Programi i përbashkët Zviceran-Austriar për Zhvillimin Rajonal mbështeti Bashkinë Lezhë në përmirësimin e infrastrukturës së qytetit.
Një grant i dhënë për Bashkinë Lezhë rezultoi në ngritjen e dy urave të reja për këmbësorë mbi Drin, dy kalatave për ankorimin e varkave dhe stacioneve të biçikletave përgjatë bregut të lumit. Inaugurimi u bë nga kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe ambasadori zviceran Adrian Maître.
“Puna e përbashkët që përurojmë sot flet vetë: qytetarët dhe vizitorët mund ta shohin dhe ta shijojnë. Tashmë mund të shoh që vendi më i rëndësishëm historik i Lezhës, varri i Skënderbeut, është tashmë më i aksesueshëm për vizitorët dhe udhëtarët. Në të njëjtën kohë, ky është një përmirësim për qytetarët e Lezhës – ata mund të kenë një ndjenjë krenarie dhe përkatësie”, tha ambasadori zviceran Adrian Maître.
“Ky projekt u realizua sipas standardeve europiane – dy urat do ta bëjnë më të bukur qytetin e Lezhës që po zhvillohet gjithnjë e më shumë. Zvicra është një nga donatorët kryesorë për qytetin tonë dhe falënderoj ambasadorin që është mik apo Lezha”, tha kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu.
Ideja e projektit erdhi nga Bashkia Lezhë bazuar në domosdoshmërinë e rikualifikimit të zonës urbane të qytetit në një kohë kur përgjatë shëtitores së lumit Drin filloi procesi i rikonstruksionit për objektet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Të dyja urat ofrojnë akses më të mirë në zonën kryesore të qytetit dhe veçanërisht në Memorialin e Skënderbeut – një vend me rëndësi historike dhe tërheqje turistike. Gjithashtu, dy kalatat ofrojnë mundësinë për udhëtime me varkë përgjatë lumit Drin deri në detin Adriatik.
Paketa e grantit (https://tinyurl.com/4ak8pt6t) është krijuar për të nxitur bashkëpunimin ndërkomunal, por edhe bashkëpunimin me bizneset private, OJQ-të dhe institucionet arsimore. Ai synon të rrisë konkretisht zhvillimin dhe kohezionin rajonal, të reduktojë pabarazitë midis rajoneve të ndryshme dhe të zhvillojë potencialet e zonave të largëta siç përfshihet në “Programin për Zhvillimin e Integruar dhe të Qëndrueshëm të 100+ Fshatrave të Shqipërisë 2022-2026” të qeverisë.
Zvicra dhe Austria kanë mbështetur prej disa vitesh Programin e Zhvillimit Rajonal në Shqipëri si pjesë e përpjekjeve për të inkurajuar zhvillimin ekonomik, për të reduktuar pabarazitë dhe për të përmirësuar kushtet sociale dhe ekonomike për qytetarët shqiptarë në të gjitha rajonet.