I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.
Pas takimit që zhvilloi të hënën në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Escobar tha në një konferencë për media se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta afrojë Kosovën më pranë Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.
“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë [Ballkanin Perëndimor] si një mundësi të jashtëzakonshme, me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht. Ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e pranojnë Ballkanin Perëndimor si një mundësi të jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik”.
“Në këtë kuptim, ne i inkurajojmë të gjitha palët që t’i shohin shtetet e Ballkanit Perëndimor si anëtare potenciale të BE-së në të ardhmen – të gjitha në paqe me njëra-tjetrën, të gjitha produktive dhe anëtare të afta, ashtu siç i kemi parë ne: si partnere bilaterale. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, tha Escobar.
Escobar, së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, nisën të hënën vizitën pesëditore në Kosovë dhe Serbi, me qëllim inkurajimin e liderëve të të dyja shteteve që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.
Duke folur për dialogun, Escobar tha se ky proces, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, e ka mbështetjen e plotë të Uashingtonit.
“Dialogu e ka mbështetjen tonë të plotë dhe duhet të udhëhiqet nga BE-ja, sepse ka të bëjë me Evropën. Por, teksa ju lëvizni drejt BE-së, ju do të vazhdoni të jeni miq të ngushtë të SHBA-së, sepse është një partneritet trans-atlantik, komunitet trans-atlantik, ku ju tashmë jeni pjesë dhe ky dialog do t’ju afrojë edhe më shumë”, tha Escobar.
Duke iu drejtuar gazetarëve, Lajçak tha se kjo vizitë e përbashkët tregon se BE-ja dhe SHBA-ja po punojnë “ngushtë” për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për vizionin e së ardhmes.
“Jam i lumtur që kjo vizitë ka ofruar një mundësi për të diskutuar për planet tona në javët dhe muajt e ardhshëm”, tha Lajçak.
Ai tha se vizita në Kosovë dhe Serbi do t’iu ndihmojë që të kenë një pasqyrë të qartë se çfarë do të presin në të ardhmen dhe si do ta çojnë përpara këtë proces.
Vizita e diplomatëve vjen pasi Kosova dhe Serbia, qysh në korrik të vitit 2021, nuk kanë zhvilluar asnjë rund bisedimesh në nivel të lartë, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është i vendosur që sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës të mos cenohen nga askush.
“Unë jam kryeministër i të gjithë qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm që t’iu përgjigjem të gjitha kërkesave dhe nevojave të qytetarëve të Kosovës, edhe të qytetarëve serbë, me ç’rast do të marrim praktikat më të mira aktuale edhe të Kosovës, por edhe të Bashkimit Evropian, e duke pasur në vëmendje edhe praktikat dhe mënyrat, të cilat i zbaton Serbia, sepse nuk duhet të kemi askund qytetarë apo komunitete që janë të privilegjuara, e diku tjetër të diskriminuara”, tha Kurti gjatë konferencës së përbashkët për media.
Kryeministri Kurti, më herët, ka mbështetur idenë se shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – komuna në jug të Serbisë – duhet të trajtohen njësoj sikurse komuniteti serb në Kosovë.
Më herët gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani tha se Kosova është e përkushtuar për dialog që ka në qendër njohjen reciproke me Serbinë.
Sipas saj, një marrëveshje për njohje reciproke nuk duhet të prekë sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të Kosovës.
“Është tashmë e qartë se Serbia po e bllokon progresin në dialog nëpërmjet qasjes së saj jokonstruktive”, tha Osmani, sipas një njoftimi të lëshuar nga zyra e saj.
Sipas njoftimit, Osmani tha se pret që të ketë trajtim të barabartë të palëve në dialogun e ndërmjetësuar nga blloku evropian.
Presidentja Osmani po ashtu citohet të ketë thënë se Serbia vazhdon të mos zbatojë marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut dhe të paraqesë pengesa sa herë që ka takime të organizuara në kuadër të këtij procesi.
Gjatë vizitës në Kosovë, dy zyrtarët perëndimorë pritet të takohen edhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare.
Pritet që çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë një nga temat që do të diskutohen gjatë vizitës së tyre.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë së voni se ka modele, për të cilat SHBA-ja mendon se mund të funksionojnë për këtë asociacion dhe se Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që t’i shqyrtojë ato.
Ndonëse Hovenier nuk i ka përmendur në mënyrë specifike ato modele, Osmani tha të hënën se institucionet e Kosovës janë të vendosura që “të mos lejojnë zbatimin e modeleve që do ta bënin këtë shtet jofunksional”.
“Propozimet, për të cilat po përflitet, për kinse autonomi të zgjeruar apo ndonjë lloj asociacioni me kompetenca ekzekutive, asnjëherë nuk u janë prezantuar institucioneve të Republikës së Kosovës”, u tha Osmani gazetarëve gjatë një vizite në Podujevë.
“Ajo që ka qenë problem i madh është se kanë qenë përfaqësues të Republikës së Kosovës ata, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje të dëmshme, të cilat Asociacionit i kanë dhënë kompetenca ekzekutive”, tha Osmani./Rel