Ambasadori i Federatës Ruse në Shqipëri Z. Mikhail Afanasiev mbajti sot (04.02) një konferencë për mediat shqiptare.
Në qendër të vëmendjes janë akuzat në adresë të Rusisë për përgatitjen e një gjoja “pushtimi të Ukrainës”, reagimi kundërpërgjigjës i Moskës dhe negociatat e Rusisë me partnerët perëndimorë, përfshirë SHBA-të dhe NATO-n, lidhur me tematikën e pandashmërisë së sigurisë, të iniciuar nga pala ruse, tha Ambasdori
Duke qene se vlerësimet e Perëndimit janë të njohura për Ju, do të flasim për qëndrimet e Moskës, theksoi ambasadori në krye të herës.
Një sërë deklaratash alarmante janë bërë nga disa politikanë shqiptarë. Shkalla e retorikës së paraluftës ka kapërcyer kufijtë, ndaj ne e konsideruam të nevojshme të zhvillojmë një takim me përfaqësues të medias në formatin briefing duke shtjelluar qëndrimin e përgjithësuar lidhur me krizën aktuale të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit, shkaqet e saj, ndikimin negativ në arkitekturën e sigurisë në Evropë e botë, si edhe pasojat e mundshme, tha Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Z. Afanasiev.
Përkundër marrëveshjeve të përgjithshme evropiane, të fiksuara në Aktin Përfundimtar të Helsinkit të vitit 1975, Kartën e Parisit për një Evropë të re në 1990, Deklaratën e Stambollit në 1999 dhe Deklaratën e OSBE-së në Astana të vitit 2010, të nënshkruara nga të gjitha shtetet evropiane, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, përgjatë 30 viteve të fundit, ka afruar pranë kufijve të Rusisë infrastrukturën politike dhe, ç’është më kryesore, atë ushtarake, duke vendosur nën rrezik sigurinë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të Evropës në tërësi, tha Afanasiev
Ambasadori e quan situaten brenda në Ukrainë një krizë artificiale e cila po përkeqësohet falë shteteve të caktuara perëndimore që përpiqen të përçajnë popujt e bashkuar historikisht të Rusisë dhe Ukrainës, si edhe të krijojnë një vatër destabilizimi në Evropë duke ndërlikuar marrëdhëniet midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Moskës.
“Jemi të bindur se, pa “ndihmën” perëndimore, konflikti në lindje të Ukrainës do të ishte zgjidhur me kohë. Madje edhe vetë konflikti që nisi me ardhjen në pushtet të nacionalistëve, me shumë mundësi, nuk do të kishte ekzistuar”, shprehet Ambasadori
Ndërsa edhe njëherë thekson faktin se Prendimi po cënon sigurinë e Rusisë.
“Perëndimi, me në krye SHBA-të, nën preteksin e dhënies së ndihmës Ukrainës për të pasqyruar “agresionin e pashmangshëm” nga ana e Moskës, mori një kurs vendimtar për asimilimin ushtarak të territorit të saj dhe kthimin e saj në një shesh për armët e tij sulmuese të drejtuara kundër Rusisë. Synimet janë të larta: koha e fluturimit të raketave balistike dhe atyre me krahë deri te objektet më të rëndësishme strategjike të vendit tonë është 6-8 minuta”, thotë Afanasiev.
I pyetur nga gazetarët për letrën dërguar qeverisë shqiptare nga Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov dhe përgjigjen e pritshme nga pala shqiptare, ambasadori theksoi se së pari kjo letër është dërguar në bllok vendeve anëtare të Natos ndaj në rast të një përgjigje negative nga secili prej këtyre vendeve, përfshirë dhe Shqipërinë, nuk do të kete pasoja të mundshme. Pra jo në formë sanksionesh por një përgjigje në bllok.
Sa i perket Bazës Ajrore të Kuçovës e cila po shndërrohet në bazën ajrore të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, Ambasadori rus tha se fillimisht kjo bazë është p4erdorus nga BRSS, ndërsa theksoi se Baza e Nato-s në Kuçovë është vazhdim i kursit të Nato-s për zgjerimin e Aleancës. Megjithatë, kjo nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për Rusinë pasi në këtë rast siguria e një shteti nuk është në kurriz të një shteti tjetër tha Ai.
I pyetur nga Argumentum.al në lidhje me parimet e Aktit Final të Helsinkit për masat e sigurisë dhe të ndërtimit të besimit ku SHBA akuzon Rusinë dhe Rusia akuzon SHBA-në për shkeljen ose devijimin prej tyre se cilat janë më konkretisht dallimet dhe kundërshtitë e palës ruse, Ambasadori tha se :”
Pandashmëria e sigurisë është elementi kyç për të cilën është rënë dakort në disa Akte, qoftë ai Aktit Fianl të Helsinkit por edhe nëpërmjet Deklaratave të tjera të përditësuara si; Kartën e Parisit për një Evropë të re në 1990, Deklaratën e Stambollit në 1999 dhe Deklaratën e OSBE-së në Astana të vitit 2010, etj.
Po ashtu deklarata e firmosur nga anëtarët e OSBE-së, ndërmjet të cilëve edhe Shqipëria, ku në vitin 1999 është firmosur nga Kryeministri i Shqipërisë dhe në vitin 2010 nga Presidenti i Shqipërisë.
Ndaj për shqyrtimin e letrës së Ministrit të Jashtëm Sergey Lavrov nga pala shqiptare të merren parasysh dokumentet e nënshkruara nga Shqipëria në Astana, theksoi Ambasadori rus Mikhail Afanasiev.
***
Fjala e Ambasadorit në briefing për gazetarët shqiptarë, 4 shkurt
Të nderuar përfaqësues të medias shqiptare, është kënaqësi t’ju përshëndes në ambientet e Ambasadës Ruse në Tiranë.
Javën e fundit kemi marrë shumë kërkesa nga media të ndryshme për zhvillimin e një interviste lidhur me problematikën ukrainase dhe çështjet e marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit. Në qendër të vëmendjes janë akuzat në adresë të Rusisë për përgatitjen e një gjoja “pushtimi të Ukrainës”, reagimi kundërpërgjigjës i Moskës dhe negociatat e Rusisë me partnerët perëndimorë, përfshirë SHBA-të dhe NATO-n, lidhur me tematikën e pandashmërisë së sigurisë, të iniciuar nga pala ruse. Një sërë deklaratash alarmante janë bërë nga disa politikanë shqiptarë. Shkalla e retorikës së paraluftës ka kapërcyer kufijtë, ndaj ne e konsideruam të nevojshme të zhvillojmë një takim me përfaqësues të medias në formatin briefing duke shtjelluar qëndrimin e përgjithësuar lidhur me krizën aktuale të marrëdhënieve midis Rusisë dhe Perëndimit, shkaqet e saj, ndikimin negativ në arkitekturën e sigurisë në Evropë e botë, si edhe pasojat e mundshme.
E sqaroj menjëherë: kriza ukrainase dhe kriza në marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë probleme me zanafilla të ndryshme, por sot ato janë lidhur ngushtë dhe në mënyrë të koncentruar pasqyrojnë gjithë rrënjët e thella të kontradiktave ekzistuese në Evropë.
Vlerësimet e Perëndimit janë të njohura për ju. Le të flasim për qëndrimet e Moskës.
Gjithçka ka nisur në vitet e largëta 1989-1990. Si rezultat i negociatave të Presidentit të Bashkimit Sovjetik dhe kancelarit të Gjermanisë, nga njëra anë, dhe shteteve fituese të Luftës së Dytë Botërore, nga ana tjetër, u zgjidhën çështjet e bashkimit paqësor të Gjermanisë dhe deokupimit të saj përfundimtar. Gjatë këtyre negociatave, Bashkimit Sovjetik iu paraqitën garanci të forta se pas bashkimit të Gjermanisë, blloku i NATOS nuk do të zgjerohet “as edhe një centimtër” në Lindje. Këto kushte u fiksuan në protokollet e negociatave. Megjithatë, marrëveshjet gojore u zbatuan nga Aleanca e Atlantikut të Veriut vetëm në vitet e para.
Tashmë në vitin 1999 në NATO hyri Hungaria, Polonia dhe Çekia. Vala e dytë e zgjerimit erdhi në vitin 2004, kur anëtarë të Organizatës u bënë shtetet baltike, Bullgaria, Rumania, Sllovakia dhe Sllovenia. Megjithëkëtë, partnerët tanë perëndimorë i referoheshin faktit që në vitet pas bashkimit të Gjermanisë u formua një realitet i ri gjeopolitik, pasi ekzistenca e një prej pjesëmarrësve të marrëveshjeve – Bashkimit Sovjetik – u ndërpre, ndërsa marrëdhëniet midis Rusisë dhe NATO-s rregulloheshin tashmë nga një Akti Themelor i nënshkruar në vitin 1997, në të cilin, si thonë, “moszgjerimi” nuk përmendet. E kështu zgjerimi vazhdoi me Shqipërinë e Kroacinë (2009), Malin e Zi (2017) dhe Maqedoninë e Veriut (2020).
Përkundër marrëveshjeve të përgjithshme evropiane, të fiksuara në Aktin Përfundimtar të Helsinkit të vitit 1975, Kartën e Parisit për një Evropë të re në 1990, Deklaratën e Stambollit në 1999 dhe Deklaratën e OSBE-së në Astana të vitit 2010, të nënshkruara nga të gjitha shtetet evropiane, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior, përgjatë 30 viteve të fundit, ka afruar pranë kufijve të Rusisë infrastrukturën politike dhe, ç’është më kryesore, atë ushtarake, duke vendosur nën rrezik sigurinë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të Evropës në tërësi.
Vërej se në fillim të viteve 2000 midis Moskës dhe Perëndimit është zhvilluar një dialog i gjerë për të gjitha aspektet e sigurisë ndërkombëtare. Megjithatë, praktika tregoi se qëllimi real i tij ishte të “përgjumte” Moskën. Atëherë nuk kishte biseda për ndonjë pretendim ndaj Moskës për, le të themi, Gjerogjinë apo Ukrainën. Objekt i kritikës dhe retorikës antiruse ishin veprimet tona në luftë kundër terrorizmit në Kaukazin Verior.
Që prej asaj kohe autoritetet ruse nisën të drejtojnë vëmendjen e partnerëve perëndimorë te fakti që politika e SHBA-ve dhe aleatëve të tyre po çon në demontimin e sistemit të formuar të sigurisë. Këto shqetësime u pasqyruan në fjalimin e njohur të Presidentit V.V.Putin në Konferencën e Mynihut për Sigurinë në vitin 2007. Megjithatë, kolegët tanë perëndimorë preferuan të mos na e vënë veshin, edhe pse në çdo platformë ndërkombëtare ne i paralajmëronim se një qëndrim i tillë do të na çonte në një qorrsokak. Për fat të keq, ne tashmë ndodhemi në një situatë maksimalisht të ngjashme me një qorrsokak.
Për sa i përket Ukrainës. Java e kaluar ka treguar me një qartësi bindëse karakterin artificial të krizës brenda Ukrainës, e cila po përkeqësohet falë shteteve të caktuara perëndimore që përpiqen të përçajnë popujt e bashkuar historikisht të Rusisë dhe Ukrainës, si edhe të krijojnë një vatër destabilizimi në Evropë duke ndërlikuar marrëdhëniet midis vendeve të Bashkimit Evropian dhe Moskës. Jemi të bindur se, pa “ndihmën” perëndimore, konflikti në lindje të Ukrainës do të ishte zgjidhur me kohë. Madje edhe vetë konflikti që nisi me ardhjen në pushtet të nacionalistëve, me shumë mundësi, nuk do të kishte ekzistuar.
Perëndimi, me në krye SHBA-të, nën preteksin e dhënies së ndihmës Ukrainës për të pasqyruar “agresionin e pashmangshëm” nga ana e Moskës, mori një kurs vendimtar për asimilimin ushtarak të territorit të saj dhe kthimin e saj në një shesh për armët e tij sulmuese të drejtuara kundër Rusisë. Synimet janë të larta: koha e fluturimit të raketave balistike dhe atyre me krahë deri te objektet më të rëndësishme strategjike të vendit tonë është 6-8 minuta. Për të disatën herë bëhet fjalë për idenë e çmendur të “goditjes së parë çarmatuese”, pas së cilës, si supozojnë strategët perëndimorë, do të shkatërrohet struktura bazë ushtarako-teknike dhe drejtuese e Rusisë. Pra, NATO po përpiqet të sigurojë për vete një potencial sulmues, me anë të të cilit të mund t’i diktojë vullnetin e tij fuqisë më të madhe bërthamore. Se si mund të përfundojë kjo histori, midis të tjerave për kontinentin evropian, askush nuk shprehet, nuk dihet përse preferojnë të heshtin.
Në këtë situatë Rusia ka paraqitur disa propozime, të cilat kanë për synim të ndalojnë këtë skenar katastrofik dhe të drejtojnë zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve në rrugën e negociatave diplomatike dhe kompromiseve të arsyeshme. Propozimi i Rusisë për nisjen e dialogut në dhjetor 2021 u mbështet nga Presidenti i SHBA-ve, J.Biden.
Në interes të fillimit sa më të shpejtë të një procesi negociues konkret për hartimin e garancive ligjore që përjashtojnë avancimin e NATO-s në Lindje dhe vendosjen e sistemeve të armatosura kërcënuese në afërsi të territorit të vendit tonë, pala ruse ka përgatitur drafte të dy marrëveshjeve ndërkombëtare, tekstet e të cilave janë publikuar. Po flasim për Draft-Traktatin Rusi-SHBA për Garancitë e Sigurisë (Draft Russia-US Treaty on Security Garanties) dhe Draft-Marrëveshjen për Masat e Sigurisë ndërmjet Rusisë dhe NATO-s (Draft-Agreement on Security Measures Betëeen Russia and NATO).
Në këto drafte janë fiksuar detyrimet për mospërdorimin e forcës apo kërcënimit për përdorimin e saj në asnjë mënyrë që nuk është në përputhje me Kartën e OKB-së, si dhe përmbajtjen (frenimin) maksimal ushtarak. Propozohet të shkruhet se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara nuk e konsiderojnë njëra-tjetrën si kundërshtarë, ndërsa mekanizmat e konsultimit në baza dypalëshe dhe shumëpalëshe do të përdoren për të zgjidhur situatat problematike. Është gjithashtu e rëndësishme të rikonfirmohet parimi i mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit. Të dy tekstet nuk janë përpiluar sipas parimit të menusë, ku mund të zgjidhen pikat e preferuara. Ato plotësojnë njëra-tjetrën dhe duhet të shqyrtohen në kompleks.
Ndër elementët e tjerë kyç të projekt-traktateve janë detyrimet për të ndërtuar ndërveprimet midis palëve mbi parimet e sigurisë së pandashme, papranueshmërisë së veprimeve dhe masave që prekin sigurinë e njëri-tjetrit, është formuluar teza e refuzimit për të kryer veprimtari si në mënyrë individuale, ashtu edhe brenda kuadrit të organizatave ndërkombëtare, aleancave apo koalicioneve ushtarake, të cilat do të minonin interesat themelore të sigurisë së palës tjetër.
Për palën ruse është e rëndësishme që garancitë të kenë karakter ligjor, pra të kenë karakter maksimalisht detyrues, nga pikëpamja juridike, pasi një tipar karakteristik i marrëdhenieve të Rusisë dhe Perëndimit kolektiv është mungesa e plotë e besimit. Garancitë që na janë dhënë nga politikanë të ndryshëm të SHBA-ve dhe Evropës për tema të ndryshme, përfshirë moszgjerimin e NATO-s, janë shkelur rëndë, ndërsa tani shkeljes së këtyre garancive u është shtuar praktika provokuese e asimilimit të territoreve të shteteve që kufizohen me Rusinë, madje pa hyrjen e tyre formale në NATO.
Më datë 10 janar të këtij viti në Gjenevë, përfaqësuesit rusë diskutuan nismën tonë me amerikanët, më datë 12 janar të këtij viti ata diskutuan në Bruksel me anëtarët e NATO-s, ndërsa më datë 13 janar ajo u diskutua gjatë seancës së radhës së OSBE-së. Më datë 21 janar të këtij viti, me kërkesë të kolegëve të tij amerikanë, S. Lavrov zhvilloi bisedime mbi këtë temë me sekretarin amerikan të shtetit, E. Blinken. Më pas, Rusisë iu dhanë përgjigje me shkrim, nen për nen, duke shpjeguar qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për kërkesat tona specifike. Bazuar në këto përgjigje, presidenti rus do të vendosë për hapat e mëtejshëm.
Ne nuk do të lejomë që projektet tona të “zvarriten” në diskutime pafund – një linjë e tillë shihet qartë, sidomos në përpjekjet për ta kaluar gjithë këtë tematikë në OSBE apo nga thirrjet këmbëngulëse të Bashkimit Evropian për t’i gjetur atij një vend në këto diskutime. Nëse nuk do të ketë përgjigje konstruktive dhe Perëndimi do të vazhdojë kursin e tij agresiv, atëherë Moska, ashtu siç është shprehur vazhdimisht Presidenti V.V.Putin, do të ndërmarrë masa të nevojshme reciproke. Në çdo rast, të gjithë duhet të nisen nga fakti që siguria e Rusisë dhe qytetarëve të saj është një prioritet i pakushtëzuar, dhe ajo do të sigurohet me qëndrueshmëri në të gjitha rrethanat.
© 2022 Argumentum