Të premten, më 3 dhjetor, në Maqedoninë e Veriut janë dërguar trupat e pajetë të 45 personave që humbën jetën, më 23 nëntor, në Bullgari gjatë aksidentit me autobusin e agjencisë “Besa Trans”.
Në mesin e viktimave ishin edhe 12 fëmijë, ndërsa shumica kanë qenë familjarë që kishin udhëtuar në Stamboll të Turqisë për një vizitë treditore. Të gjitha viktimat kanë qenë shtetas të Maqedonisë së Veriut me etni shqiptare.
Aksidentit i kanë mbijetuar shtatë udhëtarë, të cilët janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Viktimat janë bartur me dy avionë ushtarakë bullgarë, ndërsa në Aeroportin e Shkupit janë pritur nga drejtuesit më të lartë të institucioneve .
Presidenti i shteti, Stevo Pendarovski, ai i Kuvendit, Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev nderuan viktimat e aksidentit tragjik të 23 nëntorit në autostradën Struma në Bullgari. Kurorë lulesh me mbishkrimin “ I përjetshëm kujtimi për Ju”, vendosi edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Më pas në nder të viktimave kurorë me lule vendosi edhe kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.
Të pranishëm në Aeroportin e Shkupit, përveç një delegacioni të lartë shtetëror të Maqedonisë së Veriut, ishte edhe një delegacion shqiptar i përbërë nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, ministri i Brendshëm Blendi Çuçi.
Në ceremoni mori pjesë edhe një delegacion nga Kosova i kryesuar nga presidentja Vjosa Osmani.
Delegacionet vendosën kurora me lule në nderim të viktimave të aksidentit tragjik.
45 trupat e pajetë pritet që sot t’u dorëzohen familjarëve të tyre, derisa sot po ashtu pritet të bëhet edhe varrimi i tyre.