Partia Socialiste e Shqipërisë këtë të martë ka depozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dokumentacionin për t’u regjistruar në zgjedhjet e pjesshme vendore të datës 6 mars 2022, që pritet të mbahen në gjashtë bashki të vendit.
Dokumentacioni është dërguar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri.
Partia Socialiste ka dërguar gjithashtu edhe propozimet e saj për anëtarët e KZAZ.
Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën e zgjedhjeve të pjesshme në bashkitë e Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Vorës, Rrogozhinës dhe Lushnjes.
Bashkia Shkodër është prej vitit 2019 pa kryetar të ri, pasi fituesi i zgjedhjeve, Valdrin Pjetri i Partisë Socialiste, e humbi mandatin për shkak të ligjit të dekriminalizimit, pasi kishte të fshehur një dënim në të shkuarën. Detyrën e ushtron kryetarja e vjetër e bashkisë, Voltana Ademi.
Edhe bashkia e Vorës mbeti pa kryetar pasi Agim Kajmaku u bë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Në bashkinë Rrogozhinë ndërroi jetë kryebashkiaku Haxhi Memolla, ndërsa kryetari i Bashkisë Dibër, Dionis Imeraj, dha dorëheqjen pasi garoi për deputet në listën e PS-së.
Bashkia e Durrësit mbeti gjithashtu pa kryetar pas dorëheqjes në dhjetor 2019 të Valbona Sakos. Bashkia e fundit që mbeti pa kryetar është ajo e Lushnjës në korrik 2021, kur kryetari Fatos Tushe u shkarkua nga Kryeministri pasi u arrestua për korrupsion nga SPAK.
Këto zgjedhje u mbajtën në një situatë konfliktuale politike, pasi opozita vendosi t’i bojkotojë ato, ndërsa vetë presidenti i kishte anuluar me dekret.
Para caktimit të datës ai u konsultua me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, i cili tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën për shumë kohë për këtë çështje.
Partia Demokratike nuk u thirr për konsultime nga presidenti, ndërkohë që shpallja e zgjedhjeve vjen në një moment kur partia më e madhe e opozitës është e përçarë./