Një intervistë e agjencisë italiane të lajmeve, ANSA me presidentin Vuçiç për gjoja njohjen e Kosovës shkaktoi konfuzion. Korrigjimi nuk vonoi. Deutsche Welle foli me gazetarin italian për keqkuptimin e ndodhur.
Në versionin e parë të intervistës së botuar të hënën në pasditen e vonë (04.03.), të cilin e shpërndau edhe agjencia e lajmeve serbe, Beta dhe agjencia franceze, AFP, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç aludonte me gjasë për njohjen e Kosovës. Intervista shkaktoi reagime të forta në Serbi dhe jashtë vendit. “Ne duhet fillimisht të gjejmë një kompromis, ne nuk mund ta njohim Kosovën pa marrë asgjë nga ana tjetër”, citohet me gjasë presidenti serb.
Por rreth dy orë më vonë, ANSA publikoi një korrigjim të intervistës, në të cilin ishte fshirë fjalia e presidentit serb për njohjen e Kosovës. Ndërkohë që agjencia Beta menjëherë e bëri korrigjimin e raportimit të saj, AFP vazhdoi me versionin e parë të intervistës në disa gjuhë, versione që u morën nga mediat në Gjermani dhe Francë. Të martën në mëngjes AFP publikoi variantin e korrigjuar.
Problem interpretimi
Sipas gazetarit Franco Quintano, korrespondent i ANSA-s në Beograd, i cili e intervistoi Vuçiçin, korrigjimi erdhi si pasojë e një keqinterpretimi. “Në marrëveshje me presidencën serbe, ne publikuam një korrigjim të versionit të parë të intervistës”, i tha Quintano Deutsche Welles. “Versioni i parë nuk ishte ai i duhuri. Ishte një problem i interpretimit, e mund të ndodhë me intervistat në gjuhë të ndryshme”, theksoi Quintano.
Në versionin e korrigjuar të intervistës, Vuçiç citohet të ketë thënë se “nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën, kjo do të ishte një katastrofë.” Vuçiçi përsëriti kushtin që Serbia të vazhdojë dialogun me Kosovën, heqjen e taksës 100% të vendosur nga Kosova për mallrat serbe. “Megjithëse duket e vështirë e nganjëherë edhe e pamundur, ne jemi të detyruar të gjejmë një kompromis, unë jam i sigurtë, se me ndihmën e miqve europianë dhe me mbështetjen e Rusisë, Amerikës, Kinës e vendeve të tjera ne mund ta gjejmë një zgjidhje.”