Anëtarët e presidencës kolektive të Bosnjës kanë ofruar garanci se nuk do të ketë përsëritje të përleshjeve etnike në kombin e plagosur nga lufta, tha të hënën një diplomat i lartë amerikan, pavarësisht tensioneve të thella të shkaktuara nga lëvizjet separatiste serbe të Bosnjës.
“Gjëja më e rëndësishme që ramë dakord me të gjithë bashkëbiseduesit me të cilët u takuam sot është se të gjithë jemi dakord që nuk do të ketë luftë dhe ky është mesazhi më i rëndësishëm”, tha zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit Gabriel Escobar pas takimeve të tij me Anëtarë të presidencës boshnjake, serbe dhe kroate.
“Dhe ky nuk është vetëm mesazhi që do të dëgjoni nga të gjithë liderët me të cilët takoj sot, por do ta dëgjoni këtë edhe nga liderët rajonalë”, shtoi ai.
Lufta e Bosnjës filloi në vitin 1992 kur serbët e Bosnjës, me ndihmën e ushtrisë jugosllave, u përpoqën të krijonin territore etnikisht të pastra me synimin për t’u bashkuar me Serbinë fqinje. Më shumë se 100,000 njerëz u vranë dhe miliona mbetën të pastrehë gjatë gjakderdhjes më të keqe në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore.
Lufta e viteve 1992-1995 vuri përballë njëri-tjetrit boshnjakët, të cilët janë kryesisht myslimanë, serbë dhe kroatë dhe përfundoi me marrëveshjen e paqes të sponsorizuar nga SHBA, që krijoi dy rajone – Republika Srpska dhe Federata Boshnjako-Kroate. Të dy rajoneve iu dha autonomi e gjerë, por disa institucione të përbashkëta u mbajtën duke përfshirë ushtrinë, gjyqësorin e lartë dhe administratën tatimore.
Vizita e Escobar vjen një javë pasi përfaqësuesi kryesor ndërkombëtar në Bosnje, diplomati gjerman Christian Schmidt, paralajmëroi se marrëveshja e paqes e vitit 1995 që ndaloi luftën e përgjakshme civile mund të shpërbëhej. Schmidt paralajmëroi gjithashtu se kombi ballkanik mund të shpërbëhet nëse komuniteti ndërkombëtar nuk frenon veprimet e kërcënuara separatiste nga udhëheqësi serb boshnjak dhe anëtari i presidencës Milorad Dodik.
Dodik kohët e fundit intensifikoi fushatën e tij, duke u zotuar se parlamenti serb i Bosnjës do të përgatisë deri në fund të nëntorit ligje që lejojnë krijimin e ushtrisë, autoritetit tatimor dhe gjyqësorit të vet./ Argumentum.al