Sot bëhen 10 vjet nga vdekja e presidentit të parë të Republikës së pavarur të Maqedonisë, Kiro Gligorov.
Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski dhe delegacioni i Kuvendit në Varrezat e Qytetit në Butel sot do të vendosin lule në varrin e Gligorovit, me rastin e 10-vjetorit të vdekjes së tij.
Gligorovi ndërroi jetë më 1 janar 2012 në Shkup në shtëpinë e tij në moshën 94-vjeçare.
Ishte funksionari më i vjetër maqedonas në politikë. Më 17 nëntor të vitit 1999, kur përfundoi mandati i tij i dytë presidencial, ai kishte 82 vjet, ndërsa në vitin 2000 Libri i rekordeve të Ginisit e shënoi Gligorovin si presidentin më të vjetër të shtetit në botë.
Në vitin 1991 e udhëhiqte Maqedoninë e cila në rrugë paqësore u pavarësua nga Republika Federale Socialiste e Jugosllavisë së atëhershme në të cilën Gligorovi kryente funksione të larta shtetërore. Më 8 prill 1993 Gligorovi për herë të parë foli në gjuhën maqedonase në foltoren e Kombeve të Bashkuara kur Republika e Maqedonisë u bë anëtarja e 181-të e KB-së.
Më 3 tetor 1995 përjetoi atentat me automobil-bombë të vendosur në rrugën Maqedonia në afërsi të hotelit “Bristol”.
Pas pensionimit ishte aktiv si publicist. Gligorovi është autor i disa veprave, kryesisht të shkruara pas përfundimit të mandatit të tij si president – “Maqedonia është gjithçka që kemi” (2001), “Atentati- një ditë pas” (2002), “Kohë të stuhishme: Republika e Maqedonisë realiteti në Ballkan” (2004) dhe “Të gjitha reformat jugosllave (ekonomike)” (2006). Ai është gjithashtu themelues i Fondacionit “Kiro Gligorov”. Në vitin 2005 u bë mbajtësi i parë i “Urdhrit të Republikës së Maqedonisë”.