Kuvendi i Maqedonisë së Veriut filloi sot seancën në rend dite të së cilës është zgjedhja e qeverisë së re.
Në fillim të seancës foli edhe mandatari Dimitar Kovaçevski, lideri i Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM), propozimi i të cilit për përbërjen e kabinetit të ri që e parashtroi, sot dhe nesër do të jetë para deputetëve.
Seanca parlamentare zgjat maksimum dy ditë dhe në fund të ditës së dytë, pra nesër, para mesnate duhet të bëhet votimi.
Kujtojmë se më 23 dhjetor 2021, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut konfirmoi dorëheqjen e kryeministrit Zoran Zaev, të cilën ai e njoftoi pas suksesit të dobët të partisë së tij në zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit të kaluar
Më pas, Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, e njoftoi presidentin Stevo Pendarovski se duhet të emërojë mandatar për përbërjen e qeverisë së re.
Më 29 dhjetor të vitit të kaluar, presidenti Pendarovski ia dha mandatin për përbërjen e qeverisë së re Kovaçevskit, i cili më parë ishte zgjedhur kryetar i LSDM-së në pushtet pas dorëheqjes së Zaevit.