Shqipëria ka krijuar për herë të parë hartat digjitale topografike të standardeve bashkëkohore, që i vijnë në mbështetje zhvillimit të qëndrueshëm dhe afatgjatë sektorëve ekonomiko-socialë të vendit.
Që nga viti 2017, qeveria shqiptare në bashkëpunim me qeverinë e Japonisë, përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA), mbështesin Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapacin (ASIG), për të zbatuar “Projektin për Informacionin Gjeohapësinor dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm të Tokës në Zonën Tiranë-Durrës”.
Objektivi kryesor i projektit është rritja e aktiviteteve të zhvillimit social dhe ekonomik në këtë zonë, duke shfrytëzuar hartat topografike digjitale në shkallë të gjerë. Projekti gjithashtu ka zhvilluar me sukses kapacitetin e prodhimit të hartave topografike dhe saktësinë e Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG).
Hartat topografike digjitale të shkallës 1:2000 që mbulojnë 300 km2 u krijuan nga një bashkëpunim i suksesshëm midis Autoritetit Shtetëror të Informacionit Gjeohapësinor (ASIG) dhe Ekipit të Projektit JICA që përfshin kompanitë lokale. Hartat janë në përputhje me direktivën BE INSPIRE dhe kanë rezolucion e saktësi të lartë.
Konferenca përmbyllëse e Projektit si dhe Konferenca Rajonale Ballkanike u mbajtën më 4 nëntor dhe 5 nëntor, për të ndarë rezultatet e arritura me palët e interesuara, agjencitë qeveritare, bashkitë, ambasadat e Japonisë në rajonin e Ballkanit, kompanitë lokale, etj., të cilët janë përdorues të mundshëm të hartave topografike digjitale të krijuara.
Ceremonia u zhvillua në selinë e ASIG-ut në Tiranë, ku morën pjesë Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Takada Mitsuyuki, përfaqësuesi Kryesor i Zyrës Ballkanike të JICA, Takeichi Jiro, Drejtori i Përgjithshëm i ASIG Lorenc Çala si dhe aktorë të tjerë të interesuar.
“Kemi kurorëzuar me sukses një projekt të rëndësishëm asistence teknike që Japonia ka zbatuar në Shqipëri në tre vitet e fundit. Jemi mbledhur sot për të ndarë së bashku me ju arritjet e kësaj sipërmarrjeje të rëndësishme, duke shpresuar shumë që ekspertiza dhe njohuritë e përfituara nga ky projekt si dhe produkti kryesor i tij, hartat topografike digjitale, do të ndihmojnë autoritetet shqiptare në punën e tyre të përditshme. , duke u dhënë atyre vlerë dhe lehtësim të proceseve që lidhen me planifikimin urban si dhe zhvillimin social dhe ekonomik të vendit”, tha ambasadori i Japonisë në Shqipëri, Takada Mitsuyuki.
Ai theksoi se, “Japonia ka bërë përpjekje të konsiderueshme për të promovuar ndërtimin e infrastrukturës cilësore jashtë vendit për zhvillim të qëndrueshëm, krah për krah me partnerët vendas në vendet në zhvillim”.
“Projekti i zbatuar në Shqipëri me ASIG, është i fundit i një gjerdani të çmuar me ekspertizë të çmuar që Japonia ka kontribuar në zhvillimin e Ballkanit Perëndimor. Unë jam veçanërisht i lumtur sot për të konstatuar këtë fakt”, deklaroi ambasadori.
Ndërsa vuri në dukje se, “sot jetojmë në epokën e teknologjisë së avancuar, e cila ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e menaxhimit dhe ofrimit të shërbimeve publike. Vështirësia qëndron në marrjen dhe zotërimin e këtyre teknologjive. Kjo është bërë e mundur nga JICA dhe Japonia dhe do të jemi shumë të lumtur të shohim që këto harta përdoren për të sjellë zhvillim në çdo cep të Shqipërisë, si dhe në rajonin e Ballkanit”.
Ndërsa drejtori Çala tha se “rreth 80 % e vendimmarrjes së Qeverisjes Qendrore dhe Vendore ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në territor dhe pasja e hartave topografike digjitale tanimë ndihmon jashtëzakonisht shumë në veprimtaritë planifikuese, zhvilluese dhe monitoruese të shumë institucioneve në Shqipëri”.
Ai tha se, hartat digjitale janë krijuar me mbështetjen e projektit JICA-n, i cili ka zhvilluar në Japoni, trajnime afatgjata dhe afatshkurtra për një pjesë të mirë të personelit të ASIG-ut, lidhur me teknologji të përparuara për mbledhjen e të dhënave, përditësimin dhe shfrytëzimin sa më të mirë të informacionit gjeohapesinor.
Të dyja konferencat nisën me fjalën hapëse të Ambasadorit të Japonisë në Shqipëri, Takada dhe drejtorit të përgjithshëm të ASIG, Lorenc Çala. Një ekspert nga Autoriteti i Informacionit Gjeohapësinor të Japonisë prezantoi një teknologji të re të quajtur “GSI Vector Map” e ndjekur nga ekspertë të tjerë japonezë të cilët prezantuan rastet e përdorimit të hartave digjitale topografike nga komunat në Japoni. ASIG prezantoi Gjeoportalin Kombëtar dhe mënyrën e sigurimit të të dhënave të krijuara nga ky projekt përmes gjeoportalit.
Gjatë Konferencës Rajonale për Informacionin Gjeohapësinor, rezultatet e projektit iu prezantuan përfaqësuesve të agjencive kombëtare të informacionit gjeohapësinor të Rajonit të Ballkanit Perëndimor, të cilët në të njëjtën kohë prezantuan planet e tyre të ardhshme dhe pritjet për asistencë teknike nga JICA.
JICA është Agjencia e Qeverisë së Japonisë, përgjegjëse për zbatimin e ndihmës dypalëshe nëpërmjet Bashkëpunimit Teknik, Huave ODA (të buta) dhe Ndihmës Grant. Deri më tani në Republikën e Shqipërisë, JICA ka shtrirë projekte të ndryshme në fushën e mjedisit, zhvillimit të sektorit privat dhe promovimit të shëndetësisë dhe turizmit.
Zyra e Ballkanit e JICA-s mbulon aktivitetet në 6 shtete në Ballkan: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë./ata