Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se në procesin e sotëm zgjedhor kanë votuar 37.88% e qytetarëve me të drejtë vote.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka thënë se në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit.
Rreth 38 për qind e afro 1 milion e 270 mijë qytetarëve më të drejtë votë morën pjesë në zgjedhjet e së dielës për kryetarët e 21 komunave. Shtatëmbëdhjetë komuna zgjodhën kryetarët e tyre në raundin e parë, që u mbajt më 17 tetor.
Mbi 10 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtare ndoqën procesin e votimeve dhe sipas tyre “procesi nuk është peshkuar nga ndonjë incident serioz brenda vendvotimeve, që do të mund ta cenonte integritetin apo besueshmërinë e tij”.
Tashmë ka filluar numërimi i votave dhe rezultatet paraprake priten gjatë orëve në vijim.
Në raundin e parë, Partia Demokratike e Kosovës, fitoi në katër komuna e pasuar nga Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që fituan nga dy.
Lista Serbe, subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, që mbështetet nga Beogradi, fitoi 9 nga dhjetë komunat ku shumicë janë pjesëtarët e këtij komuniteti.
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk fitoi asnjë post për kryetar komune në raundin e parë, ndërsa sot ishte në garë në 12 komuna, përfshirë edhe Prishtinën.