Po, sot jemi të dështuar si shoqëri dhe si shtet përpara Nënës mirditore e cila endej mbi shtëpinë e saj gërmadhë. Këtë fjali murmurita nëpër dhëmbë ndërsa shikoja këto pamje nga mediat televizive.
78 vjeçarja Liza Marku është një prej kryefamiljareve që ra pre e dhunës policore tek zona e 5 Majit e sot ajo duhet të kaloj natën në qiell të hapur, pavarësisht temperaturave tejet të ulta.
” Jam 78 vjeçare pohon ajo për mediat, nuk ma merrte mendja që të shikoja mundin e fëmijëve të mi kështu …”, thotë ajo mes lotëve, ndonëse ishte mbajtur si burrneshe deri në ato momente në lufte me policinë e shtetit e cila është kthyer në një agjensi përmbarimi të Bashkisë dhe të qeverisë.
E them këtë pasi duke parë këto pamje të përsëritura disa herë, them me bindje që i vetmi institucion që funksionon në këtë vend është policia e shtetit ose më saktë policia e qeverisë Rama.
Nuk dua të anatemoj aspak policinë, pasi ajo po kryen një detyrë që iu është ngarkuar pavarësisht se nuk janë aspak etike në punën e tyre. Megjithatë duhet thënë se policia përdoret rëndom në mungesë të institucioneve të tjera në këtë vend.
Sa herë hapen kantiere të reja ndërtimi, qofshin këto pjesë e urbanizimit të Tiranës apo siç është rasti konkret me rindërtimin pas tërmetit të 26 Nëntorit, përballemi me këto skena të dhunshme fizike dhe psikologjke. Pa marrë parasysh nëse përballë janë, gra, vajza, nëna apo fëmijë të vegjel, ata dhunohen kolektivisht. Me zë dhe me figurë, dëgjohen rënkimet, lutjet dhe lotët e fëmijëve dhe nënave …po qeveria a i dëgjon?
Qeveria thotë se është aty për të bërë një projekt më të mirë rindërtimi për të gëzuar qindra banorë të prekur nga tërmeti, por nga ana tjetër po bën “kurban” dhjetra zemra.
Vallë çfarë mendon Znj. Lindita Nikolla, kryetare e parlamentit të Shqipërisë, ndërsa shikon nënën mirditore me lot në sy sipër gërmadhave të mbetura nga shtëpia e saj ?
Sot znj. Nikolla duhet të reagonte jo vetëm si grua dhe si nënë, por dhe si bijë e Mirditës e si deputete e këtij qarku.
Pse nuk reagon shoqëria civile ?
Ku janë ata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, të cilët u traumatizuan që nga orët e para të mëngjesit. Si në luftë, kur armiku të godet në pabesi.
Zoti Veliaj pse sot nuk u bëre “lali” i fëmijëve të zonës së 5 Majit? A mendon se si do të shkojnë ata nesër në shkollë. Ku do hanë, ku do lahen, ku do mësojnë?
Pse nuk mund ti jepni një zgjidhje tjetër më qytetare, a thua vetëm me dhunë mund të binden këta qytetarë, tashmë pjesë e kryeqytetit më shumë se 20 vitesh?!
Nuk dua të paragjykoj projektin, por dënoj me forcë këtë mënyrë barbare të të zbatuarit të tij.
Shqipëria një vend anëtar i NATO-s, aleat i SHBA-së, aspirant që të bëhet anëtar i familjes europiane nuk mund të kthehet në një shtet policor që mban nën dhunë qytetarë të pafajshëm dhe të pambrojtur.
Ndërtoni një shtet ligjor.