Kryeministri Edi Rama, Presidenti Serb Aleksandër Vuçiç dhe zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov janë takuar në Beograd mbrëmjen e sotme, ku do të zhvillohet ditën e nesërme takimi i radhës mes të tre vendeve që kanë firmosur për iniciativën e ‘Open Ballkan’. Si mikpritësi i kësaj radhe, Vuçiç nuk ka kursyer detaje nga vizita e kreut të qeverisë Shqiptare dhe zv.kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, të cilëve i shtroi edhe një darkë mikpritje. Kësaj darke iu bashkua edhe kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç, që po përfundon vizitën zyrtare në Serbi, e ndonëse kjo nuk konfirmon se vendi po i bashkohet nismës ‘Open Balkan’, mund të shihet si një hap drejt përfshirjes.
Vuçiç publikoi foto nga darka në Instagram, teksa shkroi se miqësi e tyre është miqësi për të ardhmen e të gjithë rajonit.
“Mbrëmje e mrekullueshme me miq nga rajoni Edi Rama, Zdravko Krivokapiç dhe Nikolla Dimitrov. Unë dhe Ana Brnabić u dhuruam mysafirëve tanë verëra të shkëlqyera serbe dhe guxuam t’i krahasonim me verëra shumë të mira franceze. Miqësia jonë është miqësi për të ardhmen e gjithë rajonit“, shkruan Vuçiç.
Ndërkohë, para darkës, liderët kanë bërë një xhiro në kryeqytet, ku Vuçiç i ka njohur me kullën e Beogradit.
“Me Edi Ramën dhe Zdravko Krivokpiqin, sonte po vizitoj Kullën e Beogradit. Më pas do të ketë një darkë pune ku do të diskutojmë për projektet e infrastrukturës. Mirë se vini në Beograd të dashur miq!“, shkruan Vuçiç teksa ka postuar një video.
Ditën e nesërme liderët do të takohen sërish, ku do të diskutohet mbi nismën e ‘Open Ballkan’.
Për shkak të dorëheqjes së Zoran Zaev, në vend të tij i pranishëm në Beograd është zv.kryeministri i Maqedonisë së Veriut Nikolla Dimitrov. Pak ditë më parë pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev, partia e të cilit pësoi një humbje turpëruese, u dorëhoq. Ai mori përgjegjësinë për këtë humbje, por tha se LSDM do të vazhdojë të qeverisë vendin, duke nënkuptuar se angazhimi e premtimet e bëra edhe në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të mbeten.
AXHENDA
PROGRAMI
08.55 Mbërritja dhe foto e përbashkët e zyrtarëve
09.00-10.00 Takimi i zyrtarëve me biznesmenë
10.00-10.30 Takimi i zyrtarëve me përfaqësues të Këshillit Atlantik
10.30-11.30 Takimi i Presidentit Aleksandar Vuçiç me Kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministrin Nikolla Dimitrov
11.30-12.30 Konferencë e përbashkët për shtyp e tre zyrtarëve