Editorial
Prej ditës së martë të 16 nëntorit, Shqipëria është në agoni nga vrasja e një fëmije vetëm 8 vjeç. Një krim makaber që e tejkalon edhe instiktin kafshëror. Të gjithë ne jemi pjesë vajtimit për këtë fëmije që iu pre jeta në mes nga një kriminel i skeduar më parë nga policia, dhe drejtësia shqiptare, e megjithatë ai endej në atë komunitet duke i kallur datën fëmijëve dhe të moshuarve.
Mateo Vasiu, 8-vjeç po luante me biçikletën e fqinjit të tij në rrugët e fshatit Greçalli të Fierit, ditën që u shpall i humbur. Ka qenë nëna e të miturit, e cila në orën 15:30 ka bërë denoncimin në polici, pasi djali i saj ishte zhdukur dhe për të nuk kishte asnjë gjurmë. Pas denoncimit, efektivët e policisë kanë nisur hetimet dhe nga kamerat e sigurisë u zbulua se komunikimi i fundit i të miturit ka qenë me Çalamënin, fqinji i tij. Pas vëzhgimit të disa kamerave të sigurisë në lagje, u vu re se 8-vjeçari kishte hyrë në banesën e Çalamënit. Ky i fundit, pasi u mor në pyetje në Polici, pranoi edhe autorësinë e krimit makabër.
Çalamëni ka qenë i arrestuar për pengmarrjen e një vajze në vitin 2012, por dhe i denoncuar disa herë për vepra të tjera penale në atë zonë, ndaj dyshimi i parë nga policia për zhdukjen e të miturit ka qenë pikërisht ai.
Një ngjarje shokuese që ka nxitur reagimin nga mbarë opinioni publik duke kërkuar rikthimin e dënimit me vdekje .
Nisur nga ngjarja tejet e rëndë reagoi dhe vetë Kryeministri Rama i cili kërkoi që drejtësia të vendoset dhe autori të marrë dënimin e merituar. Megjithatë thirrjet për dënimin e tij me vdekje u hodhën poshtë nga Rama. Si vend kandidat, Shqipëria respekton rregullat e BE-së që nuk lejojnë dënimin me vdekje.
Por familja e Mateo Vasiut kërkon dënim kapital me varje për autorin e vrasjes Klodian Çalameni.
Sot më datë 18 Nëntor, në Gjykatën e e Fierit kur pritej të dilte para drejtësisë autori i ngjarjes së rëndë, familjarët e të miturit janë futur me forcë brenda ambienteve të gjykatës, duke çarë edhe kordonin e policisë. Mes thirrjes “drejtësi” ata kanë kërkuar të kryenin vetëgjyqësi.
Me pas ata kanë nisur edhe nënshkrimin e një peticioni që përmes të cilit, synojnë dënimin me vdekje të 38-vjeçarit. Peticioni është firmosur dhe nga qytetarë të shumtë, të cilët të tronditur nga ngjarja e rëndë, kërkuan varjen e tij në mes të qytetit të Fierit.
Si kurrë më parë, shoqëria shqiptare është tronditur nga vrasja makabre e Mateos në fshatin Greçalli të Fierit. Si rrallë herë çdo njëri ka shprehur ngushëllimet duke bashkëndarë dhimbjen me familjen e Mateos. Nga qytetarët e thjeshtë e deri te ata që kanë përgjegjësi për këtë vend.
Por sot 2 ditë nga kjo ngjarje, mungon një zë dhe një figurë që e shohim shpesh në ekranet tona dhe që ka një rëndësi të madhe sa i përket drejtësisë së re në Shqipëri.
Mungon reagimi i Ambasadores amerikane Yuri Kim.
Ndërsa një fëmije në periferi të Fierit i jepet lamtumira e fundit nga familja, por dhe nga gjithë shqiptarët, znj. Kim poston në rrjetet sociale një foto e qeshur pranë disa fëmijëve që fatmirësisht i gëzohen jetës, por jo bashkëmoshatari i tyre në Fier Mateo Vasiu. Për të cilin Znj. Ambasadore nuk tha asnjë fjalë. Fatkeqësisht nuk pati asnjë reagim për atë fëmije që humbi jetën në mënyrën më makabre. Kjo për faj të drejtësisë dhe qeverisë. Një drejtësi e cila është sot nën udhëzimin e SHBA-së dhe Ambasadores Yuri Kim.
Znj. Kim e cila flet për malet e Shqipërisë, rakinë, apo për çdo ngjarje tjetër që zhvillohet në Shqipëri, nuk foli për një fëmije që humbi jetën nga mungesa e drejtësisë dhe nga neglizhenca e institucioneve shqiptare.
Vë më dukje veçanërisht mungesen e një reagimi nga znj. Yuri Kim, pasi Shqiptarët kanë besim te garancia që ajo jep për funksionimin e drejtësisë në vend. Ky sinjal vjen sa herë shohim Znj.Yuri Kim pranë drejtueseve të institucioneve më të larta të drejtësisë si inkurajim dhe mbështetje për drejtësinë e re.
Po ashtu zhgënjyes është fakti se as organizatat ndërkombëtare të stacionuara në Tiranë nuk kanë reaguar ndonëse Shqipëria është pjesë e Konventës së OKB-së për të Drejtën e Fëmijës.
Por le te flasim për “drejtësinë ” që bëri kurban një fëmijë.
Pikërisht “Drejtësia e Re”, drejtësia për të cilën janë kaq të uritur shqiptarët, nuk arriti të mbrojë jetën e një fëmije. Ndaj sot me vdekjen e Mateos duket se po vdes dhe kjo drejtësi në Shqipëri.
Kjo u pa në 24 orët e fundit ku edhe ish-zyrtarë, njerëz që kanë qenë në krye të drejtësisë, deri te qytetarët e thjeshtë kërkojnë rikthimin me vdekje ose me së paku vetëgjyqësi. Sepse kjo drejtësi i vrau, sepse sot nuk kanë më besim as të ashtuquajtuara drejtësia re .
Familja e Mateos dhe qindra qytetarë të Fierit kërkojnë mbështetjen e qytetarëve me nënshkrimet e tyre dhe më pas t’i drejtohen me një peticion kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendit për rikthimin e dënimit me vdekje.
“Kemi kërkuar të bëjmë një peticion me shkrim e ti drejtohemi Kuvendit per kthimin e dënimit me vdekje dhe varjen e Klodian Calamënit. Eshte koha te japim firmen dhe mendimin per te firmosur per mbrojtjen e femijeve dhe per drejtesine e Mateos.
Kemi vendosur të bëjmë një peticion drejtuar kryeministrit Edi Rama dhe Kuvendit për kthimin e dënimit me vdekje, se janë më shumë se dhjetra raste makabre.
Mendoj që erdhi koha që ne duhet të ngrihemi e jo të bëjmë emisione, llafe e thasheheme. Mendoj që erdhi koha për të kërkuar të drejtën tone, shprehet nje aferme e Mateos per gazetaret.
E pra sot, kur kanë kaluar më shumë se 5 vite nga reforma në drejtësi, në të vërtetë drejtësia duket se është inekzistente. Pasi pas kësaj ngjarje shqiptarët kthehen 29 vite pas duke kërkuar kështu rikthim të dënimit me vdekje.
Kujtojmë se ishte viti 1992 pikërisht në Fier, kur u ekzekutua për herë të fundit një dënim kapital, varje në mes të qytetit. Kjo ndodhi në atë periudhe kur kishte 8 muaj që kishte ardhur demokracia dhe legjislacioni nuk kishte ndryshuar ende.
Por sot ndërsa shohim këto pamje dëshpëruese nga Fieri, kuptojmë se sot qytetarët nuk kanë më durim e as besim te drejtësia dhe institucionet ligjore në vend.
Nuk kanë besim te funksionimi i shtetit ligjor apo shteti i së drejtës.
Nuk kanë besim te opozita.
Nuk kanë besim te shoqeria civile të cilët marrin qindra financime në emër të mbrojtjes së fëmijëve, grave dhe vajzave por që nuk janë kurrë pranë tyre.
Ndaj me të drejtë sikundër citojnë familjarët e Mateos, ndoshta ka ardhur koha që ne duhet të ngrihemi…është koha që tani të flasë sovrani!