Nis puna për realizimin e projektit për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës.
Në ceremoninë e nisjes së punimeve, ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi së bashku me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe ambasadorë të vendeve të tjera të akredituar në Tiranë.
Në fjalën e tij, Rama citoi një thënie të gjeneralit amerikan Tod Wolters, i cili në një vlerësim mbi rëndësinë e pozicionit strategjik të vendit tonë si pikë ndikuese në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë, gjatë një dokumentari të NATO-s për bazën e Kuçovës, është shprehur se, “kur i hedh një sy rajonit të Adriatikut dhe shikon krahun jugor të kontinentit evropian është shumë e rëndësishme të ruhet paqja dhe prosperiteti. Për këtë arsye Shqipëria në Ballkan, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor bëhet një vend me rëndësi kritike”.
Rama theksoi se, “vendimi që NATO mori për ta përzgjedhur këtë hapësirë si një mjedis të ri për adresimin e sfidave të sigurisë, duke e transformuar në një bazë ajrore taktike të Aleancës në rajon, konfirmon faktin se Shqipëria e vogël është sidoqoftë një vlerë e shtuar në këtë Aleancë, e cila bashkon së bashku shtete që besojnë në disa vlera dhe parime për të cilat ia vlen të luftohet”.
Natyrisht, shtoi Rama, “që për ne lajmi i kësaj vendimmarrjeje të NATO-s, ishte një lajm shumë i mirëseardhur, sepse si të thuash, jo vetëm krijonte vlerë të re në gjithë infrastrukturën tonë të mbrojtjes, por në të njëjtën kohë përçonte edhe një energji të re në përpjekjen tonë për ta shfrytëzuar me sa më shumë inteligjencë dhe pragmatizëm pozicionin tonë strategjik, në aspektin gjeografik, dhe pozitën tonë në NATO, në aspektin politik, por edhe ushtarak”.
“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përmasën e vendit tonë dhe për volumin e kontributit tonë në raport me vendet e tjera, por falë edhe punës së përbashkët, e cila është realisht një punë që e ka çuar bashkëpunimin me SHBA-të në një nivel komplet tjetër, dhe falë mbështetjes që ne po gjejmë vijimësisht nga SHBA-të dhe nga strukturat e mbrojtjes së SHBA-ve, ne po vetëdijësohemi përditë e më shumë se nëse investojmë në mënyrë inteligjente dhe nëse adresojmë në rrugën tonë të forcimit dhe njëkohësisht të rritjes së cilësisë të forcave tona ushtarake, ashtu siç duhet, ne mund të jemi vlerë e shtuar për NATO-n edhe me projekte të tjera”, vijoi Kryeministri Rama.
“Faktikisht sot ne po shohim të realizuar një projekt, i cili kur erdhi si lajm ishte i pabesueshëm për shumëkënd. Madje më kujtohet fare mirë sesa shumë është përqeshur ai lajm dhe sesa shumë komente mosbesuese janë bërë atëherë kur 3 vjet më parë, lajmi u bë publik dhe se sa shumë është ndjekur në vijimësi ky proces nga komente dhe opinione, sipas të cilave ky moment sot nuk do të vinte kurrë dhe asnjëherë nuk do të ndodhte që Kuçova të kthehej në një bazë ajrore, ku do të zbatohen 5 projekte, të ndara në 3 paketa të rëndësishme dhe ku, përveç përfitimeve në aspektin strategjik dhe ushtarak, do të impaktohet në mënyrë afatgjatë edhe ekonomia dhe në aspektin social, po ashtu, zona e Kuçovës do të ketë një përfitim të ardhur nga qielli në këtë rast”, tha Rama.
Shndërrimi i bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s, u cilësua nga Kryeministri Edi Rama si një mundësi e shkëlqyer për forcat tona të armatosura në ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe modernizimin e forcave ajrore.
“Shefi i Shtabit nënvizoi një element që, në këndvështrimin, është fillesa e një filli që i lidh të gjitha këto bashkë, stërvitjen ushtarake të NATO-s në të gjithë këtë pjesë të botës, Defender Europe 2021, për të cilën kemi marrë vlerësime të rëndësishme, por edhe nga e cila ne kemi mësuar gjëra të rëndësishme për t’u përmirësuar më tutje”, theksoi Rama.
“Jemi në një pozicion të favorshëm për ta rikthyer këtu këtë stërvitje edhe në 2023 dhe ambicia jonë është që kjo stërvitje të jetë një fill që lidh çdo dy vjet veprimtarinë e përgjithshme të forcave tona të armatosura, në kuadrin e NATO-s”, tha Rama.
“Besoj që ky element flet shumë, por për ne është shumë i rëndësishëm në të dyja anët, sepse kemi shumë për të marrë akoma nga e ardhmja, në kuptimin e zhvillimit, në kuptimin e forcimit të pozicionit tonë, në kuptimin e pasjes së një peshe dhe të një rëndësie specifike në kuadrin e NATO-s, por nga ana tjetër, është tejet e rëndësishme sepse na jep mundësinë të mësojmë nga më të mirët, të vetëdijshëm që nuk do t’i arrijmë kurrë sepse asnjëherë nuk do bëhemi dot aq të zhvilluar dhe aq cilësisht të padiskutueshëm sesa, për shembull, Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, se nuk ka se si të ndodhë, por ama duke qenë në një shoqëri kaq të mirë në këtë drejtim, do mund të përmirësohemi e të përmirësohemi, e të kemi një Forcë të Armatosur, e cila për nga pesha e numrave do të mbetet gjithmonë shumë modeste në kontekstin e përgjithshëm të NATO-s, por për nga cilësia, jam i bindur, mund të bëhet një model i shkëlqyer dhe një shembull kuptimplotë edhe për të tjera vende të vogla ose pak më të mëdha se sa vendi ynë dhe mund të luajë rolin e vetë, duke shfrytëzuar teknologjinë, duke shfrytëzuar inovacionin e duke rritur kapacitetet e veta njerëzore”, shtoi Rama.
Ambasada Amerikane: Po bëjmë një aleancë të fortë akoma edhe më të fortë!
“Po bëjmë një aleancë të fortë akoma edhe më të fortë! Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim mori sot pjesë në një ceremoni në bazën ajrore të Kuçovës, me rastin e fillimit të një projekti rindërtimi prej 50 milionë eurosh të NATO-s. Gjatë viteve të ardhshme, NATO do të financojë rinovimet dhe ndërtimin e plotë në bazën ajrore të Kuçovës. Pas përfundimit, baza do të jetë në gjendje të mbajë gjashtë avionë luftarakë në baza periodike. Kryeministri Edi Rama, Ministri i Mbrojtjes Peleshi dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Begaj mbajtën të gjithë fjalën e rastit, duke pohuar se ky është një tjetër hap në rritjen e rolit të Shqipërisë si anëtare e aleancës”, është ky mesazhi i ambasadës amerikan në rrjetët sociale .
<iframe src=”https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fusembassytirana%2Fposts%2F297651292390035&show_text=true&width=500″ width=”500″ height=”761″ style=”border:none;overflow:hidden” scrolling=”no” frameborder=”0″ allowfullscreen=”true” allow=”autoplay; clipboard-write; encrypted-media; picture-in-picture; web-share”></iframe>