Ish-Kryeministri Berisha dhe Lulzim Basha për herë të parë që nga 9 shtatori i ndante një mur me njeri tjetrin, pikërisht në selinë e demokratëve.
Anëtarët e Grupimit për Rithemelimin e PD ka hyre në selinë e PD 2 dite pas kuvendit të mbajtuar në “Air Albania”. Më në krye Sali Berishën, ata janë futur në godinën e partisë dhe janë shprehur se do të mblidhen aty, në atë që ish-kryeministri e quajti “selia e demokratëve”.
“Siç e shihni, janë anëtarët e Komisionit të Përkohshëm të PD të cilët kanë ardhur të vendosen në selinë e demokratëve dhe të diskutojnë për problemet e rëndësishme të së ardhmes”, tha Berisha dhe të 29 anëtarët e Komisionit të Rithemelimit ia behën në seli.
Ish-kryeministri Berisha ka hyrë sot në Selinë Blu, shoqëruar me anëtarët e Komisionit për Rithemelimin e PD-së, sipas vendimit të Kuvendit Kombëtar të PD-së datë 11 dhjetor 2021.
Nga jashtë selisë blu ishin qindra demokratë që mbështesnin Berishën. Ish-lideri demokrat foli për mediat në hyrje dhe më pas ai dha një konferencë shtypi. Ndër mesazhet kryesore të ish-kryeministrit Berisha ishin ato që lidhej me situatën e pa zakontë pas humbjeve të njëpasnjëshme nga ana e Lulzim Bashës në krye të PD-së.
Por Berisha theksoi se sapo të mbarojmë punë me votimet e datës 18 dhjetor ku është thirrur anëtarsia për të votuar për shkarkimin e Lulzim Bashës, sipas parimit “Një anëtar-një votë”, do të përgatitemi për protestat kundër kryeministrit Rama.
Ish-lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha këtë të hënë deklaroi se Lulzim Basha tashmë është një deputet dhe anëtar i grupit parlamentar të kësaj partie.
Berisha e konsideroi këtë konferencë si më të veçantën nga të gjitha.
“Nga të gjitha konferencat e shtypit të karrierës time 30 vjeçare ju garantoj se kjo konferencë është me e veçanta nga gjithë të tjerat. Kjo konferencë mbahet sot pas Kuvendit Kombëtar të rithemelimit të PD. Ngjarje kjo absolutisht unike si monument lirie e grave, vajzave dhe burrave të lirë”, tha ai.
Berisha e quajti Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit si një nga kuvendet më perëndimore në rrafshin e vlerave demokratike që sanksionoi në Kushtetutën e PD-së.
“Jehona e këtij Kuvendi, siç ishte unik në llojin e tij është e jashtëzakonshme në çdo votër dhe zemër shqiptari”, tha ai.
Ish-kryeministri u bëri edhe një thirrje të gjithë demokratëve, deputetëve dhe kryetarëve të degëve t’i bashkohen rithemelimit të partisë, duke u kujtuar atyre se vlerat dhe kontributet e dhëna nuk do të hidhen poshtë.
“Unë i ftoj të bashkohen, duke u thënë se kontributi i tyre do të vlerësohet. Vendi i tyre është aty ku janë idealet më fisnike dhe jo tek një parti, ku dy muajt e fundit, deputeti Basha e katandisi në një parti të ekstremit të majtë”, tha Berisha.
Ish-lideri historik është ndalur edhe tek mbledhja e kësaj të hënë, duke treguar se sot u miratua një komision për të drejtuar punën për organizimin e referendumit.
“Një komision u miratua sot këtu për të drejtuar referendumin, bazuar në punën e shkëlqyer që ju e patë vetë. Do bëjmë gjithçka që të afrojmë sa më shumë kutitë e votimit me anëtarësinë”, tha ai.
Berisha akuzoi Lulzim Bashën edhe për kryerjen e disa akteve që të çojnë në nivelin e një krimi elektoral. Ai tha se me urdhër të Bashës janë mbledhur kartat e anëtarësisë për votim, duke mos ua kthyer më ato.
“Ka mbledh kartat dhe nuk ua ka kthyer kartat e anëtarësisë. Ky është një akt që ngjitet në nivelin e një krimi elektoral. Nuk ka njeri që mund të pengojë duke u marrë kartat e anëtarësisë”, tha Berisha.
Berisha është ndalur edhe tek referendumi i datës 18 dhjetor, duke u shprehur se pritet një rezultat i shkëlqyer.
“Ne presim një rezultat të shkëlqyer me datë 18, sikundër ftoj çdo demokrat që atë ditë të firmosë aktin madhor të pushtetit të vullnetit të anëtarit të PD-së me normat e reja të lirisë dhe ta dënojë me injorim anti-Kuvendin e shoqatës Basha-Bardhi, si një nga turpet më të mëdha të historisë së Evropës dhe njerëzimit në rrugën e demokracisë. Unë pres që deputetët të mos bëhen bashkëpunëtor në një akt të pashembullt të pluralizmit me një vendim anti-statutor për hallin e karriges personale të Lulzim Bashës”, tha ish-lideri historik i PD.
Sa i përket vendimit të PD-së për të kallëzuar në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) disa deputetë demokratë që ishin pjesë e Kuvendit Kombëtar të mbledhur nga ish-kryeministri duke i akuzuar për falsifikim të vulave, stampave ose i formularëve, Berisha e ka krahasuar me një “akt të poshtër dhe tradhtar”.
I pyetur nëse kandidatura e tij për kryetar të PD-së bie ndesh me vlerat demokratike, Berisha theksoi se “shpallja non grata është një çështje personale e imja”.
Ish-kryeministri ka akuzuar sërish ambasadoren e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, duke e cilësuar si një guvernatore.
Sipas tij është shkelje flagrante që dikush të përcaktojë se kush hyn apo jo në Parlament.
Në anën tjetër, përgjatë kohës sa Berisha u fut në selinë e Partisë Demokratike, aty po zhvillohet një takim për raportimin e Grupit të Punës për zgjedhjet në Forumin Rinor të PD-së. I pranishëm në këtë mbledhje është edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Dy ditë më parë Këshilli Kombëtar i PD vendosi shkarkimin e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD, Edi Paloka dhe anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi, si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi dhe Ledina Mandia.
Po kështu, PD miratoi me të gjitha votat një Rezolutë të Këshillit Kombëtar, duke anuluar çdo vendim të dalë nga Kuvendi i mbledhur të shtunën nga ish-lideri i PD, Sali Berisha.
Ndërsa të shtunën në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha u shkarkua Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike.
Pas ndryshimit të Statutit dhe shkarkimit të anëtarëve të Kryesisë të partisë, Kuvendi i thirrur nga Berisha do të mblidhet sërish për të mbajtur referendum.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e ka cilësuar futjen e Sali Berishës në selinë e PD-së, si një masakër të shëmtuar.
Gjatë një konference për mediet pasditen e së hënës, Basha tha se ish-kryeministri Sali Berisha ka frikë nga Kuvendi i Partisë Demokratike që do të mbahet më 18 dhjetor.
Basha tha se Berisha është gati që për interesat e tij personalë të shkatërrojë gjithçka, madje edhe “fëmijën” e tij politik, Partinë Demokratike.
“Pa SHBA-në nuk do të arrinim dot Marrëveshjen e Ohrit. Pa SHBA-në, ky komb do të kishte një fat ndryshe. Mund t’i fajësojmë për gabimet tona, por shqiptarët nuk e meritojnë Edi Ramën. Ky realitet i përkohshëm do ndryshojë vetëm nëse do ndryshojmë, përmes vlerave. Ata që pamë sot janë llumi i shoqërisë dhe PD-së. Këto janë ditët e përçarjes nga Sali Berisha, që hedh gënjeshtër pas gënjeshtre, për orë të tëra. Sot pamë një njeri të frikësuar nga Kuvendi i 18 dhjetorit. Të gjithë demokratët po presin këtë datë, të japin një përgjigje të qartë të shkuarës, t’i japin një mesazh shoqërisë dhe kombit për të nesërmen. Ne e dimë rrugën me të cilën do të drejtojmë këtë vend, këtë popull, për të çarë pengesat drejt të nesërmes. Me lirinë e plotë të shprehjes së mendimit, siç dhamë edhe shembujt e djeshëm me mbledhjen e Këshillit Kombëtar”, u shpreh Basha.
Sipas Bashës, Berisha për t’iu fshehur “non grata”-s, po fshihet brenda PD-së.
“Qëndruam të qetë dhe vendosëm të mos biem në këtë provokim të trashë. Kjo që pa çdo shqiptar sot, është pamja e një humbësi, i cili shfaqet si një fitimtar. Gjithçka ka bërë sot është se humbja e tij është pa kthim. Demokratët e dinë mirë se ai, si një ish-komunist i vjetër, është gati të shkatërrojë gjithçka, edhe “fëmijën” e vet politik, PD, për interesin e tij personal”, u shpreh Basha.
Sipas tij, Berisha është bërë pengesë në luftën opozitare të PD.
Basha bëhet “zëdhënësi” i DASH: Shumë shpejt edhe dy brinjët e tjera të ‘Trekëndëshit të Bermudës’ do shpallen ‘non grata’
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar se edhe ‘dy brinjët e tjera të Trekëndsisht të Bemudës’, duke ju referuar Ilir Metës dhe Edi Ramës do të shpallen non grata nga SHBA-të.
‘Me Sali Berishën po konkurrojnë dy brinjët e tjera të trekëndëshit Bermudës. Shumë shpejt me sa di unë edhe të tjerët do të shpallen non grata. Mesa shpresoj unë, se mesa di është fjalë e madhe. Këta të tre mbajnë njëri-tjetrin. Konkurrencën e kanë me njëri tjetrin, ja ka kaluar Sali Berisha. Përveçse rrëzimit të këtij trekëndëshi, nuk ka intereson më gjë tjetër. Jam i sigurt që është fillimi dhe vetëm fillimi.’-tha Basha.