Volodymyr SHKUROV*
Fillimi i punës së Ambasadës së Ukrainës në Republikën e Shqipërisë në vitin 2020, konfirmon rëndësinë e komponentit kulturor në punën diplomatike për forcimin e imazhit pozitiv të Ukrainës dhe përmirësimin e marrëdhënieve miqësore ukraino-shqiptare.
Duke marrë në konsideratë kufizimet totale të punës në fushën e kulturës, për shkak të pandemisë së COVID-19, nuk duhet gjithsesi të harrojmë potencialin e kësaj fushe.
Mbajtja e ekspozitave të pikturës dhe ekspozitave të prodhimeve letrare ukrainase, pjesëmarrja e grupeve të artit dhe interpretuesve të veçantë në gara dhe festivale, pjesëmarrja në gara sportive dhe panaire bamirësie janë garancitë e punës efektive diplomatike të Ukrainës, pasi fenomeni i komunikimit kulturor krijon themele solide për organizimin e punës efikase politiko-diplomatike.
Dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur Ukraina ka nevojë për një mbështetje të ndërgjegjshme ndërkombëtare, që argumentet e saj, si dhe perceptimi informal i trashëgimisë reformatore të kuptohen, si për shembull, në vitet e rrugëtimit të vendit tonë drejt integrimit evropian. Gjatë kësaj periudhe, zhvillimi i themelit kulturor të marrëdhënieve dypalëshe mundëson zgjidhjen e çështjeve komplekse të mbështetjes shtetërore ndërkombëtare, në mënyrë më efikase.
Republika e Shqipërisë ndryshon pozitivisht për sa i përket realizimit të diplomacisë kulturore ukrainase, pasi popujt e vendeve tona e njohin shumë pak njëri-tjetrin. Historia komplekse e Shqipërisë, lufta për pavarësinë e shtetit dhe e kishës autoqefale, zbatimi i reformave demokratike, si dhe pasuria historike e natyrore përmbajnë në mënyrë objektive interes për ukrainasit.
Nga ana tjetër, edhe populli shqiptar ka çfarë të zbulojë vetë, duke thelluar njohjen për Ukrainën. Në fund të fundit, Ukraina, si një shtet modern evropian me historinë e vet, monumentet e lashta, kulturën dhe artin, si dhe bukurinë e natyrës, apriori tejkalon çdo pritshmëri.
Kështu, më 24 shtator, me shumë sukses ka performuar në Shqipëri dueti ukrainas “Pysanka”, i përbërë nga Artistët e Merituar të Ukrainës, Oksana Savchuk dhe Ivan Kavatsyuk, të cilët në Ukrainë quhen “perla e kulturës kombëtare, engjëjt e këngës ukrainase”.
Më 21 tetor të këtij viti, në Universitetin Mesdhetar të Tiranës, me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve dhe të ftuarve të shumtë, u zhvillua një prezantim i vizatimit “Petrykivsky” dhe shembujve të këtij arti, që me të drejtë konsiderohet se shpreh shpirtin e popullit ukrainas.
Duke avancuar nga më e thjeshta te më kompleksja dhe duke prekur nivelin e përgjithësimeve, duhet theksuar se orientimi i diplomacisë kulturore me të drejtë zë një vend të rëndësishëm në sistemin e politikës së jashtme moderne të Ukrainës. Ky është një pasqyrim pozitiv i tendencave globale të evolucionit të jetës ndërkombëtare, e cila ka perspektiva të konsiderueshme.
Fenomeni i lëvizshmërisë, në kuptimin i tij të gjerë, është i natyrshëm në realizimin i diplomacisë kulturore dhe ofron mundësi për të arritur rezultate pozitive “në thelb”, pasi presupozon një tejkalim kuptimplotë pikërisht të spektrit kulturor të masave përkatëse.
Zhvillimi botëror i orientuar drejt paqes të së ardhmes, stabilitetit dhe progresit, në qendër të të cilave ndodhet në mënyrë objektive njeriu, nuk mund të sigurohet nga një mirëkuptim i arritur mbi bazën e fuqisë ekonomike dhe ushtarake. Një e ardhme e tillë mund të realizohet vetëm përmes arritjes së mirëkuptimit të ndërsjellë, respektit reciprok dhe dialogut të zhvilluar, pikënisja e të cilit është kultura.
Sistemi i politikës së jashtme të Ukrainës, në zhvillimin e tij, po bën përpjekje të mëdha për të siguruar lidhje në nivele të shumta të bashkëpunimit dhe dialogut, duke konsideruar rëndësinë e zbatimit të një axhende pozitive – në çdo nivel dhe në çdo mundësi – në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Në të njëjtën kohë, duhet pasur parasysh fakti se një axhendë pozitive në negociatat me vendet e huaja, nuk mund të zbatohet pa një kuptim të qartë midis balancës së fuqisë dhe realitetit që na rrethon, si dhe, nga ana tjetër, i pamundur, derisa gjendja aktuale e çështjeve në botë konceptohet në mënyrë dogmatike si një diçka, që mbetet e pandryshuar përgjithmonë.
Pothuajse çdo ditë ndiejmë se jetojmë të rrethuar nga ngjarje negative që ndodhin jo vetëm pranë nesh, por edhe në skenën ndërkombëtare botërore. Dhe këtu është e rëndësishme të kuptojmë se zgjidhja e problemeve të vështira të aktualitetit ndërkombëtar është e pamundur kur e kërkojmë në rrafshin e tjetërsimit, izolimit, agresionit dhe provokimit. Zgjidhjet duhet të kërkohen duke u nisur nga njohja themelore e natyrës së vërtetë të problemeve komplekse të epokës sonë, të cilat, në radhë të parë, kanë të bëjnë me sigurinë globale, luftën kundër terrorizmit, luftërat, varfërinë, kundërveprimin ndaj fenomeneve të krizës së migracionit, ndryshimeve klimatike, veprimeve shkatërrimtare mjedisore, përballjes me pandeminë COVID-19. Në të njëjtën kohë, duhet kuptuar se në të gjitha rrethanat e vështira ka gjithmonë një fushë mundësish për të siguruar përafrimin e pozicioneve nëpërmjet zbatimit të nismave pozitive si në fushën e ekonomisë dhe tregtisë, ashtu edhe në fushën e arsimit dhe kulturës.
Zhvillimi aktiv i diplomacisë kulturore ukrainase dëshmon për vetëdijen strategjike se historia, feja dhe kultura mund të jenë mjete efektive për arritjen e mirëkuptimit dhe komunikimit, në vend që të përdoren si mjete për të mposhtur dhe përhapur ekstremizmin, për të provokuar urrejtje dhe konflikt.
Në kohën tonë është absolutisht e nevojshme të ndërtohet bashkëpunimi ndërmjet kulturave. Ky është çelësi për t’u rezistuar atyre forcave që synojnë ta zhytin njerëzimin në paranojë dhe urrejtje. Sot, si kurrë më parë, është e nevojshme të aktualizohet madhështia e shpirtit njerëzor, që u formua nga qytetërimet e lashta, si dhe të demonstrohen veprat e artistëve modernë kombëtarë me përkushtimin e tyre të madh ndaj temave të bukurisë dhe mirësisë. Sot, si asnjëherë më parë, duhet t’i japim përparësi zhvillimit të dialogut dhe jo kultivimit të fanatizmit, të zhvillojmë kulturën si një faktor efektiv të rezistencës në luftën kundër terrorizmit, të promovojmë vlera që nënkuptojnë bashkësinë e kulturave dhe afinitetin e tyre me normat e etikës.
Duke pasur parasysh tërësinë e kompleksitetit të problemeve të vështira, që shteti i ri ukrainas po i kapërcen me guxim sot, dhe në kontekstin e një numri të madh sfidash akute të jetës moderne ndërkombëtare, çështja e efektivitetit të diplomacisë kulturore, në mënyrë objektive, do të ketë nevojë për vëmendje të veçantë, gjithashtu edhe gjatë përsosjes së strategjisë së politikës së jashtme të Ukrainës. Në të njëjtën kohë, nuk duhet të harrojmë nevojën për të qenë vetvetja, siç ka shkruar një nga përfaqësuesit e shquar të kulturës kombëtare të Ukrainës, shkrimtari Mykhailo Kotsyubynsky: “Le të jemi, para së gjithash, ukrainas, qoftë në shtëpinë tonë, qoftë në shtëpinë e tjetrit, qoftë në tokën tonë apo jashtë vendit”.
*Ambasadori i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Ukrainës në Republikën e Shqipërisë