“Antisemitizmi është mes nesh”, tha presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas gjatë seancës përkujtimore të Bundestagut për viktimat e nacionalsocializmit në Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit.
Që nga viti 2005, 27 Janari është shpallur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Holokaustit. Më 27 Janar 1945 ushtarët e Ushtrisë së Kuqe çliruan në Poloninë e pushtuar atëherë nga nazistët kampin nazist të shfarosjes Auzhvic-Birkenau. Sipas të dhënave në këtë kamp u vranë të paktën 1,1 milionë hebrenj.
Bundestagu që nga viti 1996 i kujton viktimat e nacionalizmit në një seancë përkujtimore. Ishte presidenti i atëhershëm, Roman Herzog, ai që e nxiti idenë e shpalljes së ditës të çlirimit të kampit Auzhvic si ditë përkujtimore në Bundestag. Seancën e hap tradicionalisht presidenti/ja e Bundestagut.
Këtë vit seancën përkujtimore e hapi presidentja e zgjedhur para pak javësh, Bärbel Bas (SPD). “Ne kujtojmë miliona njerëz që u përndoqën, u vodhën, u poshtëruan, iu morën të drejtat, u torturuan dhe iu dorëzuan vdekjes. Sepse ata mendonin ndryshe, besonin ndryshe, dashuronin ndryshe, apo sepse jeta e tyre ishte “e pa vlerë” për nacionalsocialistët”, tha Bas.
“Kujtesa dhe përkujtimi nuk të bëjnë imun ndaj antisemitizmit”
Gjenocidi ndaj hebrenjve të Europës ishte një krim gjerman, por në të njëjtën kohë është një e kaluar që lidhet me të gjithë, tha në fjalën e saj Bas, e cila bëri thirrje për vigjilencë kundër antisemitizmit e para armiqësisë së vazhdueshme ndaj hebrenjve. “Antisemitizmi është mes nesh”, tha Bas. Ai nuk është një problem vetëm i ekstremeve politike, por një problem i të gjithë shoqërisë dhe është i paparanueshëm. “Pikë. Pavarësisht nga vjen.”
Presidentja e Bundestagut theksoi, se “kujtesa dhe përkujtimi nuk të bëjnë imun ndaj antisemitizmit”. Liria dhe demokracia janë të varura nga qytetarët e angazhuar, që në këtë rast duhet të tregojnë edhe “guxim për intolerancë” ndaj antisemitizmit. Por edhe “kush nxit urrejtje kundër myslimanëve e besimit të tyre nuk është i besueshëm as si mik i hebraizmit”, kujtoi Bas. Kurse në një deklaratë të përbashkët të ministres së Jashtme gjermane, Annalena Baerbock dhe ministrit të Jashtëm izraelit, Yair Lapi thuhet se “është detyrimi ynë solemn kundrejt të gjithë viktimave dhe të mbijetuarve të mos i harrojmë ata kurrë.” Në përkujtimin në Bundestag mori pjesë edhe kryetari i parlamentit izrealit, Mickey Levy.
Inge Auerbacher: Dëshira ime më e thellë është pajtimi
Në seancën përkujtimore në Bundestag foli edhe 87 vjeçarja, e mbijetuara e Holokaustit, Inge Auerbacher. Në fjalën e saj e mbijetuara e Holokaustit rrëfesu se si u dërgua në moshën 7 vjeçare, në vitin 1942 në kampin e përqëndrimit, Terezienshtat. Pas çlirimit të kampit, ajo me familjen u vendos fillimisht në Shtutgart, pastaj në vitin 1946 familja emigroi në SHBA.
E kam akoma në kujtesë “këtë kohë të tmerrit dhe urrejtjen ndaj hebrenjve”, tha Auerbacher. Për fat të keq ky kancer është zhvilluar sërish. Në shumë vende, edhe në Gjermani urrejtja ndaj hebrenjve është prapë përditshmëri, tha ajo, por kjo sëmundje duhet të shërohet sërish. “E shkuara nuk duhet të harrohet kurrë. Së bashku le të lutemi për unitet në këtë tokë.” Auerbacher bëri thirrje për pajtim. “Urrejtja ndaj njerëzve është diçka e tmerrshme. Ne të gjithë kemi lindur si vëllezër dhe motra. Dëshira ime më e thellë është pajtimi i të gjithë njerëzve.” Në vitin 1986 Inge Auerbacher publikoi kujtimet e fëmijërisë që në Gjermani u publikuan nën titullin “Unë jam një yll”.
Seanca përkujtimore në Bundestag zhvillohet edhe me shoqërim muzikor. Tradicionalisht aty marrin pjesë edhe presidenti gjerman, kësaj here Frank-Walter Steinmeier, kancelari Olaf Scholz, si edhe presidenti i Këshillit Federal, Bodo Ramelow dhe presidenti Gjykatës Kushtetuese, Stephan Harbarth./DW