Në ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, Ambasada Amerikane në Tiranë dhe Delegacioni i BE-se publikuan një mesazh për institucionet qeveritare që t’u përmbahen angazhimeve për të luftuar korrupsionin, duke e konsideruar jetike për të ardhmen e popullit shqiptar dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
Përmes një postimi në Twitter, Ambasada Amerikane konfirmon edhe një herë përkushtimin për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar dhe ndërkaq u bën thirrje vendeve që t’u përmbahen angazhimeve për të luftuar korrupsionin. “Korrupsioni minon sundimin e ligjit dhe zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare”, shkruhet në postimin e Ambasadës.
Postimi i plotë:
Korrupsioni minon sundimin e ligjit & zbeh besimin e publikut në institucionet qeveritare. Në Ditën Ndrk. Kundër Korrupsionit konfirmojmë përkushtimin tonë për t’i mbajtur përgjegjës aktorët e korruptuar & u bëjmë thirrje vendeve që t’u përmbahen angazhimeve për të luftuar korrupsionin.
Po ashtu Delegacioni i BE në Shqipëri ka përcjellë një mesazh në ditën ndërkombëtare kundër korrupsionit. Ata u bëjnë thirrje institucioneve që të intensifikojnë veprimet e tyre kundër korrupsionit dhe të nxjerrin para drejtësisë gjithë ata që janë të përfshirë në akte të tilla.
Në një postim në “Facebook”, BE shprehet qartë se lufta kundër korrupsionit është jetike për të ardhmen e popullit shqiptar dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Korrupsioni shter burimet jetike të Shqipërisë, ndikon në shtetin ligjor dhe në besimin e publikut tek institucionet, si dhe ngadalëson ndjeshëm zhvillimin ekonomik. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, u bëjmë thirrje gjithë institucioneve që të intensifikojnë veprimet e tyre kundër korrupsionit dhe të nxjerrin para drejtësisë gjithë ata që janë të përfshirë në akte korrupsioni. Është jetike për të ardhmen e popullit shqiptar dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. BE-ja qëndron krah Shqipërisë dhe popullit të saj në këtë luftë”, thuhet në mesazhin e BE.