Në 30-vjetorin e rënies së Vukovarit në duart e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe paraushtarakëve serbë, banorë vendas dhe kroatë që luftuan për të mbrojtur qytetin kujtojnë rrethimit shkatërrues tre-mujor dhe pasojat brutale të tij.
Ushtria Popullore Jugosllave, e ndihmuar nga forcat e Mbrojtjes Territoriale Serbe dhe paraushtarakë nga Serbia, filloi një sulm të plotë në Vukovar në Kroacinë lindore më 25 gusht 1991, duke filluar një rrethim që do të zgjaste për 86 ditë dhe do të linte rreth 3,000 ushtarë dhe civilë të vdekur para se mbrojtësit e qytetit të duhej të dorëzoheshin.
Kur filloi rrethimi, shumë nga banorët e qytetit, veçanërisht gra, fëmijë dhe të moshuar, zbritën në bodrumet e tyre për t’u fshehur nga bombardimet e artilerisë, zjarri i tankeve dhe sulmet ajrore.
Manda Patko jetonte me burrin dhe vjehrrën në rrugën Bogdanovacka në lagjen Milovo Brdo të Vukovarit. Nga fundi i gushtit 1991, ajo dhe vjehrra e kaluan shumicën e kohës duke u fshehur në bodrumin e tyre, pasi shtëpia e tyre u bë shpejt e pabanueshme për shkak të dëmeve të mëdha nga granatimet.
“Nuk mund të dilje jashtë apo të flisje me fqinjët e tjerë, pasi shtëpia jonë ishte larg shtëpive të tjera dhe predhat binin në rrugë gjatë gjithë kohës. Kishte ditë që nuk dilje dot as nga bodrumi. Numëroja predhat. Nëse numëroja gjashtë, zakonisht ndalonte ose vazhdonte. Nëse ndalonte, dilja nga bodrumi për të shkuar në tualet në kopsht. Merrja ujë te fqinjët tanë gjatë një prej atyre ndërprerjeve të granatimeve”, tha Patko.
Iva Radiç ishte tetë vjeçe në 1991, me një baba kroat dhe nënë serbe, dhe jetonte në lagjen Sajmisten. Ashtu si Patko, ajo u fsheh në bodrum.
“E gjithë lagjja vinte në bodrumin tonë, me prejardhje të ndryshme etnike: kroatë, serbë, rutenë, sllovakë… Në lagje kishte bodrume ku kishte vetëm kroatë dhe bodrume ku kishte vetëm serbë. Megjithatë, i yni ishte i vetmi ku ishin të gjithë”, kujton Radiç.
Pasi pjesa kroate e familjes Radiç, që jetonte në qytetin bregdetar të Splitit, refuzoi t’i pranonte, ata ikën në Serbi më 7 shtator.
“Ne u arratisëm përmes një rruge në fushat e misrit në një kolonë prej shtatë makinash. Rrugës, ZNG (Garda Kombëtare Kroate) na ndaloi dhe na kontrolloi, por na la të shkojmë. Kaluam pranë postblloqeve të mbajtura nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët e tjerë serbë. Më vonë dëgjuam se po atë mbrëmje ajo rrugë ishte zënë, që do të thotë se u arratisëm në momentin e fundit”, tha ajo.
Jelena Zera, e cila ishte dhjetë vjeçe dhe jetonte në të njëjtën lagje, kujton një sulm masiv me tank më 5 shtator.
“Deri atëherë, ne ishim ende të gjithë në shtëpitë tona. Nuk e kuptuam që Ushtria Popullore Jugosllave ishte shumë pranë. Vetëm kur ata erdhën 20-30 metra larg shtëpisë, ne kuptuam se ishte një sulm me tank. Nëna, gjyshja dhe vëllai i madh mblodhëm shpejt gjërat që na duheshin më shumë dhe dolëm me vrap nga shtëpia, duke ikur prej tyre, drejt makinës sonë që ishte parkuar pak më larg. Ndërsa vraponim, u qëlluam me mitraloza nga tanket. Ishim shumë me fat që nuk na goditën”, kujton Zera.
Rezistencë urbane e improvizuar
Një ushtar kroat në një shtëpi të shkatërruar pranë Vukovarit një ditë para se të binte Vukovari në nëntor 1991. Foto: EPA/PAUL JENKS.
Përveç komandantëve kroatë Mile “Skifter” Dedakoviç dhe Branko “Skifteri i ri” Borkoviç, një nga njerëzit që organizoi mbrojtjen e qytetit ishte Danijel Rehak, titulli i të cilit ishte Sekretar për Mbrojtjen e Popullit për Qarkun e Vukovarit.
“Shumica e njerëzve të vrarë gjatë atyre muajve ishin ata që u vranë në rrugë apo edhe në makinat e tyre, pasi copëzat e predhave do t’i vrisnin kur një predhë godiste betonin”, tha Rehak.
Mbrojtja e Vukovarit u organizua duke përdorur vullnetarë nga qyteti dhe gjetkë në Kroaci, të cilët ngritën pozicione të fortifikuara mbrojtëse në vende strategjike. Ilija Ackar erdhi në Vukovar më 26 shtator si pjesë e një grupi të Forcave Kroate të Mbrojtjes, luftëtarë të HOS – anëtarë të një njësie paraushtarake nën kontrollin e Partisë Kroate të të Drejtave të ekstremit të djathtë, HSP.
“Nuk kishte divizione siç ekziston në ushtritë e rregullta, por ne kishim pikat mbrojtëse, siç i quanim ne. Na vendosën pas një rreshti shtëpish. Në fund të tyre kishte kopshte të vogla dhe më pas një fushë e madhe misri. Ne hapnim zjarr ndaj çfarëdo që dilte nga ajo arë misri.ai që qëllonte i pari ishte ai më me fat”, tha Ackar.
Në tetor, Marin “Miso” Krajnoviç iu bashkua luftimeve në rrugën Hercegovacka në lagjen e tij të Borovo Naselje. Përveç ndihmës si luftëtar, ai dha ndihmën e parë për ushtarët e plagosur, pasi kishte marrë disa trajnime mjekësore gjatë shërbimit të detyrueshëm në Ushtrinë Popullore Jugosllave.
“Kjo përfshinte fashimin e plagëve, ndalimin e gjakderdhjes dhe organizimin e transportit për në spital, si disa ndihma bazike. Ne morëm fasha dhe gjërat më elementare për dezinfektimin e plagëve nga klinika lokale”, shpjegoi Krajnoviç.
Ndërsa mbrojtësit e Vukovarit luftonin kundër Ushtrisë Popullore Jugosllave të pajisur mirë në rrugët e qytetit, Krajnoviç e gjeti luftën urbane një përvojë tronditëse.
“Vetëm kur i pashë vetë luftimet, kuptova se sa të fuqishme ishin armët e tyre. Ata hodhën një predhë, duke shkatërruar një shtëpi që shërbente si mbulesë, duke hedhur në erë personin dhe shtëpinë. E kupton që një mur nuk është aspak mbrojtje, pasi plumbat e shpuan anë njësoj si të kishin para një copë djathë. Copëzat e predhave prenë një shtyllë metalike në gjysmë si të ishte një degë peme. Duke parë këtë, filluam të hapnim llogore, pasi kjo ishte mbrojtja e vetme e duhur”, tha ai.
Spitali bëhet shënjestër
Jelena Zera duke parë nga dritarja e një autobusi ndërsa largohet nga spitali i Vukovarit në nëntor 1991. Foto kortezi e Jelena Zera.
Pasi u larguan nga lagjja e tyre nga luftimet, familja e dhjetëvjeçares Jelena Zera vendosi të transferohej në spitalin në Vukovar, afër qendrës së qytetit, pasi babai i saj drejtonte një ambulancë atje. Ata jetuan në një klinikë në spital, së bashku me gra dhe fëmijë të tjerë, derisa qyteti ra në nëntor.
“Të plagosurit vinin në spital deri ditën e fundit, njerëzit po vdisnin. I pamë të gjitha këto ndërsa ecnim nëpër spital. Është pothuajse qesharake ta thuash, por spitali ishte sheshi ynë i lojërave. Je dhjetë vjeçe dhe çfarë duhet të bësh? Kalonim mes të plagosurve, bisedonim me ta… Vizitonim fëmijët e plagosur për të parë u dhembnin plagët”, kujton Zera.
Spitali së shpejti u sulmua nga Ushtria Popullore Jugosllave.
“Bombat binin në spital gjatë gjithë kohës. Ai ishte dëmtuar rëndë nga sulmet e vazhdueshme. Spitali ishte mbuluar me vrima predhash, pjesë të tij digjeshin në disa raste. Disa dhoma ishin krejtësisht të papërdorshme dhe njerëzit ishin të detyruar të qëndronin në korridore”, tha Zera.
Si infermiere në spitalin e Vukovarit, Agneza Aksentijeviç mori pjesë në operacione të shumta mbi civilët e plagosur gjatë rrethimit dhe nuk u largua nga ambientet e spitalit nga shtatori deri në nëntor.
“Kudo që duheshin operuar plagë lufte, unë isha aty. Nga rreth 1,000 njerëz që punonin atje para vitit 1991, ishim vetëm rreth 350 veta dhe 120 infermierë. Kemi punuar gjatë gjithë kohës gjatë rrethimit… pa pajisje mjekësore dhe pajisje të tjera, pa energji elektrike, me qirinj dhe llamba me bateri. Gjithçka bëhej në dhomat e përkohshme të operacionit në bodrum”, kujton Aksentijeviç.
E rrethuar nga të gjitha anët, mbrojtja e qytetit po shkatërrohej nga fundi i tetorit, me rezerva ushtarake të varfëruara dhe humbje të rënda njerëzore. Edhe pse shumë komandantë ishin të vetëdijshëm se mbrojtja ishte e dënuar pa ndihmë të madhe nga jashtë, ata e fshehën këtë nga ushtarët e tyre për të ruajtur moralin.
“Edhe kur mbrojtja e qytetit po dëmtohej, shumë njerëz nuk e dinin se çfarë po ndodhte. I vizitoja të plagosurit dhe ata më pyesnin se si ishte situata. Unë përgjigjesha: “Do t’i vrasim të gjithë. Ata s’kanë asnjë shans”, tha Rehak.
“Ishte e qartë që në fillim se Vukovari nuk do të ishte në gjendje të mbrohej. Megjithatë, ne besuam në negociatat e paqes të ndërmjetësuara nga Zagrebi. Kjo është arsyeja pse ne, si komandantë të nivelit më të ulët, pothuajse i gënjyem ushtarët tanë se duhet të rezistonim edhe një ditë, pastaj edhe një ditë”, tha Ackar.
“Vukovari nuk mund të mbrohej. Ne ishim shumë afër vijave të armikut për të kryer ndonjë ofensivë serioze. Ishim të pozicionuar në njërën anë të një shtëpie ndërsa ata do të ishin në anën tjetër. Ata po shembnin muret një nga një për të arritur tek ne. Nuk ishte as një luftë e rregullt, ku e di se ku është armiku yt. Këtu, në Vukovar, linjat tona u mbivendosën”, shtoi ai.
Ushtria Popullore Jugosllave, e ndihmuar nga Forcat e Mbrojtjes Territoriale të udhëhequra nga serbët dhe paraushtarakët serbë, ngadalë prenë linjat e mbrojtjes së qytetit, duke rrethuar forcat kroate. Së shpejti disa pjesë të qytetit u shkëputën nga të tjerat dhe ranë nën kontrollin serb. Ndërsa jetonin pranë një kazerme të Ushtrisë Popullore Jugosllave, Patko, burri dhe vjehrra e saj u kapën më 8 nëntor.
“Rezervistët që na kapën donin të na qëllonin pranë një shkolle aty pranë. Një rezervist, i cili tha se ishte nga Valjeva, në Serbi, tha se donte të na qëllonte… Burri im dhe unë po shikonim njëri-tjetrin në sy, ndërsa ai kishte gishtin te këmbëza”, tha Patko.
“Pastaj, në momentin e fundit, na shpëtoi një burrë që tha se ishte oficer i Ushtrisë Popullore Jugosllave, i cili papritmas mbërriti atje dhe i urdhëroi rezervistët të na transferonin në Velepromet (kampi i përkohshëm i të burgosurve në Vukovar)”, shtoi ajo.
“Tim shoq e çuan për pak kohë për ta marrë në pyetje në Velepromet. Pasi u kthye, ai tha se do ta çonin në kazermën e UPJ-së për ta marrë në pyetje. Nuk e pashë më pasi u mor për ta marrë pyetje herën e dytë. Deri më sot, nuk i kam gjetur ende eshtrat e tij.”
Ndërsa njësitë kroate filluan të humbin territorin dhe të tërhiqeshin pas, ato shpresonin se do të arrinte një forcë për t’i ndihmuar.
“Deri në fund të tetorit, në fillim të nëntorit, kur filluam të tërhiqemi, ne besonim te fitorja. Edhe atëherë, ne vazhdonim të besonim se përforcimet do të kalonin perimetrin e rrethimit. Njerëzit thoshin se ndihma do të vinte nga çasti në çast. U organizua forca e ndihmës që do të çante linjat e armikut, por i gjithë operacioni u ndal. Askush nuk e di pse”, kujton Krajnoviç.
“Vetëm në fund e kuptuam të gjithë se ky ishte fundi. Para kësaj, gjithmonë kishte shpresë. Por kur njerëzit filluan të organizonin grupe për të thyer forcat rrethuese dhe kur komandanti ynë u largua, e kuptuam se ky ishte fundi”, tha ai.
Njësia e Krajnoviçit u tërhoq, thellë në lagjen Borovo Naselje, e cila ishte rrethuar nga forcat armike. Ata tani po luftonin për mbijetesë.
“Më kujtohet kur po lëviznim nëpër ndërtesa dhe në një mur kishte një vrimë përmes së cilës po kalonim. Një djalë u qëllua në gjoks nga një snajper. Të shihje këtë, për mua, ishte jashtëzakonisht tronditëse dhe e vështirë, pasi ishim fqinjë. U përpoqa ta fashoja dhe i vendosa najlon mbi mushkëri që ato të mos dilnin jashtë funksionit. Megjithatë, ai vdiq shpejt, në krahët e mi”, tha Krajnoviç.
Qendra e qytetit ra më 18 nëntor dhe njësitë e mbrojtësve në Borovo Naselje u dorëzuan më 20 nëntor. Ackar dhe Krajnoviç u kapën dhe panë se si luftëtarët e Mbrojtjes Territoriale i çuan të burgosurit në fshatra ose burgje të tjera. Tre ditë më vonë, Rehak u kap gjithashtu në Borovo Naselje, dhe plaçkitje të organizuara në lagje, me kamionë me mallra të vjedhura që niseshin për në Serbi.
Të burgosurit meshkuj ekzekutohen
Oficeri i Ushtrisë Popullore Jugosllave Veselin Sljivancanin në Gjykatën e Hagës në dhjetor 2010. Foto: EPA/PETER DEJONG/POOL.
Në mëngjesin e 20 nëntorit, anëtarët e forcave të Mbrojtjes Territoriale të udhëhequr nga serbët dhe paraushtarakët hynë në spitalin e Vukovarit së bashku me trupat e Ushtrisë Popullore Jugosllave, të udhëhequr nga majori Veselin Sljivancanin.
“Sljivancanin pastaj u shfaq para të gjithë njerëzve, burrat që qëndronin në njërën anë dhe gratë dhe fëmijët në anën tjetër. Ndërsa pyesnim veten përse burrat ishin në anën tjetër, ai u soll si një lloj zyrtari humanitar, duke thënë se ‘vetëm burrat duhet vetëm të merren në pyetje’ dhe se ata do të na bashkohen më vonë”, tha Zera.
“Deri në ditën e fundit, nuk mund ta besonim se e gjithë kjo mund të ndodhte… Ishte e vështirë sepse ishim të pafuqishëm për të bërë apo ndryshuar ndonjë gjë për këta njerëz të plagosur me të cilët kishim kaluar gjithë atë kohë. Në fund ndodhi më e keqja”, tha Aksentijeviç.
“Po atë natë, burrat nga spitali u dërguan në Ovcara, një fermë aty pranë, dhe u ekzekutuan brutalisht”, tha Zera, e cila e pa babanë e saj të gjallë për herë të fundit atë ditë.
Boris Dezuloviç ishte një reporter në Beograd për gazetën e përditshme kroate Slobodna Dalmacija. I ndihmuar nga një oficer i ri i Ushtrisë Popullore Jugosllave, ai arriti të hynte në qytetin e shkatërruar të Vukovarit në fillim të dhjetorit, jo shumë kohë pasi ai ra.
“Një rrugë e gjatë, e drejtë dhe një varg i gjatë e i gjatë shtëpish të shkatërruara. Asnjë shtëpi nuk ishte e paprekur. Grumbujt e tullave dhe trarëve prej druri ishin në anë të rrugës. Në oborrin e përparmë ka tre derra të ngordhur, ndërsa i katërti po ngordh nga uria. I duket brinjët. Mbetjet e djegura të makinave janë hedhur në një hendek pranë rrugës”, tha Dezuloviç në raportin e tij.
“Xhipi ynë e ka të vështirë të depërtojë nëpër mbeturinat e Vukovarit. Rrugët janë rrëmujë, të mbuluara me tulla, trarë, tjegulla… dhe batanije të përgjakura nën të cilat ishin shtrirë 100 kufoma deri dje. Hyrja në pothuajse çdo rrugë anësore është e bllokuar me shirit të verdhë dhe me tabela të mëdha ku shkruhet “e minuar”… Një burrë po e shtyn një grua të hipë në një Stojadin (Zastavacar jugosllav). Ajo nuk dëshiron të hipë. Ajo qan me ngashërim dhe shikon vendin ku dikur ndodhej shtëpia e tyre”, shkroi ai.
Chuck Sudetic, një reporter për The New York Times, hyri gjithashtu në Vukovar pasi ai ra.
“Vetëm ushtarët e ushtrisë së dominuar nga serbët, qen endacakë dhe disa gazetarë ecnin nëpër rrugët me tym, të mbushura me rrënoja dhe në rrënojat e ndërtesave të banimit, dyqaneve dhe hoteleve në qendër të Vukovarit. Asnjë nga ndërtesat që pashë gjatë një vizite njëditore në këtë qytet nuk mund të përshkruhet si e banueshme”, shkroi Sudetiç.
Dezuloviç përshkroi se kishte parë një traktor që mbante kufomat e gjymtuara të një gruaje të moshuar dhe tre burrave. Në fabrikën lokale të tullave, ai pa më shumë se 100 trupa të shtrirë pranë njëri-tjetrit, kryesisht të mbuluar me qese të zeza plastike. Zera kujtoi gjithashtu tronditjen e saj pasi doli nga spitali dhe kaloi nëpër qytetin e shkatërruar.
“Ishte si të shikoje një film të vjetër bardh e zi… Pemët ishin të zeza, të djegura, me pamje të tmerrshme. Shtëpitë nuk kishin as fasada, as çati. Ngado kishte tulla dhe blloqe betoni. Buzë rrugës pashë trupa të shtrirë, të pajetë, të zbuluar”, tha ajo.
Sudetic i New York Times ishte në të njëjtën lagje në një periudhë të ngjashme.
“Sot trupat e shtatë burrave kroatë ishin në një vend të hapur pranë dyqanit. Të gjithë trupat kishin shenja vrimash plumbash. Rreth dy metra më larg, ishte një bisht fshese të cilit i kishin lidhur një peshqir të bardhë”, shkroi ai.
Marrje në pyetje, rrahje dhe gjyqe publike
Një ushtar i Ushtrisë Popullore Jugosllave në rrethinat e Vukovarit më 17 nëntor 1991. Foto: EPA/MAJA ILIC.
Ackar tha se pasi ushtarët dhe civilët kroatë u kapën në Vukovar, ata u dërguan përmes rajonit verior serb të Vojvodinës në kampet e burgimit në komplekset bujqësore në fshatrat Stajicevo dhe Begejci.
“Na çuan me makinë përmes fshatrave në Vojvodinë dhe kjo ishte e tmerrshme. Njerëzit bërtisnin, qëllonin autobusin me sende, bërtisni ‘vrit’, ‘ther’ ose kërkonin që të na lironin që të mund ta vrisnin ata. Megjithatë, ishim me fat. Në Bogojevo, një fshat përtej Danubit në Vojvodinë, disa njerëz u morën nga autobusët nga Knindze (një njësi paraushtarake serbe) e kapitenit Dragan Vasiljkoviç. Disa nga këta të burgosur u rrahën keq ose edhe u vranë”, kujton Krajnoviç.
Në Stajicevo dhe Begejci, të burgosurit u grumbulluan në stalla të ndërtuara për bagëti.
“Në stallën në Begejci në fillim nuk kishte kashtë ku të mund të shtriheshe. E sollën më vonë. Ishte jashtëzakonisht ftohtë”, kujtoi Patko.
Në Stajicevo, Ackar pa të burgosur të rrahur nga rojet dhe një burrë që vdiq nga plagët e shkaktuara nga rrahjet gjatë marrjes në pyetje të kryera nga agjencia ushtarake jugosllave e kundërzbulimit, KOS.
“Rojet i çonin disa të burgosur në spital dhe ata nuk ktheheshin më kurrë. Të gjithë u morën në pyetje. Disa prej tyre pesë ose gjashtë herë”, tha Rehak, i cili gjithashtu pa abuzime në Stajicevo.
Ai tha se hetuesit nuk e torturuan apo abuzuan atë në fillim, kur nënkoloneli i Ushtrisë Popullore Jugosllave Miroslav Zivanoviç drejtonte kampin.
“Kur Zivanoviç u largua… policët ushtarakë më rrahën rëndë për 15 ditët e ardhshme”, kujton ai.
Nga Stajicevo, Ackar u dërgua në Beograd nga Ushtria Popullore Jugosllave për t’u gjykuar nën pretendimin se ishte përfaqësues i udhëheqjes politike të Kroacisë që shkaktoi luftën dhe krimet kundër serbëve. Jashtë gjykatës ushtarake, ai dhe të pandehurit e tjerë u përballën me një turmë të zemëruar.
“Njerëzit dhe policia ishin mbledhur aty. Ishte një pamje njësoj si në filmat me kauboj, kur njerëzit mblidhen për të varur dikë”, tha Krajnoviç, i cili gjithashtu u dërgua në gjykatën ushtarake. “Njerëzit bërtisnin, pështynin, hidhnin sende, na rrihnin… Në vend që të na mbronte, policia na rrihte bashkë me njerëzit. Ata qëllimisht na bënë xhiro nëpër turmë. E gjithë kjo urrejtje tek njerëzit, ishte e pabesueshme. Një turmë e vërtetë linçuese. Ishte vërtet e tmerrshme.”
Ackar shpjegoi se gjatë marrjes në pyetje në kampet e burgut, disa të burgosur u manipuluan për të nënshkruar dëshmitë e shkruara nga agjencia ushtarake e inteligjencës KOS për krimet e supozuara të kryera nga bashkëluftëtarët e tyre.
“Disa iu nënshtruan rrahjeve dhe presioneve dhe firmosën, duke u bërë dëshmitarë kundër të tjerëve. Këto aktakuza përmendnin fëmijë serbë që supozohej se ne i kishim vrarë. U kishim nxjerrë sytë, shkulur dhembët ose u kishim prerë veshët dhe me to kishim bërë varëse”, tha ai.
Të burgosurit e parë kroatë u liruan nga autoritetet serbe në mesin e dhjetorit 1991, kur Krajnoviç dhe Patko u liruan nën një shkëmbim të burgosurish së bashku me disa personel mjekësor nga spitali i Vukovarit. Por Ackar, Rehak dhe shumë kroatë të tjerë u transportuan në kampet e burgimit në Sremska Mitrovica dhe Nis në Serbi, dhe u liruan vetëm në gusht 1992.
Vukovar: Fakte dhe shifra të rëndësishme
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 1991, qyteti i Vukovar kishte një popullsi prej 44,000 banorësh, e cila u rrit në 84,000 nëse përfshiheshin fshatrat përreth dhe qyteti i afërt i Ilokut.
Nga kjo popullsi, 43,8 për qind ishin kroatë, 37,3 për qind serbë dhe 7,2 për qind jugosllavë, ndërsa pjesa tjetër i përkisnin pakicave të tjera si rutenët, sllovakët, hungarezët, ukrainasit etj.
Situata në Vukovar u përkeqësua që nga maji 1991, kur paraushtarakët serbë u zunë pritë ushtarëve kroatë në qarkun Borovo Seloin të Vukovarit, duke vrarë 12 prej tyre. Midis qershorit dhe gushtit, 40 deri në 80 serbë u ekzekutuan ose u zhdukën nga duart e paraushtarakëve kroatë, sipas shumicës së raporteve.
Ushtria Popullore Jugosllave, e ndihmuar nga Mbrojtja Territoriale Serbe dhe paraushtarakët nga Serbia, ndërmori një sulm të plotë më 25 gusht. Pas 86 ditësh rrethimi, forcat kryesore në qendër të qytetit u dorëzuan më 18 nëntor, ndërsa forcat e fundit të mbetura në Borovo Naselje u dorëzua dy ditë më vonë.
Rreth 7,000 predha ranë në qytet çdo ditë gjatë gjithë rrethimit, duke shkatërruar rreth 85 për qind të ndërtesave.
Rreth 3,000 ushtarë dhe civilë vdiqën gjatë rrethimit dhe pasojave të tij, duke përfshirë 86 fëmijë.
Pas rënies së Vukovarit, popullsia jo serbe u dëbua, ndërsa rreth 7,000 të burgosur, ushtarë dhe civilë, u transportuan në kampet e burgjeve në Serbi.
Pasi ishte nën kontrollin e serbëve rebelë kroatë për katër vjet, Vukovari u riintegrua paqësisht në Kroaci sipas marrëveshjes së paqes të Erdut në 1996 dhe 1997.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë dënoi dy oficerë të Ushtrisë Popullore Jugosllave për krime lufte në Vukovar – kolonelin Mile Mrksiç, i cili u dënua me 20 vjet burg dhe majorin Veselin Sljivancanin, i cili u dënua me 10 vjet burg.
Sipas vendimit të gjykatës të mbështetur nga OKB-ja, Mrksiç vendosi të tërhiqte oficerët dhe ushtarët e Ushtrisë Popullore Jugosllave që ruanin të burgosurit e luftës në Ovcara më 20 nëntor 1991, duke u mundësuar forcave të Mbrojtjes Territoriale dhe atyre paraushtarake të vrisnin rreth 260 të burgosur, ushtarë të plagosur dhe civilë.
Vendimi thoshte se Sljivancanin, “megjithëse ishte përgjegjës për sigurinë e robërve të luftës dhe kishte vizituar Ovcarën në një kohë kur ata po keqtrajtoheshin, nuk bëri asgjë për të ndaluar rrahjet apo për të parandaluar vazhdimin e tyre”.
Gjykatat serbe kanë dënuar gjithashtu 16 persona, kryesisht paraushtarakë, për mbajtjen e përgjegjësisë për vrasjet në Ovcara, ndërsa gjykatat kroate kanë dhënë 109 dënime për krime të kohës së luftës në zonën e Vukovarit.//balkaninsight.com/