Parlamenti i Republikës Sërpska (RS), më 10 dhjetor do të diskutojë rreth deklaratës me të cilën kërkon nga qeveria të përgatisë Kushtetutën e re të këtij entiteti në Bosnje e Hercegovinë (BeH). Kushtetuta e re parasheh bartjen e disa prej përgjegjësive të shtetit të BeH-së ndaj RS-së, si entitet.
Bartjen e disa prej përgjegjësive të cilat, sipas Kushtetutës dhe Marrëveshjes së Dejtonit i takojnë Bosnjës ndaj Republikës Sërpska, kohëve të fundit e kishte paralajmëruar anëtari i Presidencës së BeH nga Republika Sërpska, Millorad Dodik, pasi që në Bosnje me ligj u ndalua mohimi i gjenocidit.
Politikanët nga Republika Sërpska kundërshtuan këtë ligj, të cilin e kishte vendosur ish-Përfaqësuesi i Lartë për Bosnje e Hercegovinë, Valentin Inzko dhe filluan bllokadën e punës në institucionet shtetërore.
Në Deklaratën për parimet kushtetuese për të cilat do të diskutojë më 10 dhjetor Parlamenti i RS-së, kërkohet nga qeveria që të përgatisë tekstin “në të cilin do të konfirmohen të gjitha përgjegjësitë e Republikës Sërpska, përveç atyre të cilat me Kushtetutë i takojnë Bosnje e Hercegovinës”.
Në rend të ditës së seancës së veçantë janë informatat e posaçme rreth bartjes së përgjegjësive në fushën e institucioneve të drejtësisë së BeH-së, por edhe të mbrojtjes apo sigurisë.
Në dokument saktësohet që “të gjitha nenet e përcaktuara nga Përfaqësuesi i Lartë janë jokushtetuese”.
Parlamenti i RS-së, kah fundi i korrikut miratoi ligjin me të cilin u vendos që vendimi i ish-Përfaqësuesit të Lartë, Inzko rreth mohimit të gjenocidit të mos zbatohet.
Në Deklaratën tashmë të paraqitur në Parlament, përmendet se me Kushtetutën e re qyteti i Banja Llukës do të duhej të bëhej qyteti kryesor ndërkaq qyteti i Palles, kryeqytet.
Kërkesën për mbajtjen e seancës së veçantë në të cilën do të diskutohej rreth bartjes së përgjegjësive, më 8 nëntor e paralajmëroi anëtari i Presidencës së BeH nga RS, Millorad Dodik. Ai e bëri këtë paralajmërim pas takimit me partitë e koalicionit udhëheqës në Banjallukë dhe theksoi që pas shqyrtimit të informatave për bartjen e përgjegjësive do të përgatitet edhe plani i aksionit për kthimin e tyre në nivelin e RS-së.
Takimi i partive, u mbajt pas takimit të Dodikut me Gabriel Escobarin, zëvendës-ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit dhe të dërguarit të posaçëm për Ballkanin perëndimor në Sarajevë më 8 nëntor./Rel