Prej më shumë se një viti Kosova nuk e ka siguruar asnjë njohje ndërkombëtare të pavarësisë së saj. Njohja e fundit e pavarësis së Kosovës ka ardhur nga Barbadosi, më 15 shkurt të vitit 2018, në prag të dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.
Ndërkohë, Serbia ka raportuar për tërheqje të njohjeve nga disa shtete që e kishin njohur shtetin e Kosovës. Por, numri i saktë i vendeve që e kanë tërhequr njohjen mbetet i panjohur. Tërheqja e njohjeve përdoret edhe mund të fryhet nga Serbia, e cila po e përdor këtë si mjet të luftës së saj kundër shtetit të Kosovës.
Opozita dhe analistë politikë në Kosovë vlerësojnë se mungesa e njohjeve të reja dhe tërheqja e njohjeve të deritashme që po trumpetohet nga Serbia janë pasojë e dështimit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
Por, në këtë ministri, të cilën e udhëheq zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, thonë se së shpejti priten 19 njohje të reja të pavarësisë së Kosovës
Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme e Kosovës, pavarësinë e vendit deri më tani e kanë njohur 116 shtete të botës, pa i llogaritur edhe çnjohjet eventuale, numri i të cilave mbetet i panjohur.