Kryeministri Edi Rama paralajmëroi sot se këshillat bashkiakë nuk do të kalojnë asnjë buxhet të bashkive, nëse nuk prashikohen qartë fondet për pastrimin.
Kryeministri Rama dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro zhvilluan sot një mbledhje me kryetarët e bashkive dhe prefektët, për menaxhimin dhe administrimin e mbetjeve.
Rama tha se “ne do të bashkëpunojmë ngushtësisht me kryetarët e bashkive për këtë, por fjalët po shterojnë”.
“Ligji parashikon shumë qartë që kryetarët e bashkive janë përgjegjës dhe bashkitë sanksionohen me ligj financiarisht për veprime të kësaj natyre. Ne do të ecim edhe me sanksione deri në marrjen në administrim të bashkisë dhe çuarjen e kryetarit respektiv të bashkisë në prokurori. Ky do të jetë fundi i rrugëtimit të përbashkët në rast se nuk gjejmë partnerët e duhur në territor dhe të garantojmë që Shqipëria të jetë shembull i pastërtisë në sezonin e ardhshëm”.
Rama tha se ndërkohë investime janë bërë dhe ne i kemi pikat fundore, landfillet e mbetjeve, ndaj situata aktuale është e patolerueshme.
“Askush nga ne nuk mundet dot të bashkëjetojë me turpin e pisllëkut. Është e patolerueshme, e papranueshme, ndaj duke filluar nga buxheti i vitit të ardhshëm çdo bashki të vendosë gjithë fondin që duhet për të kontrolluar procesin më së miri. Kjo kërkon kostim, buxhetim, vullnet dhe miradministrim”, tha Rama.
“Situata është në udhëkryq dhe nga ky udhëkryq duhet të dalim me se s’bën dhe do dalim tani. Sepse vërtet ka gjëra që duan vite, por ka edhe gjëra që duan qartësi dhe vullnet. Për fat të keq sot që flasim, në territorin e Shqipërisë ka një numër të patolerueshëm venddepozitimesh kriminale, në shkelje të plotë të detyrimeve në raport me mjedisin. Kemi pastaj pirgjet e plehrave lart e poshtë, si ato që u treguan këtu dhe janë të panumërta anembanë”, tha Rama.
Rama tha se kemi edhe rrugët kombëtare që janë problem më vete.
“Nuk mund të konsiderohen si përgjegjësi direkte e juaja edhe pse kur vjen puna për të dhënë leje të paligjshme hyni dhe te rrugët kombëtare, por kur vjen puna t’i pastroni, jo. Për atë karburant të prishur dje do të shkojnë në prokurori të gjithë ata që kanë firmosur në bashkinë e Lushnjës. Bashkitë s’kanë të drejtë të japin leje. Për më tepër në shkelje të ligjit që thotë: nuk lejohen ndërtimet 20 metra nga aksi i rrugës kombëtare”, tha Rama.
Një tjetër problematikë, sipas tij, është bregdeti, që është bërë problem i madh dhe do të jetë gjithmonë e më i madh, sepse çdo vit e më shumë rritet numri i turistëve.
“Por përtej sezonit kemi pamjet këtu. E përditshmja e dhimbshme, e turpshme e bashkisë Himarë, simboli i të fjeturit gjumë përballë plehut dhe maskarallëkut. Kemi zonat e mbrojtura dhe ato me rëndësi të veçantë historike e kulturore dhe tokën e bukës që nuk mund të jetë vend për të hedhur plehra”, shtoi Rama.
Ai siguroi se qeveria nuk do të rrijë me në këtë pozicion por do të ndërhyjë drejtpërdrejt.
“Asnjë buxhet, i asnjë këshilli bashkiak, nuk do të kalojë në rast se në atë buxhet nuk do jetë parashikuar sipas kostimit, pastrimi. Qeveria do të punojë me ju për pastrimin. Ministrja do jetë vetë në mbledhjet e këshillave bashkiakë. Kryetarët e bashkive mos të çojnë buxhet ku nuk kanë parashikuar pastrimin. Asnjë bashki nuk ka asnjë problem që të mbulojë pjesën e menaxhimit të përditshëm të mbetjeve nga pikëpamja financiare, por edhe sikur i gjithë buxheti i bashkisë totalisht të shkojë për pastrimin, do të shkojë për pastrimin”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje shembullin e suksesshëm të bashkisë Lezhë në menaxhimin e mbetjeve.
“Shkoni në Lezhë dhe shikoni plazhin, qytetin, zonat rurale dhe shkoni gjejeni një vend depozitimi ilegal apo pirgje që rrinë aty me javë. Shkoni edhe kur është sezoni turistik që shumëfishohen nevojat dhe jo buxheti. Bëni një xhiro në rërë dhe gjeni një copë letër. Ky është vullneti dhe miradministrimi. Nuk është rastësi që bashkia e Lezhës ka buxhetin më të madh të vendosur nga vetja, e ka ndarë mënjanë një buxhet që i përgjigjet nevojave për pastrimin”, tha Rama.
E njëjta situatë, sipas tij, “është edhe në Korçë. Asnjë bashki nuk i hedh në buzë të lumit si bashkitë e Elbasanit, Durrësit apo Kamzës, që ka krijuar një destinacion allasoj atje dhe vetëm emri i mungon. Zakoni shumëvjeçar i faturimit fiktiv të tonelatave nuk ëshë zhdukur nga territori i Shqipërisë me venddepozitime ilegale politike për interesa personash”, shtoi Rama.
Rama tha se qeveria ka bërë investimet më të mëdha që janë bërë ndonjeherë, si për menaxhimin e mbetjeve, edhe për ujin. “800 milionë euro ka investuar kjo qeveri bashkë me donatorët dhe vijojnë humbjet në rrjet e trajtimi i sektorit të ujit si sektor punësimi në ndërmarrje të mbingarkuara me njerëz që marrin rroga kot, ndërkohë që çdo vit rritet borxhi i bashkive. Është bërë rutinë kjo temë”, shtoi ai.
Duke u ndalur sërish te mbetjet, Rama tha se “kur bashkia e Lezhës ngrihet dhe çon mbetjet në Bushat, nuk ka asnjë tjetër që të pretendojë se është larg apo se ka kosto më të rëndë sesa venddepozitimet ilegale. E kuptoj shumë mirë që në fazën e sezonit, bashkitë bregdetare duhet të përballojnë një volum eksponencialisht më të lartë në raport me mundësitë që kanë, por për çfarë përdoren paratë që jepen për administrimin mizerabël të plazheve? Ku shkojnë ato para dhe si shpjegohet se pasi u jepen plazhet në administrim privatëve, ata vendosin shezlonët, çadrat, vënë tarifat dhe rëra apo zalli në Himarë janë të ndotura. Në Himarë, që është destinacion me fluks të jashtëzakonshëm njerëzish në sezon, në darkë duhet të ecësh përmes kazanëve të mbushur me plehra e të bashkëjetosh me muzikën në kupë të qiellit dhe me erën e plehrave”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se “ne do të vendosim një buxhet të veçantë për bregdetin në bashkëpunim me kryetarët e bashkive dhe do të ndajmë barrën me ta”.
“Qeveria do të mbështesë financiarisht, por nëse kryetarët e bashkisë nuk bëjnë atë që bën kryetari i bashkisë së Lezhës, përsëri problemi nuk do të zgjidhet, por do të mbetet si pingpong. Në një nga plazhet më të bukura të bashkisë Himarë kanë bërë këtë verë fotografi ku kope me kuaj dhe pushues rrinë bashkë. Pushuesit në çadra dhe kuajt rreth e rrotull plehrave”, tha ai.
“Duhet të shkojmë t’i lutemi kryetarëve të Belshit, Cërrikut, Peqinit, Gramshit, Përrenjasit që të çojnë mbetjet në pikën e përpunimit, në vend që t’i hedhin rrugëve. Jam dëshmitar dhe viktimë si një nga qytetarët e shumtë që shkoj në Dhërmi në periudhën e pushimeve. Një pedonale që përshkohet në këmbë dhe sikur Jorgua të çohej vetë herët dhe ta merrte vetë rrugën me trastë në dorë i mblidhte vetë ato. Por shikoj unë mbetjet, zgjoj Jorgon nga gjumi dhe pastaj vjen një dum-dum dhe bën sikur mbledh plehrat. Këto janë skena të jetuara në vetë të parë. Duke qenë se ju jeni të zgjedhur nuk bëj dot transferim të Pjerinit në Himarë dhe të çoja Jorgon në Lezhë. E para, nuk lejohet dhe e dyta, duhet të kemi dy Pjerinë dhe jo dy si Jorgoja”, shtoi Rama.
Po ashtu, Rama tha se zgjedhja e një operatori privat apo publik për pastrimin e plehrave është zgjidhje që secili bën vetë, pasi janë pjesë e autonomisë tuaj. Por te tarifat se mos kujton njeri që të rrisni tarifat do të thotë t’ua rrisni pensionistëve e familjeve te faturat e ujit. Jo, duhet t’ua rrisni atyre bizneseve që ndotin më shumë”, shtoi Rama.
Kryeministri tha se në mars Shqipëria do të ketë satelitin e saj në orbitë dhe një tjetër funksion i satelitit do të jetë edhe paraqitja e situatës me pastrimin në vend.
“Sateliti do të na tregojë në kohë reale situatën. Do të jetë pjesë e punës së satelitit informimi. Nuk do të ketë më nevojë për inspektorë. Të mos kemi më ndërmjetës. Pamjet do t’i keni në tavolinë. Por ama, as sateliti nuk na e pastron dot territorin”, tha Rama./ATA