Ish senatori republikan, Bob Dole, një hero i Luftës së Dytë Botërore, vdiq të dielën në moshën 98 vjeçare.
Me gjithë plagët e rënda nga Lufta, Sen. Dole u bë një nga figurat më të njohura të politikës amerikane, udhëheqësi i Senatit, kandidat republikan për president dhe më pas simbol i brezit të veteranëve të Luftës së Dytë Botërore.
Gruaja e tij, Elizabeth Dole, e postoi njoftimin të dielën në Twitter. “Ai i ka shërbyer Amerikës për 79 vjet me radhë”, shkroi ajo.
“E vazhduam bisedën aty ku e kishim lënë, sikur kishte kaluar vetëm një ditë që kur qeshnim së bashku në dhomën e ngrënies së Senatit ose debatonim për çështjet kryesore të ditës, shpesh me qëndrime të kundërta në sallën e Senatit.” tha zoti Biden në një deklaratë.
“Megjithëse shpesh nuk pajtoheshim, ai kurrë nuk hezitoi të punonte me mua ose me demokratë të tjerë kur bëhej fjalë për çështje të rëndësishme,” tha zoti Biden në një deklaratë, në kontrast me ndasitë e hidhura politike të sotme që e kanë bërë të vështirë për partitë e mëdha të bashkëpunojnë për legjislacionin”, vazhdoi ai.
Presidenti Ilir Meta shkruan se vendi ynë do t’i jetë gjithnjë mirënjohës ish-senatorit për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe Kosovës. Për ndarjen nga jeta të Dole ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha i cili e konsideron atë një bekim të pazëvendësueshëm për kombin.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar me një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-senatorit amerikan, Bob Dole. Me një postim në Twitter, Basha thotë se Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Po ashtu ai kujton edhe bisedën e fundit me të, ku thotë se ndau urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë e Kosovë.
“Me trishtim mora lajmin për ndarjen nga jeta të Bob Dole, mik i madh i shqiptarëve, që na ka qëndruar pranë në çastet më vendimtare dhe hapat më të rëndësishëm të kombit tonë. Senatori Bob Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, tek sprovat e rrugës Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës, mbështetja e tij ishte një bekim i pazëvendësueshëm për kombin tonë. Kam akoma të freskët bisedën e fundit me Senatorin Dole, javë përpara zgjedhjeve, këshillat, urimet dhe dëshirat e tij për Shqipërinë dhe Kosovën. Mirënjohje të përjetshme për këtë kolos të demokracisë amerikane! Lutjet dhe mendimet e mija shkojnë për familjen e Senatorit Dole, bashkëpunëtorët dhe kolegët e tij dhe kombin mik amerikan! U prehtë në paqe“, shkruan Basha.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar pas ndarjes nga jeta të ish-senatorit Amerikan, Bob Dole. Me një postim në Facebook, teksa i shpreh ngushëllimet familjes së ish-senatorit, Meta thotë se Shqipëria do t’i jetë përherë mirënjohës Dole për mbështetjen e hapur ndaj vendit tonë dhe Kosovës.
“Thellësisht i pikëlluar për humbjen e mikut të madh të shqiptarëve, Senator dhe kandidat për President të SHBA, Bob Dole. Senatori Dole ishte një prej personaliteteve më të spikatur të politikës amerikane dhe u bë një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre. Do t’i jemi përherë mirënjohës këtij burri të madh të popullit amerikan, për rolin dhe kontributin e vyer në avancimin e proceseve demokratizuese dhe euro-atlantike të Shqipërisë, si dhe për mbështetjen e hapur dhe të pakufizuar të luftës për liri dhe pavarësi, deri në krijimin e shtetit të Kosovës. Jam pranë familjes së Tij dhe popullit amerikan dhe u bashkohem lutjeve të tyre, që shpirti i Senatorit Dole të prehet në paqen e merituar! Do të na mungojë shumë të gjithëve!“, shkruan Meta.
Në Kosovë, shumë personalitete reaguan me pikëllim pas lajmit për vdekjen e ish senatorit amerikan, Bob Dole, roli i të cilit vlerësohet i pazëvendësueshëm për zhvillimet politike që çuan në çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh e pikëlluar me lajmin për vdekjen e senatorit Bob Dole.
“Një hero lufte, një politikan i respektuar dhe një mbështetës i lirisë në të gjithë botën. Por në veçanti, jemi mirënjohës që ai gjithmonë ka qëndruar pranë popullit të Kosovës në luftën tonë për pavarësi. U prefsh ne paqe mik i dashur”, shkroi ajo.
Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, u shpreh e pikëlluar thellësisht për “humbjen e njërit prej miqve më të ngushtë të Kosovës – një përkrahës dhe mbrojtës i vendosur për pavarësinë e Kosovës, Senatorit Bob Dole! Ngushëllimet e mia të sinqerta familjes së tij, Shteteve të Bashkuara dhe miqve të tij në Kosovë! Bob, trashëgimia jote është e një njeriu të madh!”, shkroi ish presidentja Jahjaga.
I pikëlluar u shpreh edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. “U shprehim ngushëllime të përzemërta familjes Dole dhe kombit amerikan, teksa vajtojmë dhe nderojmë një hero amerikan dhe një përkrahës të padiskutueshëm të lirisë së Kosovës. U preftë në paqe”, shkroi ai.
Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Harafinaj, shkroi se “Senatori Dole mbetet një nga figurat kryesore që identifikon rrugën e Kosovës drejt shtetësisë. Ai ishte një nga politikanët e parë që njohu luftën tonë për liri dhe e udhëzoi Kosovën drejt asaj që jemi sot. Pusho i qetë Bob. Do të na mungosh!”, shkroi ai.
Në një shesh me emrin e ish senatorit Bob Dole në Prishtinë, ngrihet edhe busti i tij, në shenjë nderimi për rolin që luajti rreth çështjes së Kosovës.
Në gusht të vitit 1990, ish senatori Bob Dole së bashku me disa senatorë të tjerë vizitoi Prishtinën, që ishte vizita e parë e një zyrtari të lartë amerikan në Kosovë.
Ai zhvilloi takime me përfaqësuesit e shqiptarëve, në një kohë kur Kosovës i ishte hequr autonomia dhe ishte vënë nën gjendje të jashtëzakonshme nga autoritetet e Serbisë.
Më 12 qershor të vitit 2020 në një manifestim me rastin e përvjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, që i dhanë fund luftës gati dyvjeçare, ish senatori Dole, tha nëpërmjet në videomesazhi se ishte “i lumtur që kam qenë pjesë e kësaj historie dhe kam bërë çfarë kam mundur që të jem i dobishëm por ishin kryesisht njerëzit e vendit tuaj të madh që e kanë mundësuar këtë. Jam këtu për çdo gjë që do të keni nevojë dhe nëse mund të ju ndihmoj vetëm më thoni”./ VOA-Argumentum.al