kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski.
Zaev: Morëm mesazhin e qytetarëve – duhet më shumë punë
Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se beteja ende nuk ka përfunduar dhe për në raundin e dytë zgjedhor ka parlajmëruar bashkëpunim me të gjitha forcat progresive për të parandaluar kthimin e së keqes në pushtet. “Ne e morëm mesazhin e qytetarëve. Ata presin edhe më shumë punë. LSDM-ja hyn në raundin e dytë në 36 komuna, përfshirë qytetin e Shkupit, ku kandidati ynë aktualisht kryeson me rreth 15 mijë vota. Kjo është arsyeja pse ne presim një rezultat solid më 31 tetor”, ka deklaruar krzetari i LSDM-së Zoran Zaev.
Betejë e ashpër për Shkupin
Kandidati nga LSDM për kryetar të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov zgjedhjet lokale të së dielës i ka konsideruar si festë të demokracisë. Ai ka falënderuar votuesit duke theksuar, se është i bindur për fitore në raundin e dytë elektoral. “Jam i bindur se për shkak të kapacitetit më të madh në koalicion, në raundin e dytë zgjedhor do të veçojmë fitore të madhe”, deklaroi Shilegov.
Arsovska: Kam mbështetjen e shkupjanëve
Kandidatja e pavarur Daniella Arsovska, e cila garon për qytetin e Shkupi, u shpreh se Shkupi do të ketë shumë ndryshime pozitive . Edhe përkundër mbështetjes që mori nga disa subjekte politike, Arsovska shprehet, se nuk është e interesuar të merret me politikë, por se do të jetë kryetare e të gjithë qytetarëve të Shkupit. “Do të jem kryetare për të gjithë, por më shumë më gëzon mbështetja e shkupjanëve. Më mbështetën mbi 20 subjekte politike, por më e lumtur jam për mbështetjen që mora nga shkupjanët”, ka deklaruar Arsovska.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut do të mbahet më 31 tetor.