Presidenti i Ukrainës pretendon se tentativa për grusht shteti kundër tij është e pashmangshme ndërsa tensionet ruse rriten
Inteligjenca ukrainase ka informacione për një përpjekje të mundshme për të organizuar një grusht shteti në dhjetor me përfshirjen e njerëzve në Rusi, tha të premten Presidenti Volodymyr Zelenskiy.
Duke folur në një konferencë për shtyp, Zelenskiy tha gjithashtu se Ukraina ishte në kontroll të plotë të kufijve të saj dhe ishte gati për çdo përshkallëzim me Rusinë.
“Ne kemi sfida jo vetëm nga Federata Ruse dhe përshkallëzim të mundshëm – kemi sfida të mëdha të brendshme. Mora informacione se një grusht shteti do të ndodhë në vendin tonë më 1-2 dhjetor”, tha Zelenskiy.
Rusia dhe Ukraina ditëve të fundit kanë zhvilluar ushtrime ushtarake në të njëjtën kohë, në periudhën e tensioneve të larta e shkëmbimit të akuzave për rrezikim të sigurisë së njëra-tjetrës.
Shtimi i aktivitetit ushtarak në të dyja anët vjen pas rritjes së tensioneve që e shtuan rrezikun për luftë mes dy vendeve fqinje, ndonëse Rusia mohon se ka qëllime agresive dhe burimet e inteligjencës perëndimore i kanë thënë agjencisë “Reuters” se nuk shohin rrezik të menjëhershëm për pushtim të Ukrainës nga Rusia.
Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë dhënë shenja për përkrahjen ndaj Ukrainës të cilat Moska i cilëson provokuese, përfshirë manovrat me luftanije këtë muaj në Detin e Zi dhe dhurimin e barkave patrulluese nga ShBA-ja për forcat detare ukrainase.