Doganat shqiptare kanë përfituar një program të ri mbështetje nga Bashkimi Evropian. Lajmi është konfirmuar gjatë vizitës së drejtorit të Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli në takimin që zhvilloi të martën në Bruksel me Gerassimos Thomas, Drejtor i Përgjithshëm për Taksat dhe Doganat.
Drejtori i Përgjithshëm përgjegjës për Bashkimin Doganor në BE shprehu mbështetjen për Doganën Shqiptare falë performancës në programin e mëparshëm dhe në mbledhjen rekord të të ardhurave doganore.
Programi i ri i mbështetjes nga DG TAXUD për periudhën 2022-2027 fokusohet kryesisht te mbrojtja e interesave financiare dhe ekonomike të BE-së, lehtësimin e tregtisë dhe bashkëpunimin, mbështetje e përgjithshme strategjike, forcimi i sigurisë sidomos në Porte.
Zoti Gazheli, në emër të ADSH, falënderoi zotin Thomas për mbështetjen e vazhdueshme dhe të vlefshme përmes Programeve të Bashkimit Evropian, si “Doganat 2020”, i cili u përmbyll me sukses në nëntor 2021.
Gjithashtu zoti Gazheli e njohu bashkëbiseduesin me përformancën e Doganës Shqiptare, e cila në 2021 që shkoi arriti rekordin në mbledhjen e të ardhurave në vite. Ndërkohë prioritetet për vitin 2022 janë intensifikimi i punës për Projektin (rajonal) të Bankës Botërore “Lehtësimi i Tregtisë në Ballkanin Perëndimor (WBTTFP)” i cili përfshin dhe “ Dritarja e vetme Kombëtare (National Single Window)”, Konventa e Tranzitit të Përbashkët, dhe Sistemi i ri i Kompjuterizuar i Transitit – Platforma NCTS.
Një tjetër prioritet i ADSH, në kuadër të rekomandimeve të Komisionit Evropian, është dhe zhvillimi i moduleve të Sistemit të Integruar të Menaxhimit të Tarifave (ITMS), që parashikon ndërtimin e një Sistemi të Integruar të Menaxhimit të Tarifave plotësisht në përputhje me ITMS të BE-së.
Administrata doganore ka dhënë kontributet e saj edhe në procesin e integrimit evropian kryesisht në kapitullin “29-Doganat” në përafrimin e legjislacionit në fushën e bashkimit doganor për të arritur standardet e doganave të Bashkimit Evropian.
Në funksion të lehtësimit të tregtisë me BE-në dhe rajonin, për herë të parë gjatë vitit 2021 janë dhënë certifikatat për 8 Operatorë Ekonomikë të Autorizuar, janë digjitalizuar 34 nga 41 shërbimet doganore si dhe në kuadër të Strategjisë së Biznesit së Administratës Doganore 2022-2025 synimi është që më shumë se 50 % të zhdoganimeve jenë në kanalin jeshil duke lehtësuar bizneset në eksporte dhe importe./MONITOR