Presidenti i vendit Ilir Meta e ka përshëndetur qëndrimin e Bullgarisë që propozon nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian.
Meta thekson se do të vazhdojë që të mbështesë dhe inkurajojë çdo hap drejt anëtarësimit evropian, në përmbushje të objektivit strategjik kombëtar.
“E përshëndes qëndrimin e Bullgarisë, që propozon nisjen sa më parë të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Përparimi i secilit vend në bazë të meritave individuale ka qenë një nga parimet kyç të miratuara në Samitin e Selanikut në vitin 2003. Do të vazhdoj të mbështes dhe inkurajoj çdo hap, që na çon sa më parë drejt anëtarësimit evropian, në përmbushje të objektivit tonë strategjik kombëtar. Mbetem gjithashtu me bindjen e plotë se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të jashtëzakonshëm qoftë me zbatimin e reformave, qoftë me arritjen e një Marrëveshjeje historike si ajo e Prespës. E përshëndes qëndrimin dinjitoz të autoriteteve maqedone për të vijuar të palëkundur në kursin pro-evropian të reformave që u shërbejnë qytetarëve dhe aspiratës për anëtarësim në BE”, shprehet Presidenti Meta