Genc Mlloja
Ndërsa sfidat globale ndaj njerëzimit po shtohen në aspekte të ndryshme duke vënë në sprova kërcënuese komunitetin ndërkombëtar dhe vetë planetin tonë, në harkun kohor shtator – nëntor të këtij viti ka tërhequr vëmendjen e të gjithë opinionit publik ndërkombëtar dhe të kancelarive diplomatike botërore një rritje e angazhimit të gjithanshëm të Republikës Popullore te Kinës, e veçanërisht të Presidentit të këtij vendi, Xi Jinping, për të kontribuar me alternativa të reja në përballjen me vështirësitë e shumta ekonomike, shëndetësore, klimatike, sociale, përfshi edhe sfida gjeopolitike. Janë të shumta propozimet konkrete, sugjerimet konstruktive dhe planet për veprim imediat të shtruara prej Presidentit Xi, që kanë ofruar zgjidhje realiste të problemeve në frymën e multilateralizmit dhe bashkëpunim reciprok të të gjithë fuqive të mëdha dhe ato më të vogla, që të gjetet gjuha e përbashkët duke vënë interesat e mbijetesës në mirëqënie e siguri të popujve në plan të parë në këto kohë kritike.
Janë të mirënjohura tashmë pjesëmarrjet autoritative plot kompetencë e argumente të Presidentit Xi në debatin e përgjithshëm të sesionit të vjeshtës të këtij viti të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, në mbledhjen e 15-të të Konferencës së Palëve të Konventës mbi Diversitetin Biologjik, në konferencën për Transportin Global të Qëndrueshëm të OKB-së dhe së fundi në takimin e nivelit të lartë të G20-s që u mbajt në Romë më 30-31 tetor.
Moto e të gjithë kësaj veprimtarie të ngjeshur dinamike diplomatike ka qenë fryma e rritjes së bashkëpunimit global për të mposhtur COVID-19 dhe pasojat e kësaj pandemie fatale e paparë që prej më shumë se 100 vitesh, rigjallërim të ekonomisë botërore që është përfshirë nga kriza më e madhe që pas Luftës së Dytë Botërore, përcaktim i strategjive afatgjatë për të përmirësuar qeverisjen globale dhe ndërtimin e një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për tërë njerëzimin.
Si veprimtaria më e fundit në serinë e gjatë të këtyre angazhimeve është rasti të evidentohen konkretisht disa tematika që shpalosi Presidenti Xi në takimin e G20-tës ku morën pjesë udhëheqës të 20 vendeve më të zhvilluara ekonomikisht të botës. Ky ishte takimi i parë ballë për ballë që nga fillimi pandemisë së COVID-19, i cili kishte në rend të ditës si tema të ‘nxehta’, që kërkojnë zgjidhje urgjente, ndryshimet klimatike, pandeminë e COVID-19 dhe rimëkëmbjen ekonomike globale. Në mënyrë të natyrshme pritshmëritë ishin të mëdha që të kërkoheshin rrugëdalje për të përballuar çfarë po ngjet si pasojë e ngrohjes së shfrenuar globale dhe për masa për veprime konkrete të bashkërenduara lidhur me luftën kundër pandemisë.
Në një videofjalim me temë “Veprim në solidaritet për një të ardhme të përbashkët” mbajtur në sesionin e parë të këtij takimi të nivelit të lartë, i 16-ti i G20-s, Presidenti Xi u bëri thirrje vendeve pjesëmarrëse të mbajnë si duhet përgjegjësitë e tyre ndërkombëtare, duke ngulur këmbë në zhvillimin e hapur e gjithëpërfshirës nëpërmjet bashkëpunimit me leverdi të ndërsjellë, funksionimit të multilateralizmit dhe ndërtimit të komunitetit me fate të përbashkëta të njerëzimit.
Lidhur me sfidat globale, Presidenti Xi shtjelloi qëndrimin e Kinës dhe shpalli një propozim prej pesë pikash në G20-tën, e krijuar në vitin 1999, e cila shërben si forum për bashkëpunimin ndërkombëtar për çështje ekonomike dhe financiare. Ai përfshin 19 vende – Argjentina, Australia, Brazili, Kanadaja, Kina, Franca, Gjermania, Japonia, India, Indonezia, Italia, Meksika, Rusia, Afrika e Jugut, Arabia Saudite, Koreja e Jugut, Turqia, Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.
Është për tu nënvizuar se anëtarët e këtij grupimi përbëjnë rreth 60 për qind të popullsisë së planetit dhe rreth 80 për qind të PBB-së globale, çka ka bërë që shumë udhëheqës botërorë dhe drejtues të organizatave ndërkombëtare, përfshi edhe Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres, të tërheqin vëmendjen edhe për detyrimet që kanë këta vende ndaj më të varfërve dhe planetit tokë në aspektin jetik kur, sikurse dihet, nuk ka ‘planet B’…
Xi, i cili ka qenë udhëheqësi i parë në botë që bëri thirrjen për ti kthyer vaksinat COVID-19 në një produkt global publik, ripërsëriti angazhimin e Kinës për të nxitur shpërndarje e akses të drejtë të vaksinave në të gjithë vendet duke mos lënë prapa më të varfërit. Kështu që pika e parë e 5 propozimeve të Kinës ishte solidariteti për bashkëpunimin antipandemik dhe në këtë kuadër kreu i shtetit kinez paraqiti Nismën Globale të Veprimit të Bashkëpunimit për Vaksinat.
Ndër elementët kryesorë të kësaj nisme janë forcimi i bashkëpunimit studimor për vaksinat, sidomos në studimin e prodhimin e vaksinave me vendet në zhvillim; shtimi i ofrimit të vaksinave ndaj vendeve në zhvillim për të arritur objektivin e OBSH-së për vaksinimin global para fundit të vitit 2022; mbështetja ndaj OBT-së për të marrë një vendim sa më parë për heqjen e të drejtave të pronësisë intelektuale të vaksinave, duke inkurajuar ndërmarrjet t’ua transferojnë teknologjinë vendeve në zhvillim; trajtimi i barabartë i vaksinave të ndryshme, në mënyrë që të nxitet njohja reciproke e vaksinave sipas listës së përdorimit emergjent të OBSH-së dhe ofrimi i ndihmës financiare për bashkëpunimin global të vaksinave, sidomos ndaj vendeve në zhvillim për të zotëruar vaksinat.
“Deri tani, Kina ka ofruar mbi 1.6 miliard vaksina për mbi 100 vende e organizata ndërkombëtare. Pritet që sivjet kjo shifër t’i kalojë 2 miliardët. Tani Kina po zhvillon prodhimin e përbashkët të vaksinave me 16 vende dhe po negocion me 30 vende për partneritet bashkëpunimi për vaksinat në kuadër të ‘Një brez, një rrugë’. Kina është e gatshme të punojë me palët e ndryshme për të kontribuar për krijimin e vijës mbrojtëse antiepidemike, duke ngritur nivelin e zotërueshmërisë dhe përballueshmërisë së vaksinave prej vendeve në zhvillim”, theksoi presidenti kinez.
Propozimi i dytë përqendrohet në forcimin e bashkërendimit më të mirë të rimëkëmbjes së qëndrueshme të ekonomisë botërore përballë pasojave komplekse të COVID-19. Në këtë kuadër Xi vuri në dukje se G20-ta duhet të luajë rolin e saj si forumi kryesor për bashkëpunim ekonomik ndërkombëtar dhe të shkallëzoje bashkërendimin e politikës makroekonomike midis ekonomive të mëdha dhe të shmang kalimin e pasojave negative mbi vendet në zhvillim. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të Grupit që të nxisin zhvillimin e infrastrukturës në mënyrë që ajo të luaj një rol të rëndësishëm në rritjen ekonomike. Me këtë rast ai deklaroi se Kina është e gatshme të bashkëpunojë me palët e ndryshme për të nxitur ndërtimin e ‘Një brez, një rrugë’, duke i sjellë botës më shumë rezultate të dukshme.
Propozimi i tretë trajton zhvillimin e përbashkët dhe gjithëpërfshirës dhe në këtë funksion, sipas Xi-së, G20-a duhet të vërë në jetë iniciativën e vet për të mbështetur industrializimin e Afrikës dhe vendeve më të pazhvilluara. Ekonomitë e zhvilluara duhet të mbajnë premtimet e tyre për ndihmën përkatëse, duke u ofruar vendeve në zhvillim më shumë burime zhvillimi.
Fjalimi i Xi-së nuk është i bazuar vetëm në të tashmen, por ka një perspektivë afatgjatë sepse sikurse ai e bëri të qartë ndërsa merren masa për të përballuar pasojat e pandemisë, G20-ta ka nevojë të përmirësojë më tej sistemin dhe rregullat e qeverisjes ekonomike globale.
Nxitja e inovacionit dhe eksplorimi i motorëve të zhvillimit ishte propozimi i katërt dhe në këtë aspekt, sipas Xi-së, G20-a duhet të formulojë rregulla mbi bazën e pjesëmarrjes së plotë dhe konsensusit të gjerë, për të krijuar një mjedis të mirë për zhvillimin e drejtuar nga inovacioni.
“Ndarja ideologjike është e dëmshme për inovacionin shkencor dhe teknologjik, e nuk sjell asnjë dobi,” vuri ne dukje Xi. Ai njoftoi se Kina ka vendosur të aplikojë për t’u integruar në Marrëveshjen e Partneritetit të Ekonomisë Dixhitale dhe është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të promovuar zhvillimin e shëndetshëm dhe të rregullt të ekonomisë dixhitale.
Ndërkohë propozimi i pestë trajton bashkëjetesën harmonike, të gjelbër dhe të qëndrueshme, çka dëshmon kujdesin që i kushtojnë Kina e udhëheqja e saj me presidentin Xi ne krye, planetit tokë duke nxitur ndërtimin e një komuniteti jetësor për njeriun dhe natyrën. Sipas këtij propozimi, G20-a duhet të mbështesë parimin e përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme, të promovojë zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Parisit për të trajtuar ndryshimet klimatike dhe të mbështesë Konferencën e 26-të të Palëve të Konventës Kuadër të OKB-së për Ndryshimet Klimatike dhe konferencën e 15-të të Konventës për Diversitetin Biologjik të zhvillohen me sukses.
Në këtë propozim vihet theksi se vendet e zhvilluara duhet të japin shembull për çështjen e reduktimit të lëshimeve, të kujdesen për vështirësitë e shqetësimet e veçanta të vendeve në zhvillim, të zbatojnë angazhimet për financimin e klimës dhe të ofrojnë mbështetje për vendet në zhvillim në fushat e zhvillimit të teknologjisë dhe të forcimit të kapaciteteve.
Sipas propozimit Kina do të përpiqet të arrijë kulmin e karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri në vitin 2060. ‘’Ne do të mbajmë premtimet tona dhe do të bashkëpunojmë me vendet e tjera për të ndjekur rrugën e zhvillimit të gjelbër, me lëshim të ulët karboni dhe të qëndrueshëm”, vuri në dukje Xi.
Kohët e fundit, Kina paraqiti Nismën e Zhvillimit Global për të nxitur zhvillimin më të fuqishëm, më të gjelbër e më të shëndetshëm të botës. Në takimin e nivelit të lartë, presidenti Xi e mirëpriti G20-n të marrë pjesë në këtë nismë dhe sqaroi konceptin konkret të saj, duke përfshirë ruajtjen e zhvillimit si përparësi, ndërmarrjen e veprimeve konkrete dhe krijimin e marrëdhënieve të partneritetit me përfitime të përbashkëta. Këto pika përputhen me thelbin e “Deklaratës së Samitit të Romës të G20-s” dhe janë në favor të realizimit të Objektivave të OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm deri në vitin 2030.
Në këtë kontekst eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare i Institutit të Shkencave Politike të Parisit, Bertrand Badie u shpreh se Kina ka luajtur një rol aktiv për nxitjen e rimëkëmbjes ekonomike globale dhe të zhvillimit të tregtisë shumëpalëshe. Nga ana tjetër, mjafton të kujtojmë se Kina arriti të realizojë me sukses zhdukjen e varfërisë absolute në një vend strehë e një popullsie prej 1.4 miliard njerëzish. Këtë objektiv të miratuar nga OKB-ja ajo e plotësoi një dekadë para afatit të vënë që është viti 2030. E fatkeqësisht perspektivat në zhdukjen e varfërisë po bëhen më të zymta për shumë vende në zhvillim si pasojë e katastrofave më të fundit shëndetësore dhe natyrore.
Në një koment në një bisedë televizive ndërsa ishte në takimin e G20-tës si përfaqësues i posaçëm i presidentit Xi Jinping, Këshilltari i Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi vuri në dukje lidhur mbi çështjet klimatike se deklarimet e presidentit Xi transmetojnë mençurinë kineze për të gjithë vendet për të eksploruar modernizimin e bashkekzistencës së njeriut dhe natyrës, dhe ka fituar mbështetje dhe vlerësim të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.
“Si vendi më i madh në zhvillim, Kina i kushton një rëndësi të madhe ndërtimit të qytetërimit ekologjik dhe ka qenë gjithmonë pjesëmarrëse, kontribuese dhe lider në veprimet globale për të adresuar ndryshimet klimatike”, deklaroi Wang intervista e të cilit në Romë me qarqe të rëndësishme mediatike trajtoi pikëpamjet e Kinës, që u paraqitën nga Presidenti Xi në G20. Në të njëjtën kohë Wang elaboroi iniciativat dhe propozimet e rëndësishme të bëra prej Presidentit si dhe rëndësinë dhe influencën e tyre për njerëzimin.
Takimi i G20-tës u mbajt në prag të sesionit të 26-të të Konferencës së Palëve (COP26) në Konventën Kuadër të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike, që filloi punimet në Glaskou më 31 tetor dhe do të vazhdojë punimet deri më 12 nëntor.
Në një deklaratë me shkrim drejtuar Konferencës, që u shpërnda më 1 nëntor, President Xi Jinping deklaroi: “Kur bëhet fjalë për sfidat globale si ndryshimet klimatike, multilateralizmi është receta e drejtë”. Më poshtë ai shtoi se vizionet do të bëhen realitet vetëm kur veprohet lidhur me ta.
“E udhëhequr nga vizioni i një komuniteti të jetës për njeriun dhe natyrën, Kina do të vazhdojë t’i japë përparësi ruajtjes ekologjike dhe të ndjekë një rrugë të gjelbër dhe me karbon të ulët drejt zhvillimit. Ne do të nxisim një sistem ekonomik të gjelbër, me karbon të ulët dhe rrethor me një ritëm më të shpejtë, do të vazhdojmë rregullimin e strukturës industriale dhe do të frenojmë zhvillimin joracional të projekteve me intensitet energjie dhe me emetime të larta. Ne do të përshpejtojmë kalimin në energjinë e gjelbër dhe me karbon të ulët, do të zhvillojmë fuqishëm energjinë e rinovueshme dhe do të planifikojmë dhe ndërtojmë termocentrale të mëdha të erës dhe fotovoltaike,” theksoi Xi në deklaratën e tij.
Duke iu referuar mençurisë së kinezëve të lashtë Xi vuri në dukje se ai beson se qeverisja e suksesshme mbështetet në veprime solide. “Shpresoj se të gjitha palët do të ndërmarrin veprime më të forta për të trajtuar së bashku sfidën klimatike dhe për të mbrojtur planetin, shtëpinë e përbashkët për të gjithë ne”, përfundonte deklarata.
Po a kanë ecur të gjithë vendet e mëdha në një hap si Kina, fuqia e dytë me e madhe ekonomike në botë, lidhur me aspektet globale të klimës, pandemisë dhe shumë probleme të tjera globale, që shqetësojnë njerëzimin?
Mjafton të sjellim në vëmendje qëndrimin e fundit obstruksionist të SHBA, si fuqia e konsideruar më e madhe botërore, lidhur me Marrëveshjen e Parisit mbi Klimën në vazhdën e shumë oshilacioneve të tyre jo vetëm për këtë çështje, që shqetësoi tërë komunitetin ndërkombëtar, por edhe aleatët e tyre më të ngushtë, veçanërisht Francën si iniciatore e saj.
Të gjetur përballë një zgjerimi të frontit ndërkombëtar në kuadër të ndryshimeve klimatike Presidenti amerikan Joe Biden u detyrua të kërkojë falje të tërthortë për tërheqjen e vendit të tij nga Marrëveshja e Parisit mbi Klimën në Konferencën e 26-të të Palëve për Ndryshimin e Klimës (COP26) të Kombeve të Bashkuara në Glaskou. “Po mendoj se nuk duhet të kisha kërkuar falje, por unë kërkoj falje”, deklaroi ai i cituar nga shtypi amerikan.
I pyetur nga mediat lidhur me këtë kërkim ndjese të presidentit amerikan Biden, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin tha me 3 nëntor se SHBA-ja, si lëshuesja më e madhe e gazit serë, duhet të përballet me përgjegjësinë e tyre historike dhe të udhëheqin në përmbushjen e detyrimeve për uljen e lëshimeve. “Shpresojmë që SHBA-ja të dalë me një plan zbatimi dhe udhërrëfyes konkret për përgjysmimin e lëshimeve të gazit serë deri në vitin 2030 sa më shpejt të jetë e mundur”, theksoi Wenbin.
Ndërkohë Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, tha më 2 nëntor se trajtimi i ndryshimeve klimatike kërkon angazhim të vendosur dhe veprime të vazhdueshme, jo parulla boshe. Zhang shkroi në rrjetet sociale se në trajtimin e ndryshimeve klimatike, ajo që botës nuk i duhet janë parullat boshe, politikat gjithnjë në ndryshim, autokolonat luksoze, apo ekspozimi i papërgjegjshëm i njerëzve ndaj infeksionit. “Kina ka mbështetur me zell Aksionin Klimatik. Nuk jemi ne ata që u tërhoqën nga Marrëveshja e Parisit”, theksoi Ambasadori kinez në OKB në komentin e tij.
Si takimi i G20-tës ashtu edhe konferenca e Glaskout kanë qënë dëshmitë më të fundit se secili vend, veçanërisht fuqitë e mëdha, duhet të marrin përsipër përgjegjësitë që u takojnë dhe të ndërmarrin veprime konkrete, jo të bëjnë premtime boshe në formë paradash. E për më tepër zëri më i fuqishëm në rritje i komunitetit ndërkombëtar për ‘veprime globale në mënyrë globale’ po dëshmon dita-ditës se është konsumuar praktika e fajësimit të të tjerëve dhe ideologjizimi i sfidave, çka nuk ka sjellë dobi. Popujt presin lidership të vërtetë për veprime me plane urgjente, afatgjatë dhe konkrete, dhe Kina i ka shtruar për diskutim e veprim ofertat dhe propozimet e saj sikurse ndodhi edhe në takimin e nivelit të lartë të G20-tës në Romë.