Presidenti kinez Xi Jinping mbajti të hënën një fjalim të posaçëm nga Pekini në sesionin virtual të Forumit Ekonomik Botëror për vitin 2022, ku ai i bëri thirrje botës të bëjë gjithçka duhet për të luftuar pandemisë dhe për të nxitur rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik e shoqëror, me qëllim që “rrezet e diellit të shpresës të ndriçojnë të ardhmen e njerëzimit”.
Pas dy javësh, Kina do të festojë ardhjen e pranverës në vitin e ri hënor, Vitin e Tigrit, tha Xi, duke vënë në dukje se në kulturën kineze, tigri simbolizon trimërinë dhe forcën, ndërsa populli kinez shpesh i referohet dragoit të zhdërvjellët dhe tigrit të shkathët, ose dragoit fluturues dhe tigrit që kërcen.
“Për të përballuar sfidat e vështira me të cilat përballet njerëzimi, ne duhet t’i shtojmë krahë tigrit dhe të veprojmë me guximin dhe forcën e tigrit për të kapërcyer të gjitha pengesat në rrugën tonë përpara”, tha Xi.
Ai theksoi se Kina nuk duhet ta rrisë kurrë ekonominë e vet me koston e varfërimit të burimeve dhe shkatërrimit të mjedisit, por as nuk duhet ta sakrifikojë rritjen për të mbrojtur mjedisin.
Kreu i shtetit i Kinës e përshkroi zhvillimin ekonomik me kosto në mjedis si “tharja e një pellgu për të kapur peshk” dhe sakrifikimin e rritjes për të mbrojtur mjedisin si “ngjitja në një pemë për të kapur peshk”.
“E udhëhequr nga filozofia jonë se ujërat e pastra dhe malet e gjelbra janë po aq të vyera sa ari dhe argjendi, Kina ka bërë ruajtjen e gjithanshme dhe administrimin sistematik të maleve, lumenjve, pyjeve, tokave bujqësore, liqeneve, kullotave dhe shkretëtirave të saj,” theksoi kreu i shtetit kinez.
Kina bën gjithçka që mundet për të ruajtur sistemin ekologjik, për të intensifikuar parandalimin e kontrollin e ndotjeve dhe për të përmirësuar mjedisin e jetesës dhe të punës për popullin e vet, tha ai.
Ekonomia kineze ka një hov të mirë zhvillimi në përgjithësi, theksoi Xi, duke përmendur se produkti i brendshëm bruto i Kinës vjet u rrit me rreth 8 për qind krahasuar me vitin 2021, duke arritur objektivin e dyfishtë të rritjes mjaft të lartë dhe inflacionit relativisht të ulët.
Ndryshimet në mjedisin ekonomik të brendshëm dhe ndërkombëtar kanë sjellë një trysni të jashtëzakonshme, por themelet e ekonomisë kineze, të karakterizuara nga qëndrueshmëria e fortë, potenciali i madh dhe vijueshmëria afatgjatë, mbeten të pandryshuara, tha ai.
“Begatia e përbashkët që dëshirojmë, nuk është barazitizmi,” shtoi presidenti Xi. “Po të përdor një analogji, ne fillimisht do ta bëjmë byrekun më të madh dhe më pas do ta ndajmë atë siç duhet nëpërmjet rregullimeve të arsyeshme institucionale.”
“Ashtu si një dallgë e madhe i ngre të gjitha varkat, të gjithë do të marrin pjesën e duhur nga zhvillimi dhe nga zhvillimi do të përfitojë i gjithë populli ynë në një mënyrë më thelbësore dhe të barabartë,” u shpreh ai.
Rruga e duhur për njerëzimin është zhvillimi paqësor dhe bashkëpunimi me përfitime të përbashkëta, theksoi Xi.
Ai bëri thirrje për të ndjekur prirjen e historisë, duke punuar për një rend ndërkombëtar të qëndrueshëm, duke mbrojtur vlerat e përbashkëta të njerëzimit dhe duke ndërtuar një bashkësi me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin.
“Ne duhet të zgjedhim dialogun në vend të konfrontimit dhe gjithëpërfshirjen në vend të përjashtimit, duke kundërshtuar të tëra format e unilateralizmit, proteksionizmit, hegjemonisë apo politikës së forcës”, tha Xi.
Më tej ai shtoi: “Globalizimi ekonomik është prirja e kohës. Megjithëse një lumë ka kundërrryma, asnjë nuk mund ta ndalojë atë të rrjedhë në det. Forcat shtytëse shtojnë vrullin e lumit dhe rezistenca mund të forcojë rrjedhën e tij. Pavarësisht kundërrrymave dhe cektinave të rrezikshme gjatë rrugës, globalizimi ekonomik nuk e ka ndryshuar dhe nuk do ta ndryshojë kurrë kursin e vet.”
“Vendet në mbarë botën duhet të mbështesin multilateralizmin e vërtetë,” vuri në dukje presidenti Xi. “Ne duhet të heqim pengesat, jo të ngremë mure; duhet të hapemi, jo të mbyllemi; duhet të synojmë integrimin, jo shkëputjen. Kjo është mënyra për të ndërtuar një ekonomi të hapur botërore.”
Duhet t’u jepen përgjigje pyetjeve kryesore dhe urgjente se si të mposhtet pandemia dhe si të ndërtohet bota pas COVID-19. Këto janë çështje kryesore me interes të përbashkët për popujt në mbarë botën, shtoi ai.
Bota sot po pëson ndryshime të mëdha të papara në një shekull, vuri në dukje Xi, duke shtuar se këto ndryshime, të pakufizuara në një moment, ngjarje, vend a rajon të caktuar, përfaqësojnë ndryshimet e thella dhe të gjithanshme të kohës.
“Ndërsa ndryshimet e kohës ndërthuren me pandeminë e shekullit, bota e sheh veten në një periudhë të re turbullirash dhe transformimi,” tha presidenti Xi Jinping në fjalimin e tij të posaçëm në sesionin virtual të Forumit Ekonomik Botëror. /CRI