‘Shkollat për Shëndetin’ nis veprimtarinë për promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjeve tek nxënësit e shkollave
Një projekt i ri do të promovojë stile jetese të shëndetshme në mënyrë që të zvogëlojë rrezikun e sëmundjeve jo të transmetueshme midis nxënësve të shkollave dhe komuniteteve përreth tyre. Në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC do të punojë me shkollat, drejtoritë e arsimit dhe shëndetësisë si dhe bashkitë gjatë katër viteve të ardhshme.
“Jam e kënaqur që sot jam këtu në këtë zanafillë të projektit ‘Shkollat për Shëndetin’ që do ta konsideroja si një program të mirëfilltë të edukimit shëndetësor në shkolla. Jam e bindur që ky projekt do të na japi disa baza shumë të mira informacioni përsa i përket zhvillimit të fëmijëve, zhvillimin fizik por edhe atë mendor të tyre”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu.
“Ky projekt vjen në një moment shumë të rëndësishëm kur të gjithë ne jemi ndërgjegjësuar më shumë se kurrë dhe e kemi kuptuar më shumë se kurrë që shëndeti është i pari. Duhet të angazhohemi të gjithë për të pasuruar kurrikulën tonë me promovimin e sjelljeve të shëndetshme por edhe për të trajnuar burimet tona njerëzore”, tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi.
“Bashkëpunimi midis Zvicrës dhe Shqipërisë në sektorin e shëndetësisë shënon sot një rrugëtim të ri: ne nisim përpjekjet tona të përbashkëta për të promovuar sjellje të shëndetshme me fokus të veçantë tek fëmijët e shkollave. Kjo vazhdon punën tonë të përbashkët në kujdesin shëndetësor parësor përfshirë edhe përgjigjen ndaj Covid-19”, tha Ambasadori zviceran Adrian Maître.
Nxënësit e moshës 6-15 vjeçare, familjet e tyre dhe komunitetet në përgjithësi janë objektivi kryesor i projektit dhe do të pajisen me aftësitë dhe njohuritë e nevojshme për të reduktuar ekspozimin ndaj faktorëve të rrezikut të sëmundjeve jo të transmetueshme si duhani, ushqyerja jo e shëndetshme, mungesa e aktivitetit fizik si dhe konsumimi i alkoolit. “Shkollat për Shëndetin” do të trajtojë sfidat e reja që solli pandemia COVID-19 si dhe shëndetin mendor, shëndetin seksual dhe riprodhues, mjedisin dhe higjienën.
Mësuesit dhe autoritetet shkollore do të jenë aktorët kryesorë në mundësimin e sjelljeve dhe praktikave të shëndetshme për nxënësit e shkollës. Rreth 120 shkolla do të mbulohen me aktivitete të drejtpërdrejta në terren – afërsisht 11% e shkollave të Shqipërisë – por të gjitha shkollat 9-vjeçare në Shqipëri do të përfitojnë nga një sërë ndërhyrjesh online si dhe nga mbështetja ndaj strategjisë së re kombëtare të promovimit të shëndetit.
Projekti do të ndihmojë institucionet kombëtare dhe bashkitë që të përcaktojnë dhe zbatojnë politika që nxitin shëndetin mes fëmijëve dhe komuniteteve.
‘Shkollat për Shëndetin’ (S4H) është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC, dhe do të zbatohet nga Save the Children, një organizatë ndërkombëtare me një përvojë të gjerë në punën me fëmijët në Shqipëri për mbi 20 vjet.
Sëmundjet jo të transmetueshme në Shqipëri janë përgjegjëse për 93% të të gjitha vdekjeve. Sjelljet e pashëndetshme dhe mungesa e njohurive për praktikat e mira shëndetësore janë shkaku kryesor i këtyre sëmundjeve. Shkollat kanë një rol thelbësor për të ndihmuar fëmijët të adoptojnë sjellje dhe praktika më të shëndetshme si dhe të parandalojnë sëmundjet.