Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu pati një deklaratë për mediat këtë të premte. Deputeti propozoi hartimin e një projekt rezolute për të njehsuar sipas tij qëndrimin e Shqipërisë në lidhje me situatën në rajon pas tensioneve në Bosnje-Hercegovinë.
“Është situatë shqetësuese që duhet të na bëjë të jemi me një zë”, tha Mediu
“Rruga më e mirë për të proceduar është një rezolutë e Kuvendit ku përfshihet mazhoranca dhe opozita. Jam i hapur për ndryshime, por në thelb të jemi së bashku”, shtoi ndër të tjera ai.
Mediu tha ndër të tjera se beson dhe shpreson që Bosnja nuk është në prag lufte, por Shqipëria duhet të marrë masa parandaluese edhe si një vend që është në NATO.
Propozimet e Mediut:
1.Të ngarkojë qeverinë e Republikës së Shqipërisë në këshillim me partnerët tanë strategjikë dhe ta adresojë urgjentisht këtë problematikë në NATO.
2.Nëpërmjet delegacioneve të veta në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, t`a shpërndajë këtë rezolutë në këto asamble dhe t`a bëjë atë objekt debati atje, si dhe forumet e tjera ndërparlamentare.
3.I kërkon qeverisë, si anëtare e përkohëshme për dy vitet e ardhshme e Këshillit të Sigurimit të OKB, të përcaktojë qartësisht objektivat për rajonin dhe Kosovën.
4.Të shtohet mbështetja për Integrimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare, duke shpjeguar me theks të ri, se lënia e këtij shteti të ri jashtë, e ekspozon atë dhe rajonin me lehtësi përballë kërcënimeve ruso-serbe.
5.Të organizojë një forum ndërparlamentar Shqipëri – Mali i Zi – Kosovë – Maqedoni e Veriut, me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike parlamentare.