Ligjvënësit serbë votuan të premten për të filluar punën për tërheqjen e Republikës së tyre autonome Serbe nga forcat e armatosura, sistemi gjyqësor dhe sistemi tatimor i Bosnjës, në një mocion jodetyrues, që synon të hapë rrugën për shkëputjen nga Bosnja.
Të tri institucionet përfaqësojnë shtyllat kryesore të sigurisë së përbashkët, sundimit të ligjit dhe sistemit ekonomik në Bosnje, e cila u nda në dy rajone autonome – Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga kroatët dhe boshnjakët – pas luftës së viteve 1992-1995.
Ligjvënësit votuan edhe një deklaratë që bën thirrje për hartimin e një kushtetute të re për entitetin Republika Serbe, ndërsa nënvizon se “të gjitha ligjet e imponuara” nga Përfaqësuesi i lartë Ndërkombëtar në Bosnjë, janë “jokushtetues”.
Parlamenti i entitetit serb u mblodh në një periudhë kur anëtari serb i presidencës trepalëshe boshnjake, Milorad Dodik, shtoi fushatën e tij për shkëputje nga Bosnja pavarësisht kërcënimit për sanksione të reja nga Shtetet e Bashkuara dhe vendeve të tjera.
Milorad Dodik tha se ky ishte një sesion historik i parlamentit që do të forcojë minishtetin serb të Bosnjës, i themeluar si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund luftës në Bosnjë në 1995.
“Në gjashtë muajt e ardhshëm, ne do të bisedojmë dhe do të shohim nëse ka një mundësi për të formuar një strukturë të re të forcave të armatosura, duke marrë parasysh pozicionin tonë, ose do të zgjedhim ndonjë nga mundësitë e mëposhtme: të formojmë një ushtri të Republikës Serbe, ose ne dorëzojmë ligjin për çmilitarizimin e përgjithshëm të Bosnjës”, tha ai.
Ai e quajti Bosnjën një “shtet në letër” dhe i tha parlamentit se duhet të mbahet një referendum në entitetin serb për formimin e ushtrisë, shërbimit të sigurisë, gjyqësorit dhe autoritetit tatimor dhe se duhet të hartohet një kushtetutë e re shtetërore.
Udhëheqësit e opozitës në parlament kritikuan politikat e Milorad Dodikut, duke thënë se ato janë të nxituara, krijojnë pasiguri dhe madje edhe përplasje të mundshme në rajonin ende të paqëndrueshëm të Ballkanit.
Prej vitesh Milorad Dodik është shprehur në favor të ndarjes së entitetit serb nga Bosnja për t’u bashkuar me Serbinë fqinje. Me mbështetjen e heshtur nga Rusia dhe Serbia, Dodiku kohët e fundit intensifikoi fushatën e tij.
Zyrtarët boshnjakë kanë paralajmëruar se politikat e Milorad Dodikut mund të çojnë në përplasje dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të veprojnë kundër atij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Ambasadat Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Sarajevë si dhe delegacionit të Bashkimit Evropian, thanë të premten në një deklaratë të përbashkët se vendimi i parlamentit serb është hap shtesë drejt përshkallëzimit të situatës. “Anëtarët e koalicionit qeverisës në Republikën Serbe duhet të jenë të vetëdijshëm se vazhdimi i rrugëtimit nëpër këtë qorrsokak sfidon kuadrin e Daytonit, dëmton perspektivat ekonomike të entiteteve, kërcënon qëndrueshmërinë e vendit dhe të gjithë rajonit dhe kërcënon të ardhmen e Bosnjës në BE. Shtimi i tensioneve dhe bllokimi i funksionimit të institucioneve do të kufizojë mundësitë ekonomike në dispozicion të qytetarëve, do të pengojë investimet dhe do të shpërqendrojë luftën kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratë.
“Inkurajojmë të gjithë udhëheqësit që të ndërtojnë besim të ndërsjellë duke braktisur menjëherë retorikën përçarëse dhe shkallëzuese dhe të kthehen në institucionet shtetërore me kapacitet të plotë, ku mund të flasin edhe për mosmarrëveshjet”, thuhet në deklaratën e përbashkët të diplomatëve perëndimorë.
Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë një ndalim udhëtimi dhe ngrirje të pasurive të Milorad Dodikut dhe zyrtarët amerikanë dhe gjermanë janë kërcënuar kohët e fundit me më shumë sanksione, në rast se serbët e Bosnjës dobësojnë më tej institucionet qendrore të Bosnjës./Voa