Një tryezë mbi zbatimin e dekriminalizimit ka bërë bashkë, kreun e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, kryeprokuroren Arta Marku si dhe kreun e KQZ-së, Klement Zguri. Gjatë fjalës së tij, kreu i prezencës së OSBE-së e ndali theksin tek situata politike.
““Reforma zgjedhore kërkon 84 vota. Nuk e di nëse ata që janë futur në parlament janë në favor të reformës, por votimi i tyre është i ligjshëm nga pikëpamja juridike. OSBE rekomandon dialog për reformën zgjedhore.Jemi shumë pranë zgjedhjeve të qershorit, por Shqipëria po kalon një moment kritik. Për fat të keq ndryshimet e kërkuara dhe reforma zgjedhore nuk është votuar, ka ngecur në Kuvend”, tha Borchardt.
Sipas tij, akuzat politike për shitblerje votash duhet të marrin një përgjigje konkrete, pasi minojnë besimin e publikut.
“Akuzat politike për integritetin e shtetit minojnë besimin e publikut, nxis pjesëmarrësit të fokusohen në dekriminalizimin e kandidatëve në zgjedhje. Siç theksohet në raportin e fundit të ODIHR, autoritetet duhet t’i japin përgjigje akuzave për shitblerje votash pasi është vënë në rrezik besimi i publikut”,- tha Borchardt ndër të tjera.