Fokus
Një akt i paprecedent ka ndodhur në Maqedoninë e Veriut nga Gjykata e Apelit e cila ka dhënë vendimin për lirimin nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë eurosh te Jordan “Orce” Kamçev, një nga emrat më të përfolur në Maqedoninë e Veriut.
Ky vendim është i dyti me këtë shumë marramendëse, pasi pak ditë para Viti të Ri, Sasho Mijallkov, ish-drejtori i policisë sekrete, po ashtu u lirua nga paraburgimi me garanci bankare prej gati 11 milionë eurosh.
Vlen të theksohet se Orce Kamçev, është familjar i Sasho Mijallkov.
Vendimin për lirimin e Kamçevit, bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera, e mori Gjykata e Apelit të martën në mbrëmje, pasi e ka vlerësuar si të mjaftueshëm shumën e ofruar si garanci për të mos u arratisur.
Kamçev, sikur edhe Mijallkov, akuzohen për veprën penale “Parcelat në Vodno”, blerje të paligjshme të tokës për ndërtim.
I akuzuari i parë në këtë rast është ish-kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski, i cili ndiqet penalisht për përvetësim të 1.3 milion eurove nga donacionet partiake të përdorura për blerjen e parcelave në Vodno, zonë turistike malore në Shkup.
Orce Kamçev, që nga 31 dhjetori ndodhet për trajtim mjekësor në spitalin “Sistina” për shkak të ankesave shëndetësore.
Ai ndodhet në paraburgim që nga marsi i vitit 2021, kur u arrestua lidhur me dyshimet se mund të arratisej.
Vendimi i Gjykatës së Apelit e detyron Kamçevin që të paraqitet rregullisht në gjykatë për të dëshmuar praninë e tij në Shkup ndërsa i janë konfiskuar edhe dokumentet e udhëtimit.
Biznesmeni i afërt me Gruevskin është i dyshuar edhe në një proces tjetër gjyqësor të koduar si “Perandoria”, ku hetohet për krim financiar, konkretisht për pastrim parash përmes kompanive në Maqedoni të Veriut dhe kompanive të regjistruara në vende të huaja.
Vendimi për lirimin e Kamçevit dhe vendimi tjetër për lirimin e Sasho Mijallkovit, ka nxitur reagime të shumta në opinion, duke e akuzuar gjyqësorin për lidhje me pushtetin e kaluar, por edhe korrupsion.
“Gjykatësit që morën vendimin duhet t’i japin llogari opinionit se në çfarë baze kanë marrë një vendim të tillë dhe në cilën formë do ta marrin përgjegjësinë në rast se Mijallkov arratiset”, thuhej në reagimin e ministrit të Drejtësisë, Bojan Mariçiq, raporton Radio Evropa e Lire.
Ndërsa Aleanca për Shqiptarët akuzoi gjyqësorin për standarde të dyfishta, pasi sipas opozitës shqiptare, mbeten të pazbardhura të gjitha rastet ku janë të dënuar shqiptarët.
Por përpos kësaj, ndonëse arrestimi i tyre, dha një impakt në pamje të parë se drejtesia po funksionon në Maqedoninë e Veriut edhe për rangjet më të larta, vendimet e fundit ndaj tyre nga Gjykata e Apelit e sfumoi këtë pakez shpresë që u zgjua për pak kohë nga sistemi i drejtësisë.
Si në rastin Kamçev dhe Mijallkov, të dy janë arrestuar pas akuzave për korrupsion, krim financiar, pastrim parash etj, çka e vërteton edhe pasuria prej 22 milionë eurosh e lënë tashme si garanci për lirimin e tyre.
Në fakt, kjo pasuri e lënë si garanci, do duhej të sekuestrohej që në krye të herës nga Gjykata dhe jo të pranohej si garanci për lirimin e tyre.
Kjo shumë marramendëse u jep shpresë të gjithë atyre zyrtareve të korruptuar që ndryshe nga të pandehurit e tjerë do të mund të hetohen në liri.
Bie fjala, me sa milionë euro mund ta fitojë lirinë ish-kryeministri Gruevski, i cili në fakt është më i lirë se kurrë rrugëve të Hungarisë, një shtet europian(!)
11 milionë euro për të blerë lirinë në Maqedoninë e Veriut…një drejtësi që funksionon vetëm për të korruptuarit.