Qeveria do të përgjysmojë tatimin për pagat 40 deri në 50 mijë lekë.
Lajmin e bëri të ditur sot Kryeministri Edi Rama, i cili theksoi se nga ky vendim do të përfitojnë 60 mijë persona.
Niveli i pagës së patatueshme do të ndryshojë duke nisur nga data 1 korrik 2022.
Qeveria miratoi ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Për lehtësimin e barrës tatimore të shtresave në nevojë të popullsisë, me anë të këtij projektligji propozohet që tatimpaguesit me të ardhura nga paga nga 40,001 lekë/muaj deri në 50,000 lekë/muaj, të vijojnë të paguajnë 0 % tatim deri në shumën 30,000 lekë/muaj të ardhura nga paga, dhe ndryshe nga regjimi i mëparshëm, mbi shumën 30,000 lekë/muaj të paguajnë gjysmën e normës tatimore prej 13 %, pra 6.5 %.
Shuma e përfitimit është mesatarisht 11,700 lekë për tatimpagues/vit, ose në total 678 000 000 lekë/vit për të gjithë tatimpaguesit.
Në kuadër të lehtësimit të shtresës së mesme të popullsisë, në këtë projektligj është parashikuar ndryshimi i fashës së sipërme të taksimit progresiv.