Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim uroi sot të gjithë shqiptarët për festën e Vitit të Ri, ndërsa theksoi se “SHBA dhe Shqipëria bënë përparim historik drejt forcimit të demokracisë, zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe rritjes së mundësive të përbashkëta të biznesit”.
Në një videomesazh ambasadorja Kim thekson se “është e vështirë të besosh se vitit 2021 tashmë po i vjen fundi. Ishte padyshim një vit sfidash të jashtëzakonshme, ndërsa bota vazhdoi të përballej me pandeminë COVID-19 dhe teksa Shqipëria vijoi rimëkëmbjen, pas tërmetit të 2019 dhe u përball me përmbytjet dhe zjarret e këtij viti”.
“Pavarësisht këtyre dhe sfidave të tjera SHBA dhe Shqipëria jo vetëm festuan 30- vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, por edhe bëmë përparim historik drejt forcimit të demokracisë, zgjerimit të bashkëpunimit tonë në fushën e mbrojtjes dhe rritjes së mundësivve të përbashkëta të biznesit”, theksoi Kim.
Ambasadorja shprehet se “me krenari ju mbështetëm teksa ecët përpara në zbatimin e reformës në drejtësi, Gjykatës Kushtetuese , pas tre vitesh përgjumjeje, filloi të funksionojë në fillim të këtij viti, duke iu bashkuar elementëve të tjerë të drejtësisë shqiptare, përfshirë SPAK dhe BKH. Falë profesionalizimit dhe përkushtimi tuaj kemi filluar të shohim rezultate reale në luftën kundër korrupsionit, krimit të oragnizuar dhe pandëshkueshmërisë”.
“Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, ajo po ecën përpara, duke ju sjellë më afër vendit që ju takon si anëtare e BE dhe më afër SHBA. Qytetarët këtë vit ushtruan të drejtën e tyre më themelore demokratike , të drejtën e votës, gjatë zgjedhjeve të përgjithshme. Raporti i ODHIR doli në përfundimin se procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të organizuar, transparente dhe të qetë. Në të njëjtën kohë raporti vuri në dukje mangësi dhe parregullsi dhe ne mirëpresim që t’ju mbështesim në përpjekjet për t’iu përgjigjur rekomandimeve të ODHIR”, nënvizoi Kim.
Këtë vit, vijon Kim, Shqipëria gjithashtu mirëpriti Defender Europë 21 , stërvitjen më të madhe ushtarake të udhëhequr nga SHBA, të mbajtur ndonjëherë në Ballkanin Perëndimor.
“Pothuajse 6 mijë ushtarë amerikane, përfshirë 3 gjeneralë me katër yje erdhën në Shqipëri, të gjithë u larguan me një vlerësim më të thellë për partneritetin tonë si aleate e NATO-s”, shtoi ajo.
Më tej, Kim u shpreh se “duke u mbështetur në memorandumin e Bashkëpunimit Ekonomik që nënshkruam në 2020 këtë vit biznese të mëdha amerikane, erdhën në Shqipëri për të nisur projektin e hidrocentralit të Skavicës dhe termocentralin e Vlorës. Ne ndihemi entuziastë për mundësitë e vitit të ardhshëm për më shumë tregti dhe investime mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Kemi akoma shumë punë përpara për të bërë së bashku në demokraci, mbrojtje dhe biznes. Shpresoj që duke menduar për vitin që lamë pas, të kuptojmë sesa shumë kemi ecur përpara së bashku”.
Duke vlerësuar sukseset tona të përbashkëta, Kim theksoi se “shpresoj të ndihemi të nxitur për të arritur akoma më shunë në 2022, për t’i bërë vendet tona më të drejta, më të forta dhe më të begata”.
“Në emër të Ambasadës së SHBA-së ju falënderojmë për vitin e mrekullueshëm që lamë pas së bashku dhe ju dërgojmë urimet më të mira për vitin që vjen”, përfundon Kim.