Përgjatë kohës që zhvillohej protesta e Ish-kryeministrit Berisha dhe Komisionit të Rithemelimit të Partisë Demokratike përpara selisë së PD-së, ka patur reagime të ndryshme nga ndërkombëtaret për uljen e tensioneve nga ana e protestueseve duke u bërë thirrje organizatorëve që të dënojnë dhunën dhe që konflikti mes palëve të zgjidhet përmes dialogut.
Reagime kanë ardhur dhe nga Presidenti i Republikës Z.Meta dhe Kryeministri Z.Rama
SHBA
Ambasadorja amerikane, Yuri Kim ka reaguar menjeher ë pas nisjes s ë protestes para selisë së PD. Përmes një postimi në Twitter, ambasadorja amerikane Yuri Kim i ka bërë thirrje organizatorëve të protestës të dënojnë dhunën.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shumë të shqetësuar për shkak të rritjes së tensioneve në ndërtesën e selisë së Partisë Demokratike dhe përdorimit të forcës nga protestuesit. U bëjmë thirrje organizatorëve të protestës të refuzojnë/dënojnë dhunën dhe të kërkojnë qetësi. Ata që nxisin dhunë do të mbajnë përgjegjësi”, shkruan ambasadorja në Twitter.
BE
Po ashtu delegacioni i Bashkimit Europian ka dënuar dhunën e ushtruar në selinë e PD-së, teksa ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka bërë thirrje që konflikti mes palëve të zgjidhet përmes dialogut.
Delegacioni i Bashkimit Evropian dënon aktet e dhunës që kanë ndodhur sot dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të ushtrojnë qetësi dhe përmbajtje.
“Nuk duhet të ketë vend për dhunë në politikë. Të gjithë të përfshirët kanë përgjegjësinë të sigurojnë që demonstratat të zhvillohen në mënyrë të rregullt dhe paqësore dhe të garantojnë sigurinë e të gjithë njerëzve të pranishëm. Rruga e integrimit të Shqipërisë në BE ka nevojë për një opozitë solide që kontribuon në axhendën e reformave të vendit, duke iu përgjigjur aspiratës së popullit shqiptar, shumica dërrmuese e të cilit dëshiron ta shohë Shqipërinë në BE|, thuhet në deklaratë.
Ambasada Britanike
Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë ka reaguar për protestën në PD, ndërsa iu bën thirrje palëve që ta zgjidhin me dialog.
“MB është e shqetësuar nga përdorimi i forcës nga protestuesit në selinë e PD. I bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin dhunën.
Çdo mosmarrëveshje duhet të zgjidhet përmes dialogut, proceseve politike & ligjore, në interes të popullit shqiptar, jo interesave të ngushta individuale” mbyllet reagimi i Ambasadës britanike në Tiranë.
OSBE
Lidhur me situatën e rënduar në PD gjatë protestës së sotme ka reaguar edhe prezenca e OSBE në Tiranë.
Prezenca e OSBE-së bën me dije se po i ndjek zhvillimet në PD dhe se bëjnë thirrje për përmbajtje nga aktet e dhunës.
“Prezenca e OSBE-së po ndjek zhvillimet e sotme pranë selisë së Partisë Demokratike. Ne nxitim të gjithë aktorët e përfshirë të përmbahen nga çdo akt dhune dhe vlerësojmë policinë për ruajtjen e rendit publik. Protestat paqësore janë në themel të demokracisë.” – thuhet në reagimin e OSBE.
Ambasada Italiane
Ambasada e Italisë dënon me forcë aktet e dhunës që u ushtruan gjatë protestës politike në Tiranë. Përdorimi i dhunës si një mjet politik është i papranueshëm dhe në shkelje të Kushtetutës dhe të legjislacionit shqiptar.
U takon forcave të rendit të garantojnë ushtrimin në mënyrë të ligjshme të së drejtës për të protestuar si dhe për të ndërhyrë me mjetet e duhura nëse dhe kur do të jetë e nevojshme. Ftojmë të gjitha palët të shmangin dhunën si dhe të zgjidhin paqësisht çdo mosmarrëveshje. Politika pikërisht për këtë shërben.
Një reagim ka pasur edhe Presidenti i vendit, Ilir Meta i cili dënoi dhunën teksa shkroi se duhet gjendur një zgjidhje demokratike.
Presidenti Ilir Meta ka reaguar për situatën e krijuar në PD, me protestën e dhunshme të thirrur nga Sali Berisha. Meta bën thirrje që të ruhet qetësia dhe të shmanget dhuna, duke theksuar rëndësinë e një proteste paqësore. Sipas Metës është e domosdoshme që të gjendet një zgjidhje e menjëhershme demokratike.
“Duke ndjekur me shumë vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në selinë e Partisë Demokratike, theksoj rëndësinë e protestës paqësore, si një e drejtë fondamentale në demokraci, plotësisht legjitime dhe kushtetuese, që duhet respektuar nga të gjithë!
Bëj thirrje për ruajtjen e qetësisë, shmangien e akteve të dhunës, provokimeve dhe tensioneve të panevojshme.
Është tepër e domosdoshme gjetja e një zgjidhjeje të menjëhershme demokratike, që i shërben paqes sociale dhe demokracisë në vend”, thotë Meta.
Ndrsa Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të reagojë me një shprehje të aktorit John Wayne, teka shkruan në Instagram: “Jeta është e vështirë, por budallenjtë e vështirësojnë edhe më shumë“.