Roberta Metsola, një politikane kristiandemokrate nga Malta, u zgjodh sot në detyrën e Presidentes së Parlamentit Evropian.
Me një mandat prej 2 vitesh e gjysmë, ajo do të zëvendësojë në këtë post David Sassoli, i cili ndërroi jetë javën e kaluar.
Zonja Metsola e cila këtë të martë festoi ditëlindjen e saj të 43, është presidentja më e re e Parlamentit Evropian dhe e treta grua e zgjedhur në këtë post.
“Ndihem e nderuar nga kjo përgjegjësi që po më besoni. U premtoj se do të bëj çmos që në emër të këtij Parlamenti të punoj për të mirën e të gjithë qytetarëve të Bashkimit Evropian. Gjëja e parë që do të doja të bëja si presidente është të mendoj për trashëgiminë e David Sassoli-t. Ai ishte një luftëtar. Ai luftoi për Evropën, për ne, për këtë parlament. Ai besonte tek fuqia e Evropës dhe kapaciteti i saj për të ndjekur një rrugë të veçantë në këtë botë. Faleminderit shumë, David”, tha zonja Metsola, Presidente e Parlamentit Evropian.
Metsola ishte kandidatja e vetme e grupit më të madh të parlamentit. Ajo mori 458 vota nga 616 gjithsej. Prej 11 janarit, pas vdekjes së zoti Sassoli ajo ishte presidente në detyrë.
Në një video të postuar në Twitter përpara zgjedhjes së saj, Metsola tha se ishte “koha që Parlamenti Evropian të drejtohej nga një grua”, kështu që BE-ja mund të dërgojë një mesazh pozitiv për “çdo vajzë të re” në të gjithë kontinentin.
Në premtimin e saj për parlamentarët, Metsola tha se donte të “ripërtëriste atë ndjenjë shprese dhe entuziazmi” në projektin evropian, duke kërkuar të lidhej me qytetarët përtej “flluskave” të Brukselit dhe Strasburgut.
Kur ishte vetëm student, Metsola bëri fushatë për anëtarësimin e Maltës në BE, gjë që e bëri në vitin 2004, duke u bërë shteti anëtar më i vogël i bllokut me një popullsi prej pak më shumë se 500,000 banorë.
Politikania 43-vjeçare do të drejtojë një institucion të BE-së, i cili është bërë më i fuqishëm me kalimin e viteve dhe ka qenë vendimtar në hartimin e politikave të bllokut prej 27-vendesh për çështje të tilla si ekonomia dixhitale, ndryshimet klimatike dhe Brexit.
Parlamenti Evropian përfaqëson 450 milionë qytetarët e BE-së dhe shpesh cilësohet si “zemra e demokracisë evropiane”.