Lidhja Social Demokrate në mbledhjen e sotme ka shpallur zgjedhjet e brendshme partiake. Sipas zëdhënëses së partisë Bogdanka Kuzevska, procedura për zgjedhje fillon që nesër dhe në këto zgjedhje kanë të drejtë të kandidohen të gjithë anëtarët e partisë të cilët i plotësojnë kushtet sipas statutit.
Në mbledhjen e strukturave të LSDM është vendosur që të shkohet në zgjedhje për kryetarin e ri pas dorëheqjes së Zaev nga rezultati i dobët në zgjedhjet lokale.
Emri më i përfolur si pasardhës i Zaevit është Dimitar Kovaçevski, njeriu i cili së fundi duket në çdo takim me kryetarin në ikje të LSDM-së njëherësh kryeministër. Nga LSDM pranojnë se në mbledhje të Kryesisë Qendrore është folur për vlerat intelektuale dhe politike të Kovaçevskit. Kanidaturën e konfirmoi edhe vet Kovaçevski, duke theksuar se atë do ta paraqesë brenda javës.
“Bëhet fjalë për person i cili mbi gjitha i plotëson kriteret e partisë, i gatshëm të sjell vendime shtetërore dhe e mbështet shtetin në procesin euro integrues”, u shpreh Bogdanka Kuzeska, Zëdhënëse e LSDM-së.
Zaevi për herë të parë u zgjodh në krye të LSDM-së në vitin 2013. Në vitin 2017 ai u rizgjodh për mandatin e dytë dhe katër vite më vonë në mandatin e tretë si kryetar i socialdemokratëve. Në karrierën e tij politike Zaev mbahet mend si lider i cili publikoi aferën e përgjimeve në vitin 2014. Një vit më vonë nënshkroi Marrëveshjen e Përzhinos. Në vitin 2017 formoi Qeveri dhe nënshkroi marrëveshje për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, ndërsa në vitin 2018 arriti marrëveshje me Greqinë për çështjen e emrit, pakt i cili Zaevin dhe homologun e tij grek Aleksis Tsipras i nominoi për çmimin më të madh ndërkombëtar të paqes “Nobel”. Në vitin 2019 udhëhoqi procesin e ndryshimeve kushtetuese, ndërsa në zgjedhjet e vitit 2020 arriti për herë të parë si kryetar i LSDM-së ta mposht VMRO-DPMNE-në me numër të deputetëve. Dorëheqja e tij vjen pas humbjes në zgjedhjet lokale të tetorit. Gjatë mandatit të tij Maqedonia e Veriut u bë anëtare e NATO-s dhe zbatoi regjistrimin e popullsisë, ndërsa nuk arriti të marrë datë për negociata me BE-në.