Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot ambasadoren e Suedisë në Tiranë, Elsa Håstad.
Ambasadorja Håstad e uroi Nikollën për zgjedhjen në postin e Kryetares së Kuvendit dhe i përcolli gjithashtu përgëzimet e kryetarit të parlamentit të Suedisë, Riksdag-ut, Andreas Norlén, si edhe ftesën për një vizitë zyrtare në parlamentin suedez.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla vlerësoi nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit politik me Suedinë.
“Shqipëria i është mirënjohëse Suedisë për mbështetjen e plotë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Evropian, çeljen e negociatave dhe mbajtjen sa më shpejt të Tryezës së parë Ndërqeveritare. Suedia është mbështetësja më e madhe e të drejtave të grave e vajzave në Ballkanin Perëndimor dhe një kontribuese e emancipimit politik e shoqëror të vendeve të rajonit”, vuri në dukje Nikolla.
Nikolla vlerësoi gjithashtu solidaritetin dhe kontributin e Suedisë në konferencën e donatorëve, pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, si edhe mbështetjen e qeverisë suedeze për Strategjinë për Zhvillim dhe Bashkëpunim të Shqipërisë, mbështetjen e Agjencisë Suedeze për Zhvillimin dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në fushën e administratës publike, politikat mjedisore, promovimin e inovacionit, sipërmarrjes, bizneseve të reja etj.
Kryetarja Nikolla dhe ambasadorja Håstad biseduan edhe mbi disa aspekte të bashkëpunimit dypalësh midis Kuvendit dhe Riksdag-ut, rritjen e shkëmbimeve parlamentare dhe bashkëpunimin e grupeve parlamentare të miqësisë.