Muaji Shkurt, pavarësisht se konsiderohet si ndër më të qetët për shkak të uljes të volumit të pasagjerëve, regjistroi probleme me vonesat sidomos të disa kompanive ajrore që operojnë fluturime drejt Italisë, sipas buletinit mujor të Autoritetit të Aviacionit Civil,. Nga të dhënat zyrtare që vijnë nga sektori për të drejtat e pasagjerit, rezulton se numrin më të lartë të vonesave për këtë muaj, vijon ta ketë kompania “Fly Ernest”, që zhvillon disa fluturime ditore me Italinë. Nga të dhënat rezulton se kjo kompani ka regjistruar 7 vonesa për muajin e kaluar, disa prej të cilave mbi 3 orë, dhe deri në mbi 7 orë.
Kompanitë e tjera nuk kanë regjistruar probleme, kjo e lidhur edhe me numrin e ulët të pasagjerëve që kërkojnë të udhëtojnë. Kompania e dytë me problematike është “Adria Airways”, e cila ka anuluar një fluturim. Ndërkohë që kompania tjetër që operon me Italinë “Blue Panorama”, ka regjistruar vetëm një vonesë përgjatë muajit të kaluar.
Si të aplikoni për kompensim, më korrekte Blue Panorama
Numri i kompensimeve për muajin Shkurt është rritur me 100 kompensime më shumë krahasuar me muajin Janar. Aktualisht kompanitë ajrore kanë kompensuar me rreth 250 euro ose me bileta, rreth 800 pasagjerë që kanë plotësuar formularët e ankimimit për shkak të vonesave apo anullimit të fluturimit të tyre. Pritet që në total numri i kompensimeve të rritet edhe më shumë pasi rreth 1200 formularë të tjerë ankimimi janë pranuar nga kompanitë ajrore dhe janë në proces mbylljeje. Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar përsërit apelin ndaj gjithë pasagjerëve që kanë plotësuar formularët dhe i kanë dorëzuar, në mënyrë që të përfitojnë 250 eu kompensim, të komunikojnë me kompanitë që kanë plotësuar formularët sepse është e nevojshme verifikimi ose dërgimi i dokumenteve të nevojshme. Në rastet se ata do të hasin probleme, të kontaktojnë sektorin e të drejtave të pasagjerit të AAC në numrat e telefonit ose e-mailin si më poshtë.
Nga të dhënat zyrtare kompania që respekton të drejtën e pasagjerëve për kompensim mbetet Blue Panorama. Ndërsa më problematike mbetet kompania Fly Ernest me vetëm 96 të tilla, ndërkohë që renditet si kompania më problematike me numrin më të lartë të vonesave dhe anullimeve të fluturimeve. Kompania Wizz Air, gjithashtu ka kompensuar një numër të konsiderueshëm pasagjerësh të kompensuar duke shkuar në 74, pavarësisht se renditet ndër kompanitë më serioze në respektimin e orareve.
AAC i bën thirrje gjithë pasagjerëve që kanë plotësuar formularët e ankimimit dhe ka kaluar afati prej 6 javësh, që të rikontaktojnë përsëri kompanitë ajrore që kanë patur fluturimin për tu njohur me statusin e fluturimit të tyre. Në rast se kompania nuk i kthen asnjë përgjigje, atëherë të kontaktojnë me sektorin e të Drejtave të Pasagjerit të AAC-së në numrat e telefonit: +355 42 381 959 / +355 44 539 959 ose me email tek: [email protected] dhe do të marrin asistencën e nevojshme.
Ndarja e tregut
Referuar të dhënave zyrtare të ardhura në Autoritetin e Aviacionit Civil shifrat tregojnë një numër prej 222,113 pasagjerë të cilët kanë udhëtuar gjatë muajit Janar për/nga TIA.
Bazuar në të dhënat zyrtare, kompania ajrore “Blue Panorama” është mbizotëruese në treg duke mbuluar fluksin më të madh të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Janar 2019, me një numër prej 56,403 pasagjerë ose 25% të totalit. Ndjekur nga Ernest S.p.a me 18% ndaj totalit dhe 40,523 pasagjerë, duke vijuar me Albawings e cila zotëron tregun me 12% dhe 26,438 pasagjerë, përqindje kjo në rritje krahasimisht me muajt paraardhës. Grafiku i mëposhtëm paraqet fluksin e pasagjerëve që kanë udhëtuar përgjatë muajit Janar 2019, të ndarë sipas kompanive ajrore.
Mbizotëron Italia
Përqindjen më të madhe në tregun e transportit ajror për muajin Janar 2019 vazhdon ta zotërojë Italia, duke zënë 63% të totalit, ndjekur nga kompanitë Turke, me 9%.
Gjithashtu përgjatë muajit Janar përqindje të tregut ka marrë edhe Hungaria, e cila zotëron 6%, duke kaluar kështu dhe Austrinë e cila përgjatë dhjetorit ka 5% të tregut tonë. Nëse do te bënim krahasimin e tre viteve të fundit, trafiku ajror dhe fluksi i pasagjerëve, ka një rritje prej 4% gjatë Janarit 2019.
Fluksi
Përsa i përket rritjes/rënies së fluksit të lëvizjes së pasagjerëve për muajin Janar 2017-2018-2019, vëmë re se numri i pasagjerëve që kanë fluturuar me kompaninë Wizz Air ka shënuar një rritje prej 177% e krahasuar me Janarin e 2018, pasuar nga Albawings, me një rritje prej 52 %. Gjithashtu duket se ka një ngritje të dukshme edhe kompania Lufthansa me 18%, përqindje kjo e lartë duke marrë parasysh se përgjatë janarit të 2017 ka pasur një humbje prej 22% të fluksit. Kompania Blue Panorama, krahasuar me Janarin e 2018 ka humbur në treg me 16%, rënie për këtë kompani me 10% duket se ka pasur edhe Janari i vitit 2018 krahasimisht me Janarin e 2017./monitor