Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi njoftoi sot vendimin për mbylljen e shkollave javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, për shkak të motit të ftohtë që pritet të përfshijë vendin.
Kushi u shpreh se sipas parashikimeve meteorologjike, në ditët në vijim priten temperatura tepër të ulëta, të cilat janë temperatura të jashtëzakonshme për një vend si i yni, madje në disa zona do të arrijë deri në -17 gradë Celsius.
“Për këtë arsye, duke qenë se prioriteti ynë absolut në çdo kohë është shëndeti dhe mirëqenia e fëmijëve tanë, kemi vendosur që shkollat të mbyllen javën e ardhshme, nga dita e hënë deri të mërkurën, dhe orët e humbura do të zëvendësohen në vijim pas një njoftimi të dytë në bashkëpunim me zyrat vendore arsimore”, theksoi ministrja.
Natyrisht, sipas saj, nëse parashikimet nuk do të dalin të sakta, dhe temperaturat do të jenë më të pranueshme, vendimi do të rishikohet. “Do të jemi në komunikim të vazhdueshëm me ju, sepse për ne edhe procesi mësimor ka rëndësi prioritare”, iu drejtua Kushi prindërve.
“Të dashur prindër! Ju lutem merrni masa për ju dhe fëmijët tuaj, në mënyrë që t’i kapërcejmë sa më lehtë këto ditë të vështira të dimrit”, përfundoi ajo duke falënderuar për mirëkuptimin.