Një delegacion i udhëhequr nga diplomati i nivelit të lartë në State Department, David Hale, dhe një tjetër me këshilltarët e Angela Merkelit, do të vizitojnë Kosovën gjatë kësaj javës. Temat pritet të jetë të njëjta: taksa ndaj Serbisë dhe dialogu me Serbinë.
Edhe gjatë kësaj jave, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të mbajnë vëmendjen e shtuar në Prishtinë. Delegacioni me zyrtarë të lartë i kryesuar nga ndihmëssekretari i shtetit për Çështje Politike do të mbërrijë në Kosovë më 9 mars.
Hale pritet t’i takojë liderët shtetërorë, ashtu sikurse delegacioni amerikan nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë javën e kaluar.
Ky delegacion kërkoi heqjen e taksës nga qeveria. Takoi bashkërisht presidentin Hashim Thaçi e kryeministrin Ramush Haradinaj, të cilët më pas vetëm sa intensifikuan përplasjet mes tyre.
Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se turneu i Hale do të nis nga Mbretëria e Bashkuara, do të vazhdojë në Ukrainë pastaj në Serbi dhe në fund në Kosovë. Hale, sipas njoftimit, në Prishtinë e Beograd do të avokojë që palët t’i kthehen dialogut në mënyrë që t’i normalizojnë marrëdhëniet.
Sido që të jetë, as pas vizitës dyditore të delegacionit nga Shtëpia e Bardhë taksa nuk u hoq, ndërsa të dërguarit e Trumpit takuan edhe deputetë të opozitës, si dhe ekipin negociator të Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt. Zbutën të gjithë partnerët e koalicionit, por jo edhe Haradinajn, i cili këmbëngul se nuk do ta heq taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.
Dy ditë më vonë, më 11 mars, Express ka mësuar se krerët shtetërorë do të takohen edhe me dy këshilltarë të kancelares gjermane, Angela Merkel. Temat do të jenë të njëjta, dialogu e taksa.
Gjermania deri më tani ka qenë e ashpër rreth idesë së korrigjimit të kufijve, kundër së cilës ishte deklaruar edhe vetë Merkel.
Ndërkaq, shteti gjerman nuk ka bërë presion të vazhdueshëm për heqjen e taksës ndaj produkteve serbe, të vënë në nëntor të 2018’ës.
Ndryshe nga Gjermania, Shtetet e Bashkuara kanë rritur presionin për heqjen e taksës, ndërsa që nga letrat e presidentit Donald Trump, e deri në deklaratat e diplomatëve amerikanë, marrëveshja përmes ndryshimit të kufijve nuk shihet të jetë vijë e kuqe. /Express/